Autor
Diana Cankova
Artikull
Nga klasa e mësimit drejt së ardhmes:
Si STEM përgatit liderët e ardhshëm në teknologji?
Enjte 28 Maj 2026 07:00
Enjte, 28 Maj 2026, 07:00
FOTO: Shkolla Teknologjike "Sistemet Elektronike"
Madhësia e shkronjave
Bota që zhvillohet me shpejtësi nga ana teknologjike kërkon një qasje të re arsimore, e cila të pajisë brezin e ri me njohuri, aftësi dhe cilësi të përshtatshme me ndryshimin e kohës. Arsimi STEM – mbi bazën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, është një nga këto metoda bashkëkohore, që stimulon potencialin natyror të të rinjve përmes të mësuarit nëpërmjet zgjidhjes së problemeve.
Teknika dhe teknologjitë e reja janë diçka e natyrshme për brezin e tanishëm, por ai nuk duhet të ndihet i kërcënuar se dikush mund ta zëvendësojë, mendon doc. Dimitër Nikollov nga Universiteti Teknik në Sofje.
FOTO: tu-sofia.bg
“Shkollat, që kanë arsim STEM të specializuar, në fakt formojnë potencialin natyror që fëmijët zotërojnë – shton ai. – Ne duhet t’u japim atyre mundësinë që ky potencial të rritet përmes marrjes së një përgatitjeje serioze teknike, të lidhur me programimin, shkencat kompjuterike, sigurinë kibernetike, mikroelektronikën. Unë vetë jam përfaqësues i një institucioni të tillë – jap mësim në Shkollën Teknologjike “Sisteme Elektronike” me program mësimor të universitetit tonë, që kërkon nga nxënësit të shndërrojnë teorinë në praktikë.”
Doc. Dimitër Nikollov jep shembull me hakatonin, të cilin shkolla e organizon çdo vit. Në të ekipet duhet të përgatisin gjithçka – nga ideja deri te zgjidhja përfundimtare dhe ta realizojnë atë. Kështu vitin e kaluar fituesi krijon një bastun inteligjent, i cili përmes shikimit kompjuterik vëren pengesat në rrugë dhe paralajmëron personin me probleme shikimi që e përdor atë.
FOTO: Smart Bastoon
“Inovacionet tashmë nuk janë diçka larg në të ardhmen, ato janë këtu dhe tani dhe ndryshojnë jetën tonë dhe sektorë të tërë – thotë pedagogu. – Ne duhet sa më herët t’i mësojmë fëmijët tanë jo vetëm të punojnë me to, por edhe t’i krijojnë ato. Ideja e arsimit STEM është që ata të mund të zgjidhin vetë problemet dhe kur të përballen me diçka që nuk e kanë parë, të dinë qasjen se si të përballen me të panjohurën. Kjo aftësi është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe për mua është një nga mësimet themelore, që shkollat duhet t’ua mësojnë të rinjve për të ardhmen – të mund të përshtaten në çdo mjedis ku vendosen.”
Sektorët që do të përcaktojnë zhvillimin e teknologjive gjatë dekadës së ardhshme janë inteligjenca artificiale, elektronika, robotika, automatika, siguria kibernetike, bioteknologjitë.
FOTO: Unsplash
“Bullgaria ka një infrastrukturë dhe industri IT jashtëzakonisht të zhvilluar dhe është ndër vendet udhëheqëse në shkallë evropiane për numrin e specialistëve IT për frymë të popullsisë – deklaron doc. Dimitër Nikollov. – Përveç kësaj kemi tradita të jashtëzakonshme në robotikë, mekanikë, elektronikë, si dhe potencial të madh për zhvillim në këto fusha. Edhe më interesante është se në institucione të këtij lloji – po jap si shembull tonin, kemi shumë projekte të lidhura me biznesin. Për shembull CHIPS of Europe është i orientuar drejt brezit të ri, duke i treguar atij se në mikroelektronikë ka zhvillim jashtëzakonisht të madh. Është mirë të tërheqim gjithnjë e më shumë të rinj në këtë fushë, sepse gjatë 4 viteve të ardhshme, sipas të dhënave të Komisionit Evropian, në të do të mungojnë 300 mijë kuadro. Kjo është në fakt fusha, pa zhvillimin e së cilës nuk mund të përmirësojmë as robotikën, as sigurinë kibernetike, as inteligjencën artificiale.”
FOTO: Shkolla Teknologjike "Sistemet Elektronike"
Sipas pedagogut, vendi ynë gjatë viteve të fundit investon burime të mëdha në fushën e arsimit dhe shkencës, ndërsa institucionet u japin drejtim të mirë studentëve se cilën rrugë të ndjekin. Ai nxjerr si shembuj të mirë ndërtimin e qendrave të ekselencës, të një qendre kombëtare STEM, të qendrave të kompetencës, si dhe programe për mbështetjen e doktoraturave, në të cilat të rinjtë mund të përfshihen.
“Duhet të kalojmë drejt një ekonomie të vlerës së shtuar, por për këtë qëllim është e nevojshme të zhvillojmë potencial shkencor dhe teknik – thotë më tej doc. Dimitër Nikollov. – Në fakt për prosperitetin tonë si shtet zhvillimi i talenteve është një nga çështjet kyçe dhe në këtë drejtim po bëhen mjaft përpjekje për sigurimin e infrastrukturës së nevojshme, mundësive teknologjike dhe financiare. Natyrisht, jo gjithçka është lule dhe trëndafila, por në përgjithësi politika, e cila është e vazhdueshme nga shumë qeveri, është e orientuar për t’u dhënë horizont zhvillimi të rinjve në fusha aktuale.”
FOTO: Unsplash
Megjithatë, a ekziston një kalim i butë ndërmjet arsimit dhe zhvillimit të suksesshëm profesional të të diplomuarve dhe a është i hapur biznesi për ta?
“Kjo fazë ishte problematike për shumë vite dhe madje edhe tani ndërmjet 30 dhe 40 për qind e inxhinierëve të diplomuar nuk realizohen në fushën e tyre – përgjigjet doc. Dimitër Nikollov. – Njëkohësisht industria në tërësi fillon të hyjë gjithnjë e më aktivisht – të mbajë orë mësimore dhe të bëjë përpjekje që ky kalim i butë të ndodhë. Megjithatë kalimi i vërtetë ndodh jo kur nxënësi diplomohet, por në shkollë, në universitet. Biznesi duhet të jetë aty dhe i riu të mund të bisedojë për atë se çfarë mundësish dhe karriere qëndrojnë para tij.”
Arsimi nuk është qëllim në vetvete dhe të rinjtë bëhen gjithnjë e më pragmatikë, ndan në përfundim vëzhgimet e tij të drejtpërdrejta pedagogu. Sipas fjalëve të tij, specialistët e ardhshëm vijnë në një kurs të caktuar me pyetjen “Ku do të realizohem?”, sepse nuk duan të jenë të papunë me diplomë, por profesionistë të suksesshëm, që kontribuojnë për të mirën e gjithë shoqërisë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski