POLITIKË

Artikull

Opozita sulmon BP për shkak të ndryshimeve në rregulloren e parlamentit

Martë, 19 Maj 2026, 16:34

Opozita sulmon BP për shkak të ndryshimeve në rregulloren e parlamentit

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

“Bulgaria Progresive” (BP) propozoi ndryshime në rregulloren e Kuvendit Popullor të Bullgarisë, të cilat sipas opozitës kufizojnë kontrollin mbi qeverinë.

Një nga idetë parashikon që në të ashtuquajturën “ditë e opozitës” – e mërkura e parë e muajit, kur partitë opozitare përcaktojnë një pjesë të rendit të ditës – të mos mund të zhvillohen dëgjime të ministrave. Propozohet gjithashtu që komisionet parlamentare të përkohshme të krijohen vetëm me mbështetjen e të paktën 48 deputetëve, si dhe që ministrat të mund të shtyjnë pa kufizim përgjigjet ndaj pyetjeve të deputetëve.

Nga "Bullgaria Demokratike" i cilësuan propozimet si “të dëmshme dhe skandaloze”, duke thënë se kufizojnë të drejtat e opozitës “në një mënyrë që as GERB dhe DPS nuk e kanë lejuar ndonjëherë”.

Sipas Toma Bikov nga GERB, propozimet parashikojnë “shkurtimin e një sërë procedurash në procesin legjislativ, të cilat rrezikojnë ta shndërrojnë parlamentin në një vulë gome” të kryeministrit Rumen Radev.

Sipas Nikollaj Denkov nga “Po e vazhdojmë ndryshimin”, ndryshimet kufizojnë aksesin e opozitës në informacion nga institucionet shtetërore dhe pushteti lokal, heqin detyrimin e ministrave për të dhënë llogari para parlamentit dhe i japin kryetarit të parlamentit kontroll mbi rendin e ditës në seancë plenare dhe komisione. Sipas tij, kështu opozita humb mundësinë të sjellë temat e veta për diskutim.

“Propozimet tona lidhen me bërjen e debatit parlamentar më thelbësor, pa mundësi abuzimi me kohën dhe procedurat”, shpjegoi Dimitër Zdravkov në një konferencë për shtyp në parlament.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova