Shtunë 16 Maj 2026 09:15
Shtunë, 16 Maj 2026, 09:15
FOTO: aa.com.tr
Madhësia e shkronjave
Mbretëresha Matilda udhëhoqi një delegacion ekonomik belg prej 400 anëtarësh drejt Turqisë
Mbretëresha Matilda vizitoi Stambollin në krye të një delegacioni ekonomik të nivelit të lartë, me synimin për të forcuar lidhjet tregtare dhe investimet mes Brukselit dhe Ankarasë, njofton Anadolu Agency, cituar nga BTA.
Delegacioni përfshinte zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm belg Maxime Prévot, ministrin e Mbrojtjes Theo Francken, i cili është gjithashtu përgjegjës për tregtinë e jashtme, si dhe 428 përfaqësues të sektorit privat.
Vizita, e cila zgjati nga 10 deri më 14 maj, u përqendrua në mundësitë e investimeve dhe biznesit në sektorë kyç si energjetika, industria e mbrojtjes, aviacioni, logjistika, shëndetësia, sektori bankar, teknologjia dhe digjitalizimi. U mbajt gjithashtu edhe Forumi i Biznesit Turko-Belg.
Anadolu Agency rikujton se vëllimi i tregtisë dypalëshe midis Turqisë dhe Belgjikës gjatë vitit 2025 ka arritur në 9,2 miliardë dollarë, prej të cilave 5 miliardë dollarë janë eksporte turke dhe 4,2 miliardë dollarë importe.
Për periudhën nga viti 2002 deri në janar 2026, investimet belge në Turqi arrijnë në 9,3 miliardë dollarë, ndërsa investimet turke në Belgjikë në 490 milionë dollarë.
Rreth 300 000 qytetarë turq që jetojnë në Belgjikë shërbejnë si një urë e rëndësishme ndërmjet dy vendeve.
FOTO: ekathimerini.com
Greqia do të luftojë kontrabandën me gjurmim digjital
Greqia po forcon kontrollin në kufij me një sistem të ri dhe më modern për gjurmimin e kamionëve të mallrave dhe kontejnerëve. Teknologjia do të vihet në funksion në 24 dogana dhe pika të kontrollit doganor në hyrjet kryesore të vendit, njofton imerisia.gr.
Autoritetet do të monitorojnë në kohë reale lëvizjen e dërgesave përmes sistemeve GPS, kamerave për njohjen e targave dhe skanerëve me rreze X. Masa synon të luftojë kontrabandën e karburanteve, cigareve, alkoolit dhe mallrave të falsifikuara.
Modernizimi do të përfshijë pikat kufitare me Turqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe porte kyçe si Pireu, Selaniku, Patra etj
FOTO: expobelgrade2027.org
Beogradi tërhoqi SHBA-në për EXPO 2027
Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në ekspozitën ndërkombëtare EXPO 2027 në Beograd. Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së një delegacioni amerikan në kryeqytetin serb. Firmat u vendosën nga Sarah Rogers, zëvendëssekretare e shtetit për diplomacinë publike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, ministrja e tregtisë së brendshme dhe të jashtme dhe komisionerja për EXPO 2027, Jagoda Lazarević, si dhe drejtori i EXPO 2027, Danilo Jerinić, njofton blic.rs.
“SHBA-ja dhe Serbia kanë hyrë në një epokë të re të marrëdhënieve dypalëshe dhe EXPO do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të theksuar miqësinë dhe lidhjet tona tregtare”, shkroi Rogers në X. Pas nënshkrimit, ajo deklaroi: “Ne duam të theksojmë angazhimin e presidentit Trump për marrëdhënie reciprokisht të dobishme me Serbinë”. Sipas saj, çdo EXPO është një mundësi për të promovuar interesat ekonomike dhe tregtare amerikane, shkruan BTA.
Deri më tani, pjesëmarrjen në ekspozitën e Beogradit e kanë konfirmuar mbi 130 shtete, mes tyre vende anëtare të BE-së, si dhe Turqia, Kina dhe Rusia.
FOTO: livcollections.com
Qipro po e pranon gradualisht bashkëjetesën si një alternativë të martesës
Qipro po regjistron rritje të të ashtuquajturës bashkëjetesë – një formë zyrtare partneriteti në vend, e vlefshme që nga viti 2016, e cila u jep partnerëve një pjesë të të drejtave të ngjashme me martesën civile dhe është e hapur si për çiftet heteroseksuale, ashtu edhe për ato të së njëjtës gjini.
Kjo formë u prit fillimisht me rezistencë nga shoqëria qipriote, por në vitin 2024 tashmë ishin regjistruar 917 çifte me këtë lloj partneriteti familjar, ose 8,2% e bashkimeve të njohura ligjërisht në vend. Shumica janë çifte heteroseksuale, por ka edhe çifte të së njëjtës gjini.
Mosha mesatare në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëjetesës për çiftet heteroseksuale ishte 33 vjeç për burrat dhe 30 vjeç për gratë, ndërsa për çiftet e së njëjtës gjini ishte 40 vjeç, tregojnë të dhënat e shërbimit statistikor të Qipros.
FOTO: gazetatema.net
Fotografi të rralla nga Shqipëria tregojnë për jetesën në vend para një shekulli
Një ekspozitë me fotografi të rralla nga Shqipëria, të realizuara më shumë se 100 vjet më parë, u hap në qytetin bregdetar të Durrësit pas prezantimit të suksesshëm të saj në Shkodër. Ekspozita, e quajtur “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, paraqet pamje të realizuara nga antropologu dhe humanisti zviceran Eugène Pittard gjatë udhëtimeve të tij me bashkëshorten nëpër Shqipëri në vitet 1921 dhe 1924, raporton vizionplus.tv.
FOTO: usalbanianmediagroup.com
Fotografitë tregojnë jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, njerëzit dhe peizazhet pothuajse të paprekura të asaj kohe. Mes pamjeve ka edhe objekte historike, si hyrja e kalasë së Beratit dhe të tjera.
FOTO: Facebook/Ilir Ikonomi
Ambasadorja zvicerane në Tiranë, Ruth Huber, theksoi rëndësinë e trashëgimisë së Pittardit, e cila paraqet jetën e shqiptarëve të asaj kohe, si dhe kontributin e tij në lidhjet mes dy vendeve.
Përpiloi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello