SHOQËRI

Seksion

Shoqata "Bullgaria" organizon paradë për 24 Majin në qendër të Romës

Shtunë, 23 Maj 2026, 09:15

Shoqata "Bullgaria" organizon paradë për 24 Majin në qendër të Romës

FOTO: Shoqata "Bullgaria" në Romë

Madhësia e shkronjave

Më 24 maj, sheshi “Republika” në Romë do të shndërrohet në një skenë e shpirtit, gjuhës dhe traditës bullgare. Mes zhurmës së turistëve, shatërvanëve dhe rrugëve romake do të dëgjohen këngë bullgare, do të kërcehet valle bullgare dhe flamuri trengjyrësh do të kujtojë se larg atdheut komuniteti bullgar vazhdon të ruajë rrënjët e tij. Rasti është Dita e Shenjtorëve vëllezër Kirill dhe Metodij, e alfabetit sllav, arsimit dhe kulturës bullgare, ndërsa këtë vit festa përkon edhe me 25-vjetorin e krijimit të Shoqatës “Bullgaria” në Romë.


“Prej 25 vitesh pothuajse çdo vit organizojmë manifestime – ose për 3 Marsin, ose për 24 Majin”, tregon kryetari i organizatës Marian Rusinov në një intervistë për Radio Bullgarinë. Sipas tij, programi jubilar do të jetë një lloj rrëfimi për historinë e organizatës bullgare në kryeqytetin italian, ku do të marrin pjesë aktivistë të shoqatës me muzikë, kërcime dhe poezi.

FOTO: Facebook /Marian Rusinov

Në programin festiv do të marrin pjesë grupi i valleve “Ahinora”, nxënës të Shkollës Bullgare të së Dielës “ABAGAR”, grupe këngëtarësh dhe të ftuar nga organizata të ndryshme bullgare. Janë planifikuar recitime poezish, mesazhe përshëndetëse nga institucione në Bullgari dhe Itali, si dhe interpretime nga fëmijë të lindur ose rritur larg Bullgarisë, por që kanë ruajtur gjuhën dhe traditat e prindërve të tyre.


“Do të kërcejmë, do të festojmë, do të këndojmë”, thotë Rusinov. Fundi i programit, sipas traditës, do të shënohet me himnin bullgar dhe një valle të përbashkët në shesh – një gjest simbolik që çdo vit mbledh bullgarë nga breza të ndryshëm në Qytetin e Përjetshëm.

Sheshi Republika

FOTO: turismoroma.it

Manifestimi nuk kalon pa u vënë re edhe nga romakët. Sheshi “Republika” është një nga vendet më të gjalla në qendër të kryeqytetit italian dhe kalimtarë të rastësishëm shpesh ndalojnë, të tërhequr nga muzika dhe ngjyrat e festës bullgare. “Shumë njerëz ndalojnë, impresionohen dhe madje bashkohen edhe në vallen tonë”, tregon kryetari i shoqatës Marian Rusinov në një intervistë për Radio Bullgarinë. Sipas tij, pikërisht në këto momente kultura bullgare shndërrohet në një urë natyrore mes njerëzve.


Sot organizata ka lënë pas vetes një çerek shekulli histori, por fillimi nuk ka qenë i lehtë. Në vitet e para pas krijimit të saj, komuniteti bullgar në Itali jetonte në një realitet krejt ndryshe – pa rrjete sociale, pa lidhje kompakte me atdheun dhe pa qasje të shpejtë në informacion.

FOTO: Shoqata "Bullgaria" në Romë

“Atëherë ne ishim mjeti i komunikimit”, kujton Marian Rusinov. Ftesat për takime shpërndaheshin me fletushka në stacionet e autobusëve dhe në vendet ku mblidheshin bullgarët gjatë fundjavave. Në këto takime njerëzit jo vetëm festonin së bashku, por ndihmonin njëri-tjetrin me informacione për punë, banim ose çështje administrative. “Në këtë mënyrë arrinim të ruanim lidhjen mes nesh dhe rrënjët tona”, thotë Rusinov.


Një simbolikë të veçantë mbart edhe fakti që festa e 24 Majit festohet pikërisht në Romë – qyteti ku në bazilikën Basilica di San Clemente ndodhen eshtrat e Shën Kirillit Filozof. Për bullgarët atje kjo nuk është thjesht një lidhje historike, por pjesë e identitetit të tyre personal.


“Qytetarët bullgarë këtu krenohen me këtë”, thekson Marian Rusinov. Ai tregon se shumë italianë mbeten të habitur kur mësojnë sa e thellë është lidhja mes Bullgarisë, shkrimit sllav dhe Romës.

FOTO: Shoqata "Bullgaria" në Romë

Për Marian Rusinov, i cili jeton prej më shumë se tre dekadash në Itali, 24 Maji mbetet mbi të gjitha festa e shkronjave, që e kthen drejtpërdrejt në vitet e shkollës në atdhe:


“Në kujtimet e mia kanë mbetur manifestimet dhe fanfarat që organizonim çdo vit në shkollë”, kujton ai.


Edhe këtë vit këto kujtime të dashura do të ringjallen sërish në sheshin romak “Republika”, më 24 maj, ku në orën 10:00 sipas kohës lokale, gjuha dhe tradita bullgare do të mbledhin përsëri bashkatdhetarët tanë – larg atdheut, por pranë rrënjëve të tyre.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello