Artikull
Sofja dhe Berlini kërkojnë horizonte të reja për investime të përbashkëta
Historitë e suksesshme të kompanive bullgare në Gjermani më së shpeshti janë në sektorët IT dhe digjitalizimit, tha në një intervistë për Radio Bullgarinë Konsulli i Përgjithshëm në Mynih Stefan Jonkov
Hënë 18 Maj 2026 13:00
Hënë, 18 Maj 2026, 13:00
FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih
Madhësia e shkronjave
Gjermania është shteti që Rumen Radev e zgjodhi për vizitën e tij të parë jashtë vendit si kryeministër i Bullgarisë. Ajo është me ftesë të kancelarit gjerman Fridrih Merc dhe është një shenjë e qartë për rëndësinë që Bullgaria i kushton marrëdhënieve me Gjermaninë. Në delegacionin bullgar janë gjithashtu zëvendëskryeministri dhe ministri i ekonomisë, investimeve dhe industrisë Aleksandër Pulev dhe ministrja e punëve të jashtme Velisllava Petrova.
Pritet që takimi në nivelin më të lartë t’i japë një impuls të ri dialogut politik midis Sofjes dhe Berlinit dhe të përcaktojë mundësi të reja për zhvillimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve. Pas ceremonisë zyrtare të pritjes me nderime ushtarake, të dy liderët do të zhvillojnë një bisedë “kokë më kokë”, e ndjekur nga një takim plenar midis delegacioneve. Ndër temat kryesore janë bashkëpunimi ekonomik, politika evropiane dhe siguria.
Gjermania është partneri më i madh tregtar i jashtëm i Bullgarisë, ndërsa shkëmbimi tregtar midis dy shteteve tejkalon 12 miliardë euro. Qindra kompani gjermane zhvillojnë aktivitet në vendin tonë, kryesisht në industrinë automobilistike, ndërtimin e makinerive dhe sektorin prodhues, duke siguruar mijëra vende pune.
Rumen Radev (ende president) takohet me drejtorin ekzekutiv të kompanisë më të madhe të mbrojtjes në Evropë, Rheinmetall, Armin Paperger
FOTO: BGNES
Sipas të dhënave të Bankës Popullore Bullgare, investimet gjermane në Bullgari gjatë vitit 2025 arrijnë rreth 4,2 miliardë euro. Një etapë e re në marrëdhëniet ekonomike midis dy shteteve është partneriteti në industrinë e mbrojtjes, duke përfshirë projektet e koncernit gjerman Rheinmetall për prodhimin e barutit dhe municioneve sipas standardeve të NATO-s. Në muajin gusht të vitit të kaluar, Rumen Radev mori pjesë në hapjen e një fabrike të re të kompanisë në vendin tonë, duke theksuar atëherë pritshmëritë e tij për rritjen e investimeve gjermane dhe pjesëmarrjen më aktive të Bullgarisë në projektet pan-evropiane në mbrojtje dhe teknologji të larta.
Rivendosja e Komisionit të Përhershëm Ndërqeveritar Bullgari-Bavari
FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih
Gjermania Jugore – motor i lidhjeve ekonomike
Veçanërisht aktive janë marrëdhëniet ekonomike të Bullgarisë me provincat Bavari dhe Baden-Vyrtemberg. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, konsulli i përgjithshëm i vendit tonë në Mynih Stefan Jonkov thekson se pikërisht me këto dy provinca federale Bullgaria realizon shkëmbimin më të lartë tregtar.
Sipas fjalëve të tij, prioritet kryesor i konsullatës së përgjithshme është tërheqja e investimeve gjermane dhe mbështetja e kompanive bullgare që kërkojnë partnerë dhe klientë në tregun gjerman.
Konsulli vëren se kompanitë bullgare tregojnë interes të qëndrueshëm ndaj Gjermanisë, veçanërisht në sektorët e teknologjive informative dhe digjitalizimit.
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Bullgarisë në Mynih Stefan Jonkov
FOTO: BTA
“Kompanitë bullgare gjithmonë kanë vëmendje shumë të madhe ndaj Gjermanisë. Një pjesë e madhe e historive të suksesshme aktualisht i përkasin sektorëve më aktualë si IT dhe digjitalizimi. Ka një sërë kompanish bullgare që tashmë i ndërtuan këto ura midis nesh dhe Baden-Vyrtembergut dhe Bavarisë dhe punojnë intensivisht në këtë drejtim. Ekipet bullgare të softuerit zhvillojnë produktet e tyre për klientë këtu në Gjermani. Paralelisht me këtë, Bavaria dhe Baden-Vyrtembergu janë motorët industrialë të Gjermanisë, ndërsa industria e njohur automobilistike zë vend udhëheqës edhe në të dyja provincat federale. Natyrisht, kjo nuk i shteron të gjitha mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim – këtu janë ndërtimi i makinerive, teknologjitë e larta, së fundmi edhe teknologjitë hapësinore në të cilat edhe Bullgaria ka historitë e saj të suksesshme, ndërsa këtu ato janë jashtëzakonisht interesante.”
Ndër shembujt konkretë për investime të reja, konsulli Stefan Jonkov përmend një projekt të një kompanie automobilistike në Ruse, e cila prodhon komponentë për një prodhues të madh bavarez automobilistik, si dhe një investim në sektorin automobilistik në Stara Zagora.
FOTO: "MULTIVAC Bullgari"
Si shembull të suksesshëm për tërheqjen e investimeve bavareze, konsulli veçon edhe krijimin e një qendre knowledge hub të FlixBus në Sofje, ku tashmë punojnë afro 100 persona. Sipas fjalëve të tij, Bullgaria e ka fituar projektin në konkurrencë me gjashtë shtete të tjera. Një investitor tjetër i rëndësishëm, sipas Stefan Jonkovit, është Multivac, e cila zhvillon prodhim të makinerive për industrinë ushqimore.
Vizita e kryeministrit bullgar në Berlin vjen në një moment kyç për Evropën, kur siguria ekonomike, zhvillimi industrial dhe investimet teknologjike po shndërrohen në një element gjithnjë e më të rëndësishëm të partneritetit midis shteteve në Bashkimin Evropian.
Intervistë: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski