Artikull
Bullgaria mbetet ndër vendet me papunësinë më të ulët në BE
Premte 22 Maj 2026 12:26
Premte, 22 Maj 2026, 12:26
FOTO: BNR
Madhësia e shkronjave
Papunësia në Bullgari ra në 3,2% në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe u ul me 0,7 pikë përqindje në bazë vjetore, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave. Sipas Eurostat-it, papunësia në BE është 5,9%, ndërsa në eurozonë 6,2%.
Vendi është ndër shtetet ku problemi nuk është më mungesa e vendeve të punës, por mungesa e punëtorëve të kualifikuar për pozicionet e lira. Të papunët afatgjatë, mbi një vit, përbëjnë 43% të rreth 96 000 personave të regjistruar.
Janë të punësuar mbi 2,96 milionë bullgarë, ku 67,9% punojnë në sektorin e shërbimeve, ndërsa gati tre të katërtat në sektorin privat.
Rreth 27% e popullsisë në moshë pune, ose rreth 1 milion persona, nuk punojnë. Prej tyre, rreth 600 000 nuk janë në arsim. Te personat me arsim të lartë papunësia është 1,1%, te ata me arsim të mesëm 3,2%, ndërsa te personat me arsim fillor ose më të ulët 13,5%. Papunësia tek të rinjtë e moshës 15–29 vjeç është 7,2%.
Më shumë vende të lira pune ka në tregti, hotele dhe restorante, administratë, logjistikë, transport, sektorin e IT-së dhe ndërtim.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova