Artikull
21 maj festa e Shenjtorëve Konstantin dhe Elena, të barabartë me apostujt
Enjte 21 Maj 2026 05:54
Enjte, 21 Maj 2026, 05:54
FOTO: arkiv
Madhësia e shkronjave
Bëhet fjalë për perandorin e shenjtë Konstantin (306–337), të cilit Kisha i dha titullin “i barabartë me apostujt”, ndërsa historia botërore e njeh si Konstantin i Madh, si edhe për shenjtoren perandoreshë Elena, nëna e perandorit Konstantin.
Perandoresha Elena ishte e krishterë, ndërsa Konstantin, që më vonë do të bëhej sundimtar i të gjithë Perandorisë Romake, u edukua me respekt ndaj besimit të krishterë. Pas vdekjes së të atit, Konstanc Klori, në vitin 306, Konstantini u shpall nga ushtria perandor i Galisë dhe Britanisë.
Gjëja e parë që bëri perandori i ri ishte shpallja e lirisë së besimit të krishterë në territoret nën sundimin e tij. Pasi u bë sundimtar sovran i pjesës perëndimore të Perandorisë Romake, Konstantini nxori Ediktin e Milanos për tolerancën fetare në vitin 313, ndërsa në vitin 323, kur sundonte si perandori i vetëm i të gjithë Perandorisë Romake, e shtriu këtë edikt edhe në pjesën lindore të perandorisë. Pas treqind vjetësh përndjekjeje të të krishterëve, për herë të parë atyre iu dha mundësia ta shpallnin hapur besimin e tyre në Krishtin.
FOTO: BGNES
Perandori nuk mbeti në Romë – qendra e shtetit pagan – por e zhvendosi kryeqytetin në lindje, në qytetin Bizantion, i cili më pas u quajt Kostandinopojë. Konstantini ishte thellësisht i bindur se vetëm feja e krishterë mund ta bashkonte Perandorinë e madhe dhe shumëkombëshe Romake. Ai e mbështeti Kishën në çdo mënyrë, riktheu nga mërgimi të krishterët e dënuar për besimin e tyre, ndërtoi kisha dhe u kujdes për klerin.
Duke e nderuar thellësisht Kryqin e Zotit, perandori dëshironte të gjente vetë Kryqin Jetëdhënës, në të cilin ishte kryqëzuar Zoti ynë Jezu Krisht. Për këtë qëllim ai dërgoi nënën e tij, shën perandoreshë Elena, në Jerusalem, duke i dhënë asaj kompetenca të gjera. Së bashku me patrikun e Jerusalemit, Makarin, shën Elena e zbuloi Kryqin Jetëdhënës në vitin 326. Ajo urdhëroi që në të gjitha vendet e lidhura me jetën tokësore të Zotit dhe të Nënës së Tij të Tërëpastër të ngriheshin kisha të krishtera.
Kisha shkëmbore "Shenjtor Kostantin dhe Elena" në rezervatin Jajlata
FOTO: Radio Varna, Mariella Dimitrova
Vetë perandori Konstantin urdhëroi ndërtimin e një tempulli madhështor për nder të Ringjalljes së Krishtit mbi shpellën e Varrit të Shenjtë.
Shën Elena ia dorëzoi Kryqin Jetëdhënës patrikut për ruajtje, ndërsa një pjesë të Kryqit e mori me vete për t’ia paraqitur perandorit në Kostandinopojë, ku pak më vonë ndërroi jetë, në vitin 327. Për shkak të meritave të saj të mëdha ndaj Kishës dhe për veprën e saj në gjetjen e Kryqit Jetëdhënës, perandoresha Elena u quajt gjithashtu “e barabartë me apostujt”.
Me urdhër të perandorit, në vitin 325, në qytetin e Nikeas u mblodh Koncili i Parë Ekumenik. Në këtë koncil morën pjesë 318 peshkopë, ndër të cilët kishte shumë figura të shquara të Kishës, si Shën Nikolla i Mirës, dhe aty u hartua Simboli i Besimit.
Lexoni më shumë nga arkivi i Radio Bullgarisë:
- Nderojmë kujtimin dhe veprën e shenjtorëve Konstantin dhe Elena
- Nderojmë festën e Shën Konstantinit dhe Elenës
- Festa e valltarëve mbi prush
- Sot nestinarët festojnë Ditën e Shën Konstantinit
Përpiloi: Ekipi i Radio Bullgarisë me bashkëpunimin e Aleksandra Karamihalevës, kryeredaktore e “Gazetës Kishtare”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova