FOLKLOR

Seksion

Mynihu mblodhi bullgarë nga 21 shtete “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”

Hënë, 18 Maj 2026, 20:05

Mynihu mblodhi bullgarë nga 21 shtete “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih

Madhësia e shkronjave

Edicioni i njëmbëdhjetë i festivalit udhëtues “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”, i cili u mirëprit nga qyteti gjerman i Mynihut nga 15 deri më 17 maj, u shndërrua në një festë të vërtetë të shpirtit, kulturës dhe folklorit bullgar jashtë atdheut. Ngjarja – këtë vit nën moton “Libe le, libe hubavo” – mblodhi afro katër mijë bashkatdhetarë nga 21 shtete të kontinenteve të ndryshme, të bashkuar nga dashuria për krijimtarinë kombëtare dhe dëshira për të ruajtur traditat bullgare për brezat e ardhshëm. Në hapjen e forumit mori pjesë edhe nënkryetarja e bashkisë së qytetit, Verena Dietl, e cila theksoi se “14 000 banorë të Mynihut me prejardhje bullgare janë pjesë e natyrshme” e jetës së qytetit.

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih

Ndër të ftuarit specialë nga Bullgaria ishte edhe këngëtari i dashur i muzikës popullore trakase, Danisllav Kehajov, i cili i dha një energji të fuqishme pjesëmarrësve me zërin e tij të ngrohtë. Ai vetë ishte shumë i emocionuar nga atmosfera e jashtëzakonshme e festivalit dhe lidhja e sinqertë me rrënjët e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit.

FOTO: BTA

“Bullgaria është aty ku ka bullgarë. Shpirti që ata mbartin dhe emocioni që krijojnë më motivuan edhe më shumë të jap gjithçka në skenë. Vërtet nuk e di nëse është ‘Bullgari tjetër’, por kjo është Bullgari. Kjo është Bullgaria që dua të shoh dhe në të cilën dua të jetoj. Shpirti i këtyre njerëzve më mbushi me shumë energji pozitive”, ndau Danisllav Kehajov para mikrofonit të Joan Kolevit.


Momenti më i pritur i festivalit, sipas traditës, ishte vallja e madhe bullgare, të cilën bashkatdhetarët tanë e luajtën në Max Joseph Platz në kryeqytetin bavarez. Pikërisht “rreth saj është rrotulluar gjithçka, rreth idesë që vallja në shesh të na mbledhë bullgarët jashtë vendit”, tregoi për reporterin tonë Cvjatko Krëstev nga ansambli i valleve “Bullgariska Roza” në Palma de Mallorca. Ideja për vallen e madhe bullgare u zgjerua në ngjarjen vjetore “Në sheshin e Bullgarisë tjetër”, edicioni i parë i së cilës u mbajt në vitin 2015 në Lion (Francë), ndërsa çdo vit pasues gjen një shtëpi të re në një shtet dhe qytet tjetër, me organizimin e komunitetit lokal bullgar.


Me iniciativën e ansamblit të vallëzimit të Cvjatko Krëstevit, në “Sheshin” e këtij viti u organizua një formacion i përbashkët “Bullgariska Roza nëpër botë”, përbërë nga gjashtë grupe me emrin “Bullgariska Roza” – nga Koblenci dhe Mynihu (Gjermani), Nica (Francë), Malaga dhe Palma de Mallorca (Spanjë), si dhe Pretoria (Afrika e Jugut).

FOTO: Joan Kolev

“Ne prezantuam veprën “Sedjanka”, me të cilën arritëm të tregojmë historinë e një gruaje bullgare, e cila na ktheu në të kaluarën e saj, në kujtimin e saj për mbledhjen. Dhe tabloja mori jetë për publikun. Filloi me kujtimin e saj dhe përfundoi me kujtimin e saj, si një fotografi e vjetër në mur. Doli fantastike, megjithëse arritëm të bënim fizikisht vetëm dy prova në vend, në parking. Përgatitja zgjati disa muaj, me disa prova online, dhe spontaniteti në fakt i dha jetë kësaj vepre”, tregoi Cvjatko Krëstev.

FOTO: Joan Kolev

Ai ishte gjithashtu pjesë e kolektivit botëror të vallëzimit “Gurbetçii”, me krijues dhe udhëheqës artistik Teodosi Teodosiev, i cili gjithashtu përgatiti pothuajse tërësisht online shfaqjen e tij emblematike “Kthim dhe gëzim pas Luftës Ballkanike”. Kolektivi bashkon 55 valltarë nga më shumë se 25 ansamble bullgare nga Evropa dhe SHBA-ja. Ja çfarë ndau Cvjatko Krëstev edhe për këtë pjesëmarrje të tij:

FOTO: Joan Kolev

“Dolëm në skenë dhe dhamë gjithçka nga vetja, ndërsa publiku u bë një me ne. Kishte njerëz që qanin. Gjyshja Radka, 89 vjeçe, e cila jeton prej shumë vitesh në Koblenc dhe që kishim nderin të ishte pjesë e veprës sonë ‘Sedjanka’, gjithashtu foli me shumë ngrohtësi për ‘Gurbetçii’. Shumë njerëz që njohim na bënë të ndihemi krenarë.”

FOTO: BTA

Finalja e shfaqjes u kthye papritur në një fillim jete. Stojan Zllatanov nga “Gurbetçii” u ul në gjunjë para të dashurës së tij, Desi Santova nga ansambli “Folklorna Magjia” – Londër, me një propozim për martesë.

FOTO: Joan Kolev

Pjesë e emocioneve të festivalit të këtij viti u bë edhe pjesëmarrja e DARA-s në finalen e “Eurovision – 2026”. Bullgarët “në shesh” e mbështetën masivisht me votat e tyre kauzën bullgare dhe bashkatdhetaren tonë, e cila i solli Bullgarisë një triumf historik në konkursin muzikor. Ndërsa Anita Ekenova, kryetare e asociacionit kulturor “Ot Izvora” në Lion, që hodhi themelet e festivalit udhëtues folklorik, përmblodhi:

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih

“Mynihu u bë Bullgari dhe të gjitha zemrat bullgare nga tre kontinente – mbi 120 ansamble vallesh pjesëmarrëse – erdhën dhe e mbushën qytetin me humorin e tyre të mirë, me kostumet e tyre shumëngjyrëshe dhe ritmet tona të jashtëzakonshme. Sheshi u bë bullgar, BMW Park u bë bullgar dhe të gjithë u bëmë një e tërë. Dëshmuam sërish se kur bullgarët mblidhen në shesh, nuk ka forcë më të madhe, emocion më të madh, dashuri dhe përkushtim më të madh ndaj Bullgarisë.”


“Në festival edhe këtë vit u mblodhën ansamble folklorike bullgare, shkolla dhe organizata nga shtete të ndryshme dhe u tregua se shpirti bullgar nuk njeh kufij”, deklaruan në Facebook nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABÇ). Në kuadër të forumit, institucioni dhuroi kostume tradicionale për 16 shkolla në Gjermani, që u prezantuan nga ekspertja Eli Basheva, eksperte kryesore.

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Bullgarisë në Mynih

Kështu, jashtë Bullgarisë – në qendër të Mynihut – mijëra bullgarë dëshmuan edhe një herë se sheshi nuk është thjesht një vend për valle, por një mënyrë për të qenë i lidhur me shtëpinë, edhe kur jeton mijëra kilometra larg saj. Dhe këtë herë, sipas traditës, pas përfundimit të festivalit, bashkatdhetarët tanë u nisën drejt vendeve të ndryshme që janë bërë shtëpia e tyre e dytë, me marrëveshjen që vitin e ardhshëm të kapen sërish dorë për dore në “Shesh”. Kjo do të ndodhë nga 11 deri më 13 korrik 2027 në Qipro, me mikpritës ansamblin folklorik “Sovatçii” nga Limasoli.


Intevrista e realizuar nga: Joan Kolev

Përpiloi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello