Artikull
Kremtojmë festën e madhe të krishterë të Ngjitjes së Zotit në Qiell
Sivjet bie më 21 maj, në Ditën e Shenjtorëve Konstandin dhe Elena”
Enjte 21 Maj 2026 06:21
Enjte, 21 Maj 2026, 06:21
FOTO: sveticarboris.net
Madhësia e shkronjave
Në ditën e dyzetë pas Ringjalljes së Tij, Zoti Jezu Krisht iu shfaq për herë të fundit nxënësve të Tij. Apostujt ishin mbledhur në lutje, kur Krishti u shfaq mes tyre, bisedoi me ta dhe i çoi pranë Jerusalemit, në Malin e Ullinjve. Mes tyre ishte edhe Hyjlindësja.
Pasi u ngjitën në mal, Krishti ngriti duart për t’i bekuar. Dhe ndërsa po i bekonte, u shkëput nga toka dhe, i mbështjellë nga një re, u ngrit gradualisht drejt qiellit, pranë Atit të Tij Qiellor, derisa u bë i padukshëm. Apostujt iu përkulën Zotit që po ngjitej në qiell dhe nuk mund t’i largonin sytë nga ajo pamje e mrekullueshme. Në atë çast, para tyre u shfaqën dy engjëj të veshur me të bardha, të cilët u thanë: “Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11), duke vërtetuar fjalët e Krishtit (Mateu 26:64) për Ardhjen e Tij të Dytë dhe Gjykimin e Përgjithshëm.
Të ngushëlluar nga engjëjt, apostujt u kthyen në Jerusalem me gëzim dhe me gatishmëri për të përhapur Fjalën e Ungjillit.
Festa e lavdishme e Ngjitjes së Zotit në Qiell kremtohet nga Kisha që prej shekujve IV-V dhe bën pjesë ndër festat e lëvizshme kishtare.
Përpiloi: Ekipi i Radio Bullgarisë me bashkëpunimin e Aleksandra Karamihalevës, kryeredaktore e “Gazetës Kishtare”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova