HISTORI

Artikull

Gjuha dhe besimi i bashkojnë bullgarët në Budapest më 24 maj

Dielë, 24 Maj 2026, 08:00

Gjuha dhe besimi i bashkojnë bullgarët në Budapest më 24 maj

FOTO: Darina Grigorova

Madhësia e shkronjave

Më shumë se një shekull më parë, bullgarë punëtorë sollën në Hungari fara perimesh, por bashkë me to mbollën edhe farën e fjalës dhe shpirtit bullgar. Fillimisht themeluan Shoqatën e tyre, e më pas hapën një fond për shkollë dhe kishë. Kështu, me mjete të veta, në vitin 1918 ndërtuan shkollën ku fëmijët e tyre të mësojnë shkrim e lexim bullgar, por edhe të njohin dhe të kujtojnë iluminuesit e parë të popullit bullgar, Kirill dhe Metodij.

Më pas, në vitin 1922, themeluan qendrën kulturore (çitalishten), e cila më vonë u shndërrua në Shtëpi Kulturore. Në fund, në vitin 1932, ndërtuan kishën ku të martoheshin dhe të pagëzonin fëmijët e tyre në besimin ortodoks. Si mbrojtës qiellorë zgjodhën vëllezërit Kirill dhe Metodij, të barabartë me apostujt, që të mbetet i gjallë shpirti bullgar dhe të japë edhe sot frytet e tij më të bukura.

Kisha "Shenjtorët Kirill dhe Metodij"

Kisha "Shenjtorët Kirill dhe Metodij"

FOTO: Darina Grigorova

Falë tre shtyllave – kishës, shoqatës dhe shkollës – në zemër të Evropës pesë breza bullgarësh e ruajnë rrënjën, gjuhën dhe besimin e tyre. Së fundmi, bashkatdhetarët tanë i kanë përjetësuar këto vlera edhe me tre çinarë, që të jetë e fortë dhe e shëndetshme rrënja e komunitetit edhe në të ardhmen. Ata i kanë mbjellë rreth kishës, si rojtarë të shpirtit – të bëjnë hije të dendur, por edhe të mbrojnë komunitetin tonë nga stuhitë.

“Çinari i parë është i besimit, i dyti i komunitetit, ndërsa i treti i dijes”, shpjegon Aleksi Andonov, kryetar i Këshillit Kishtar, në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë.

Themeluesit e Shoqatës Bullgare në Hungari

Themeluesit e Shoqatës Bullgare në Hungari

FOTO: Darina Grigorova

“Këtu, në Hungari, gjithmonë kemi qenë shumë të bashkuar, por kjo në një farë mënyre vjen edhe nga historia e të shpërngulurve nga dy fshatra fqinje në Bullgari – Polikraishte dhe Draganovo – pasardhës të kopshtarëve bullgarë. Festa jonë më e madhe është 24 maji dhe këtu, në oborrin e kishës, zakonisht mblidhen rreth 500 veta. Bëhet një festë e madhe dhe gjithmonë jemi së bashku – shoqata, kisha dhe shkolla. Shpresoj që kështu të jetë edhe në të ardhmen!”

Në kishë është ndarë një vend i veçantë për themeluesit e Shoqatës, komunitetit kishtar dhe shtëpisë së kulturës

Në kishë është ndarë një vend i veçantë për themeluesit e Shoqatës, komunitetit kishtar dhe shtëpisë së kulturës

FOTO: Darina Grigorova

Me besim në Zot dhe me sytë hapur drejt dijes, bashkatdhetarët tanë në Hungari e ruajnë shpirtin e komunitetit, ashtu siç i këshillonte kryetari i parë i Shoqatës Bullgare në Hungari – Llazar Ivanov.

Aleksi Andonov rikujton fjalët e tij, të cilat janë shndërruar në ligj për brezat që vijnë:

E ardhmja ndërtohet jo vetëm me kazmë, por me besim në Zot dhe me sy të hapur.”

Kur në fillim të shekullit XX kopshtarët bullgarë mbërritën në Hungari, ata sollën me vete punëtorinë, aftësitë bujqësore dhe shpresën për një jetë të sigurt. Në të njëjtën kohë, ata shpejt e kuptuan se për të mbijetuar si komunitet larg atdheut dhe për të ruajtur rrënjët e tyre, ishte e domosdoshme edhe ndriçimi shpirtëror.

“Përpiqemi që historia e tempullit të mos harrohet,” thotë Rumjana Ivanova nga këshilli kishtar, në një intervistë për podcastin e Radio Bullgarisë “Ura e besimit”.

Rumjana Ivanova

Rumjana Ivanova

FOTO: Darina Grigorova

“Përpiqemi bashkë me atin Tanço, tani edhe me kryetarin tonë të ri, Aleksi Andonov, të bëjmë diçka më shumë për këtë tempull, përmes të cilit t’i lidhim bullgarët, që të kujtojnë besimin tonë, kulturën dhe trashëgiminë. Kisha, shkolla dhe Shtëpia e Kulturës janë ndërtuar me mendimin që të jemi së bashku, përmes kulturës, arsimit dhe besimit, në këtë hapësirë që është e jona. Kjo formon një trekëndësh, për të cilin ne bullgarët jemi shumë krenarë. Mendoj se edhe njerëzit që vendosën të ndërtonin kishën, ashtu si edhe hungarezët që u përfshinë, me shumë dëshirë kanë dashur pikërisht këtë emër, sepse vëllezërit e shenjtë për ne janë krenaria jonë, historia jonë, gjithçka bullgare që kemi.”

Gjuha dhe besimi i bashkojnë bullgarët në Budapest më 24 maj

FOTO: Darina Grigorova

Pasi në vitin 1916 themeluan komunitetin kishtar me emrin e vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodij, dy vjet më vonë, në fund të Luftës së Parë Botërore, bashkatdhetarët tanë në Budapest hapën edhe një shkollë. Më pas ajo kaloi nën administrimin e shtetit bullgar, ndërsa në vitin 2011 Ministria e Arsimit mori vendim për ta mbyllur. Paralelisht me këtë, megjithatë, në vitin 2004, Vetëqeverisja Republikane Bullgare në Hungari themeloi Shkollën Bullgare për Gjuhën Amtare, ku edhe sot fëmijët me rrënjë bullgare vazhdojnë të mësojnë gjuhën e paraardhësve të tyre.

At Tanço Jançev me fëmijë nga shkolla bullgare

At Tanço Jançev me fëmijë nga shkolla bullgare

FOTO: bolgaregyesulet.hu

Në afërsi të kishës “Shën Kirill dhe Metodij” në Budapest është ndërtuar Qendra Bullgare Kulturore‑Arsimore, ku sot ndodhen shkolla dhe kopshti për gjuhën amtare.

Qendra Bullgare Kulturore‑Arsimore në Budapest

Qendra Bullgare Kulturore‑Arsimore në Budapest

FOTO: Facebook/bolgarorszagosonkormanyzat

Projekti u realizua me ndihmën aktive të Simeon Vargës, përfaqësues parlamentar i pakicës bullgare në parlamentin hungarez. Ai ka meritën kryesore në negociatat me shtetin hungarez dhe sigurimin e financimit të konsiderueshëm shtetëror për mirëmbajtjen e institucioneve bullgare.

Për ekipin e “Ura e besimit”, ai theksoi se pa shpirtin që bullgarët e mbajnë në zemër dhe pa besimin në Zot, kjo ëndërr bullgare nuk do të ishte realizuar.

“Ne duam t’ua përcjellim këtë fëmijëve tanë – që puna jonë të jetë shembull për ta. Detyra ime është të tërheq të rinjtë drejt veprimtarisë sonë, sepse dikush duhet të vazhdojë atë që ne kemi ndërtuar dhe ruajtur nga stërgjyshërit tanë. Prandaj duhet t’i afroj të rinjtë pranë nesh, pranë kishës, pranë punës sonë për ruajtjen e kulturës sonë këtu në Hungari. Ne do t’ia dorëzojmë brezit të ri, ashtu siç ka qenë edhe në të kaluarën, gjithçka që kemi ndërtuar – që të ruhet dhe të zhvillohet, sepse pa zhvillim dhe mbështetje financiare këto gjëra humbasin shumë shpejt.”

Simeon Varga me pasardhësen e kopshtarëve, Krasimira Kucarova, midis dy çinarëve të mbjellë

Simeon Varga me pasardhësen e kopshtarëve, Krasimira Kucarova, midis dy çinarëve të mbjellë

FOTO: Darina Grigorova

Ashtu si çdo vit, më 24 maj, tempulli dhe hapësira përreth tij mbushen me bashkatdhetarët tanë. Distanca mes Bullgarisë dhe Hungarisë zhduket dhe të gjithë këndojnë “me një zemër dhe një gojë” festën e iluminuesve bullgarë:

At Tanço Jançev

At Tanço Jançev

FOTO: Darina Grigorova

“Gjatë tërë ditës, nga mëngjesi deri në mbrëmje, ka një rrjedhë të vazhdueshme besimtarësh që vijnë të ndezin një qiri për vëllezërit e shenjtë Kirill dhe Metodij,” thotë kryeprifti i tempullit, ekonomi stavrofor Tanço Jançev.

“Këtu zhvillohet edhe një tubim. Ne shërbejmë Liturgjinë e Shenjtë dhe më pas besimtarët, që vijnë me ndonjë dhimbje ose me ndonjë lutje, i drejtohen priftit për bekim.”

Gjuha dhe besimi i bashkojnë bullgarët në Budapest më 24 maj

FOTO: Darina Grigorova

Në fund të vitit 2025, gjatë një ceremonie shtetërore zyrtare në Budapest, at Tanço Jançev mori çmimin prestigjioz “Çmimi për pakicat kombëtare”, i dhënë në emër të kryeministrit të Hungarisë.

Ky nderim iu akordua Kishës Ortodokse Bullgare në Hungari si njohje për rolin e saj historik në ruajtjen e gjuhës amtare, trashëgimisë ortodokse dhe kulturore të komunitetit bullgar.

Mësoni më shumë për bullgarët në Hungari nga koleksioni i pasur i Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva

Foto: Darina Grigorova, Facebook/bolgarorszagosonkormanyzat, bolgaregyesulet.hu