KULTURË

Artikull

Akademia Kombëtare e Muzikës feston 105‑vjetorin e saj

Mërkurë, 20 Maj 2026, 06:45

Akademia Kombëtare e Muzikës feston 105‑vjetorin e saj

FOTO: nma.bg

Madhësia e shkronjave

Një nga veprat më të dashura në repertorin operistik botëror – “Bohemët” e Giacomo Puccinit, do të prezantohet premierë më 20 dhe 21 maj në Teatrin Kombëtar Muzikor “Stefan Makedonski”. Shfaqja është koproduksion i teatrit dhe Akademisë Kombëtare të Muzikës “Prof. Panço Vladigerov” dhe shënon fillimin e aktiviteteve festive për 105‑vjetorin e themelimit të Akademisë Kombëtare të Muzikës – jubile që do të shënohet edhe gjatë vitit të ri akademik.

Orkestra Simfonike Akademike e Akademisë Kombëtare të Muzikës

FOTO: nma.bg

Regjisori është i njohuri Ognjan Draganov, i cili beson se përmes subjektit të Murger, Puccini ka zbuluar jetën e tij në Milano gjatë viteve studentore. Dirigjent është Dejan Pavllov, ndërsa skenografia dhe dizajni skenik janë të Penjo Pirozov. Në shfaqje merr pjesë Orkestra Simfonike Akademike e Akademisë Kombëtare të Muzikës. Opera është zgjedhur për shkak të mundësisë për të përfshirë rreth 70 artistë të rinj nga Fakulteti i Këndimit – nga viti i parë deri te studentët e masterit, specializantët dhe doktorantët.


Dejan Pavllov

FOTO: theatre.art.bg

“Përbërja është ndërkombëtare” – thotë Dejan Pavllov, “pasi vitet e fundit në Akademi studiojnë shumë studentë dhe doktorantë kinezë, disa prej të cilëve kanë përgatitje të shkëlqyer vokale dhe janë në një nivel shumë të lartë. Krijohet një ndërthurje interesante mes studentëve me kombësi të ndryshme, të cilët punojnë me sukses së bashku”.

“Për një pjesë të këngëtarëve kjo është shfaqje diplome dhe ajo që publiku do të shohë është një kurorëzim i gjithçkaje të arritur me ndihmën e pedagogëve të muzikës gjatë viteve. Sepse mësuesit e disiplinave të ndryshme, jo vetëm të atyre vokale, janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për rritjen artistike të të rinjve” – shton pedagogu i artit skenik, Ognjan Draganov.


Ognjan Draganov

FOTO: nma.bg

Shfaqja është pjesë e programit të edicionit të 26‑të të Festivalit Muzikor Evropian. Në bashkëpunim me Akademinë Kombëtare të Muzikës, në dy edicionet e mëparshme të festivalit janë prezantuar operetat “Vendi i buzëqeshjeve” nga Franz Lehár (2024) dhe “Helena e Bukur”nga Jacques Offenbach (2025).

 

Redaktoi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva