MUZIKË

Artikull

“I pathyeshëm” – debutimi i supergrupit të ri “Frontmen”

Hënë, 25 Maj 2026, 06:05

“I pathyeshëm” – debutimi i supergrupit të ri “Frontmen”

FOTO: YouTube

Madhësia e shkronjave

Katër nga zërat dhe muzikantët më të njohur të skenës alternative dhe rok në Bullgari bashkojnë forcat në një supergrup të ri – “Frontmen”. Këta janë Stenli, Svilen Noev (“Ostava”), Ersin Mustafov (Jeremy?) dhe Ivan Vellkov (P.I.F.). Ajo që i lidh nuk është vetëm gjuha e përbashkët muzikore, por edhe një miqësi shumëvjeçare.

“Po krijojmë një supergrup me repertor që përfshin periudhën nga vitet ’80 deri sot, por përmes prizmit të skenës më alternative”, tregon Ersin.

"Dallimi nga supergrupet e tjera bullgare është se ne synojmë të krijojmë muzikë të re së bashku, e jo vetëm të interpretojmë këngë të njohura. Përveç kësaj, për herë të parë në repertorin e një formacioni të tillë do të ketë edhe këngë në gjuhën angleze."

Sipas tij, “Frontmen” është një vazhdimësi e natyrshme mes disa brezave artistësh – nga “Tangra” në vitet ’80, përmes “Ostava” dhe P.I.F. në fund të viteve ’90, deri te Jeremy? dhe mijëvjeçari i ri.

“I pathyeshëm” – debutimi i supergrupit të ri “Frontmen”

FOTO: Ekipi "Frontmen“

“Të gjithë kemi kaluar nëpër etapa dhe skena të ndryshme, por rezultoi se ndajmë të njëjtën emocion ndaj muzikës. ‘Frontmen’ nuk është thjesht një takim muzikantësh, por bashkim njerëzish që duan të krijojnë diçka të re së bashku”, ndan mendimin e tij Svilen Noev.

“Si kitarist i P.I.F., muzika për mua ka qenë gjithmonë çështje energjie, ndarjeje dhe miqësie të vërtetë. Pikërisht për këtë arsye krijimi i këtij formacioni ndodhi kaq natyrshëm”, thotë Ivan Vellkov. “Kur në një skenë bashkohemi me Svilenin, Ersinin dhe legjendarin Stenli, kjo nuk është thjesht një projekt i ri, është takim bashkëmendimtarësh. Kemi kaluar rininë në të njëjtat klube, festivale dhe prapa skenës. Stilet tona muzikore gjithmonë kanë rrahur në të njëjtin ritëm – atë ritëm të veçantë të rokut bullgar melankolik dhe shpirtit alternativ.”

Stenli e përkufizon projektin si një “mbledhje familjare” mes brezave të muzikantëve bullgarë të rokut.

“Këta djem, Svilen, Ersin dhe Ivan, janë brezi i rock’n’rollit pas meje. Ata janë ajo që brezi im ka edukuar”, thotë ai. “Më pëlqen muzika që ata bëjnë me bendët e tyre. Mua gjithmonë më ka qenë interesante të punoj me muzikantë më të rinj, të kuptoj se çfarë mendojnë përmes muzikës së tyre dhe si e ndjejnë atë.”

Si e përjetojnë muzikën katër anëtarët e “Frontmen”, mund ta dëgjojmë në këngën e tyre të parë “I pathyeshëm”, për të cilën ata vetë janë autorë të muzikës, tekstit dhe aranzhimit.

Redaktoi: Diljana Traçeva

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva