Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Një shëtitje në të kaluarën e Bullgarisë
Nga pazari mesjetar deri te salla e fronit
Qendra Multimediale e Vizitorë “Carevgrad Tërnov” është një nga vendet më tërheqëse për turistët në kryeqytetin e vjetër bullgar
Hënë 25 Maj 2026 08:46
Hënë, 25 Maj 2026, 08:46
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Madhësia e shkronjave
Një përjetim i vërtetë si në muzeun e figurave prej dylli ju pret, nëse vizitoni qytetin Veliko Tërnovo dhe ndaloni në Qendrën Multimediale për Vizitorë “Carevgrad Tërnov”. Ajo zbulohet lehtësisht, pasi ndodhet shumë pranë kodrës historike Carevec. Afër ndodhen edhe Kisha “Shën Dyzet Martirët”, Muzeu “Kuvendi i Madh Popullor”, si edhe Shtëpia “Sarakina”, me një ekspozitë etnografike shumë interesante.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov” u themelua rreth një dekade më parë për të prezantuar historinë në një mënyrë të pazakontë, duke e zhytur vizitorin në atmosferën autentike të së kaluarës dhe duke e bërë të ndihet si dëshmitar i gjallë i ngjarjeve të rëndësishme nga historia ndërmjet shekujve të XII-të dhe të XIV-të në Tërnovgradin mbretëror. Këtu historia merr jetë përmes një sërë skenash tredimensionale, me figura skulpturore në madhësi natyrore dhe kopje të afreskeve e interierëve, të cilat rikrijojnë me besnikëri jetën e përditshme dhe pamjen e figurave të njohura të shoqërisë mesjetare bullgare. Vizitori përballet drejtpërdrejt me figurat e Ivan Asenit II dhe bashkëshortes së tij, princesha hungareze Ana-Maria Arpat. Pranë tyre ndodhet edhe patriku Joakim I, i pranishëm në një audiencë në sallën e fronit.
FOTO: museumvt.com
Mbresëlënëse janë skenat e betejave, si ato të luftërave pranë Adrianopojës, Klokotnicës apo mbrojtja e Tërnovo nga pushtimi i ushtrive osmane në vitin 1393.
FOTO: museumvt.com
Gjithashtu paraqiten pikturimi i kishës Shën Dhimitri i Selanikut dhe ktitori i kishës së re nën kodrën Trapezica, mbreti i ardhshëm Pjetri. Para syve të vizitorit, sikur dalin drejtpërdrejt nga faqet e Katërungjillëshi i Londrës figurat madhështore të mbretit Ivan Aleksandër, mbretëreshës Maria dhe bashkësundimtarëve Ivan Sracimir dhe Ivan Shishman.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Mjaft prekëse është diorama me Shën Patriarku Evtimij i Tërnovos – udhëheqës shpirtëror, dijetar dhe drejtues i mbrojtjes së Tërnovos kundër osmanëve. Ai paraqitet teksa i jep lamtumirën popullit të tij, përpara se të nisej në mërgim. Teknologjia tredimensionale e zhyt vizitorin në një realitet të shtuar me tinguj dhe pamje, të cilat i japin edhe më shumë jetë skenave dhe e përfshijnë atë në historinë e pasur të qytetit të sotëm Veliko Tërnovo – simbol i madhështisë mbretërore, lavdisë ushtarake dhe fuqisë shpirtërore gjatë periudhës së Mbretërisë së Dytë Bullgare.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
“Sigurisht, vizitorët mund të ngjiten në kodrën historike Carevec, ku ndodhen banesa pjesërisht të restauruara të fisnikëve, mbetjet e pallatit mbretëror dhe kisha “Shën Ngjitja e Zotit Jezu Krisht në Qiej”, e restauruar plotësisht”, shton ciceronja turistike Svetllana Jordanova. Ajo shton se Qendra e Vizitorëve nuk synon të zëvendësojë muzetë, por të pasurojë përvojën e vizitorëve, duke plotësuar atë që mund të shihet në ekspozitat me objekte autentike arkeologjike – përmes një paraqitjeje të jetës, veshjeve, zakoneve dhe përditshmërisë së njerëzve gjatë Mesjetës bullgare.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
"Këtu, përveç kopjeve të eksponateve muzeore, ndodhen edhe 65 figura njerëzore, të vendosura në skena të ndryshme, dhe pikërisht përmes tyre krijohet një ide e qartë për njerëzit që jetonin gjatë periudhës nga shekulli i XII-të deri në shekullin e XIV-të, të ashtuquajturës Mesjetë bullgare.
Shëtitja në Qendrën Multimediale fillon me një ekspozitë që paraqet banesën e shtresave më të varfra të popullsisë, e cila ndodhej brenda kalasë. Mund të shihet sa i thjeshtë ka qenë mobilimi në atë kohë – krevati ishte për gjithë familjen dhe të gjithë flinin të shtrirë pranë njëri-tjetrit. Njerëzit merreshin kryesisht me bujqësi. Ushqimi i tyre ishte shumë i thjeshtë, natyral, tërësisht nga prodhimi i vet, ndërsa mishi pothuajse mungonte në tryezën e tyre.
FOTO: museumvt.com
Një ndikim të madh në jetën e njerëzve ka pasur edhe kisha – kur Tërnovo ka qenë kryeqytet i Bullgaria, këtu kanë funksionuar gjithsej rreth 50 kisha. Kishat kanë qenë të zbukuruara me piktura murale të pasura, ku një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe e famshmja Shkolla e Pikturës së Tërnovos.
FOTO: museumvt.com
Ndryshe nga banesat e zakonshme, banesat e fisnikëve kanë qenë shumë më të bollshme, ndërsa mobiliet janë punuar nga dru i fortë, nga mjeshtrit më të mirë marangozë. Përveç enëve prej argjendi për ushqim, ata kanë përdorur edhe qeramikë luksoze – qeramikën tipike të Tërnovos, të njohur si sgrafito.”
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Është interesante se me hapjen e Qendrës së parë Multimediale për Vizitorë të këtij lloji në Veliko Tërnovo më 17 mars 2013, ekspozita ishte vendosur vetëm në një kat dhe përfshinte vetëm 28 figura. Sot ajo është pasuruar me 37 figura të reja, të realizuara me shumë fantazi. Trupat e tyre janë punuar me gips në madhësi natyrale njerëzore, ndërsa fytyrat janë prej silikoni, por krijojnë ndjesinë e realitetit. “Figurat njerëzore janë punuar me kujdes deri në detajin më të vogël. Skulptor i tyre është Boris Borisov” - shpjegon ciceronja Svetllana Jordanova.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Një rikrijim i shkëlqimit mbretëror shfaqet në sallën e rindërtuar të fronit të sundimtarëve bullgarë.
“Në ekspozitë, theksi vihet te shenjat mbretërore, të quajtura insigni, të cilat i jepen monarkut kur ngjitet në fron dhe dëshmojnë të drejtën e tij për të sunduar. Në radhë të parë është froni, pastaj kurora, skeptri në dorën e tij – simbol i pushtetit – si dhe unaza me vulë, me të cilën mbreti vulos dokumentet e tij. Shohim gjithashtu mantelin e kuq, të lidhur në brez me një rrip të artë, ndërsa si shenjë e pushtetit mbretëror shërbejnë edhe çizmet e kuqe. Në prehrin e mbretit ndodhet një qese e vogël e bardhë me një grusht dheu, e ashtuquajtura akakia, simbol i faktit se mbreti është i vdekshëm – edhe pse është sundimtari më i lartë, ai nuk duhet të harrojë kufijtë e vetvetes, sepse, si të gjithë njerëzit e tjerë, është i detyruar të respektojë ligjet e vendit.”
FOTO: museumvt.com
Mbështetja kryesore e pushtetit mbretëror ka qenë ushtria, me armatimin e saj – parzmoret mbrojtëse dhe helmetat, të plotësuara nga armatimi sulmues: shigjetat, heshtat, shpatat, topuzët dhe harqet me shigjetë. “Këtu shohim të ashtuquajturin dash sulmues, një makinë rrethimi e ndërtuar për të thyer portat e një fortese. Pajisja ka një çati mbrojtëse, sepse nga lart mbrojtësit e kalasë hidhnin mbi sulmuesit shigjeta, katran dhe ujë të valuar. Të gjitha pajisjet luftarake këtu janë kopje, ndërsa pjesë të origjinaleve mund të shihen në Muzeun Historik të Veliko Tërnovo.”
FOTO: museumvt.com
Një tjetër aspekt interesant i Mesjetës bullgare është zhvillimi i zejeve, të cilit i është kushtuar një vëmendje e veçantë.
“Në Mesjetë janë praktikuar mbi 50 lloje zejesh, por këtu mund të shihen katër prej tyre, të cilat kanë qenë më të rëndësishmet për qytetin tonë - vazhdon rrëfimin e saj Svetllana Jordanova. - Një nga zejet kryesore të asaj epoke ka qenë farkëtaria, pasi mjeshtrit kanë prodhuar vegla bujqësore për punimin e tokës, si dhe armë për ushtrinë, ndaj farkëtarët kanë gëzuar respekt të madh.
FOTO: museumvt.com
Poçeria është një nga zejet më të lashta, por në këtë periudhë tashmë përdorej rrota këmbësore e poçarit, gjë që i lejonte mjeshtrit t’i kishte të dy duart të lira për të formuar enë më të përpunuara. Pasi përfundonte, ena lyhej me angobë – një përzierje balte me pak ujë – dhe para pjekjes, me një vegël të mprehtë gdhendeshin motivet dekorative. Kështu u zhvillua qeramika tipike sgraffito e Tërnovos – një trashëgimi e kulturës bizantine në Bullgaria.”
Por në Qendrën e Vizitorëve “Carevgrad Tërnovo” shëtitja nuk përfundon këtu – mund të shihen edhe zeje të tjera, si ndërtimi i mureve të kalasë apo prerja e monedhave, së bashku me peshoren me të cilën matej çdo monedhë.
FOTO: museumvt.com
Me interes të veçantë është edhe pamja e një rruge tregtare dhe veshjet shumëngjyrëshe të njerëzve fisnikë dhe tregtarëve.
FOTO: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”
Në një tjetër sallë dëgjohen këngë kishtare, të krijuara nga i famshmi Joan Kukuzel, të cilit dhuntia e jashtëzakonshme e të kënduarit i ka sjellë nofkën “Zëri engjëllor”. Ekspozita na çon gjithashtu në të ashtuquajturin skriptorium, ku krijohej letërsia mesjetare, e cila arriti kulmin në shekujt XIV–XV dhe ka mbetur në histori si Shkolla e Shkrimtarëve e Tërnovo.
FOTO: museumvt.com
Në Qendrën Multimediale të Vizitorëve “Carevgrad Tërnov” është mbledhur një pjesë simbolike e së kaluarës sonë, e cila dëshmon në mënyrë të qartë fuqinë ushtarake, si dhe zhvillimin shpirtëror, kulturor dhe ekonomik të Mbretërisë së Dytë Bullgare. Kjo kulturë, e lidhur ngushtë me traditën e krishterë, i ka ndihmuar bullgarët të ruajnë identitetin e tyre si popull për plot pesë shekuj nën sundimin e sulltanëve osmanë.
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Foto: Qendra Multimediale e Vizitorëve “Carevgrad Tërnov”, museumvt.com
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova