Artikull
Ministri i Mbrojtjes:
Konflikti në Ukrainë nuk do të zgjidhet në fushën e betejës
Enjte 21 Maj 2026 17:34
Enjte, 21 Maj 2026, 17:34
FOTO: mod.bg
Madhësia e shkronjave
Bullgaria dhe Mbretëria e Bashkuar po
forcojnë bashkëpunimin industrial në fushën e mbrojtjes. Këtë e njoftoi sot
Ministria e Mbrojtjes pas takimit të Ministrit të Mbrojtjes, Dimitër Stojanov,
me Stephen Doughty, Ministër për Evropën, Amerikën e Veriut dhe territoret
përtej detit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Bashkësisë Britanike dhe
Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar. “Mbretëria e Bashkuar është një aleat i
rëndësishëm i Bullgarisë në NATO dhe një partner kyç ynë në Evropë. Ne kemi
mundësi të shkëlqyera për bashkëpunim si në fushën e mbrojtjes dhe përgatitjes,
ashtu edhe në linjën e bashkëpunimit industrial”, tha Stojanov. Ai theksoi se
ndërmarrjet bullgare të mbrojtjes punojnë me sukses me kompani britanike dhe se
ekziston potencial i konsiderueshëm për zgjerimin e partneritetit. Sipas tij,
industria bullgare e mbrojtjes është në proces modernizimi të përshpejtuar dhe
po integrohet gjithnjë e më aktivisht me standardet e NATO-s.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Stojanov deklaroi: “Ne jemi të bindur se konflikti nuk do të zgjidhet në fushën e betejës. Po shohim se gjithnjë e më shumë krerë shtetesh nga BE-ja po fillojnë të flasin për uljen në tryezën e negociatave. Duhet të mendojmë për njerëzit në front, sepse këto janë fate njerëzore.” Nga ana e tij, Ministri Doughty vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar gjithashtu mbështet përpjekjet diplomatike, por deri tani Rusia vazhdon të përshkallëzojë sulmet e saj kundër Ukrainës.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva