SHOQËRI

Artikull

Muzikantë bullgarë prezantojnë klasikën në Beverli Hills për 24 maj

“Ky koncert në Galerinë Steinway është jashtëzakonisht prestigjioz. Salla na vihet në dispozicion falas për shkak të cilësisë së projektit” – ndan violinistja Bllagomira Lipari

Dielë, 24 Maj 2026, 06:00

Muzikantë bullgarë prezantojnë klasikën në Beverli Hills për 24 maj

FOTO: Galeria Steinway

Madhësia e shkronjave

“Perlat e Muzikës së Dhomës Bullgare” – koncert i kushtuar 24 majit, organizon në Beverli Hills fondacioni “Koncerte klasike bullgare – Los Anxhelos”. Veprimtaria në Galerinë “Steinway” (Steinway Piano Galleries of Beverly Hills and Pasadena) – showroom-i i vetëm i markës së famshme të pianove në rajonin e Los Anxhelosit, është planifikuar për 28 maj dhe është një paraqitje e përbashkët e dy nismave të mëdha bullgare: asaj nga Los Anxhelosi dhe “Mbrëmjet bullgare të koncerteve në Nju Jork” (Bulgarian Concert Evenings in New York). Ideja për partneritet me muzikantët bullgarë nga Nju Jorku është e violinistes Bllagomira Lipari, e cila fton kolegët e saj – pianisten Llora Çekoratova dhe violinistin Georgi Vëllçev. Veçanërisht për Radio Bullgarinë, Bllagomira ndan hollësi për ngjarjen:

Bllagomira Lipari

FOTO: Arkiv personal

“Ky është një koncert jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bullgarinë dhe për muzikën bullgare. Dhe mendoj se nga ana e Steinway Piano Gallery në Beverli Hills, ku do të jetë koncerti, po tregohet respekt i madh ndaj kompozitorëve bullgarë, muzikës klasike dhe talentit. Jemi një ekip shumë i fortë autorësh dhe interpretuesish dhe jemi shumë të emocionuar që do të kemi mundësinë të tregojmë disa nga talentet më të mira bullgare në ‘Steinway’. Llora dhe Georgi janë kolegë dhe miq prej shumë vitesh, ndërsa Penka Kuneva është partnerja ime këtu, në Los Anxhelos. Ideja ishte të lidhim të dy organizatat, t’i japim dorën njëra-tjetrës për bashkëpunime të ardhshme me muzikantë nga Nju Jorku, të cilët janë në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe janë shumë të respektuar.”

Ariana Solotoff

FOTO: Facebook/ Ariana Solotoff

Për herë të parë në historinë e Galerisë Steinway, në skenën e saj prezantohet një program njëorësh, tërësisht bullgar, në të cilin merr pjesë edhe një amerikane – violistja Ariana Solotoff. Llora Çekoratova dhe Georgi Vëllçev do të luajnë për herë të parë në Los Anxhelos, ndërsa Bllagomira Lipari gëzohet shumë që do t’i shohë, sepse i njeh që nga Shkolla e Muzikës në Sofje. Vetë ajo ka jetuar në Nju Jork midis viteve 2016 dhe 2018 dhe ka marrë pjesë aktivisht në organizatën e Çekoratovës, ka luajtur në koncerte në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Bullgarisë dhe në Carnegie Hall.

Llora Çekoratova dhe Georgi Vëllçev

FOTO: “Koncerte klasike bullgare – Los Anxhelos”

Data 28 maj në Beverli Hills vendos fillimin e një bashkëpunimi të mrekullueshëm midis Nju Jorkut dhe Los Anxhelosit – dy kryeqytetet e mëdha kulturore të SHBA-së, ku punojnë talente të jashtëzakonshme muzikore bullgare. Është e rëndësishme që të dy projektet të vazhdojnë veprimtarinë e tyre, e ndoshta madje të bashkohen dhe të përfshijnë pjesëmarrës të tjerë nga e gjithë Amerika. Zonja Lipari ndan:

FOTO: Galeria Steinway

“Me të vërtetë kjo është pjesë e vizionit tim si organizatore – të lidhim talentet bullgare nga pika të ndryshme. Në Nju Jork ka muzikantë bullgarë jashtëzakonisht të mirë dhe kjo është ideja fillestare e ‘Koncerteve klasike bullgare’ në Los Anxhelos: të bëjmë projekte novatore së bashku, të tregojmë sa kompozime unike kemi, melodi, ritme, motive... Muzika jonë vlerësohet dhe pëlqehet shumë nga njerëz që nuk janë bullgarë, nga të huaj, nga amerikanë. Ky koncert në Steinway është jashtëzakonisht prestigjioz. Salla na jepet falas, sepse panë cilësinë e projektit. Dhe shpresoj që prej këtej të hapen edhe më shumë dyer për muzikën klasike bullgare në SHBA dhe të vazhdojmë së bashku misionin tonë: t’i tregojmë botës çfarë pasurie zotërojmë.”

Urimi i violinistes së njohur bullgare për audiencën shumëfaqëshe dhe shumëgjuhëshe të Radio Bullgarisë posaçërisht për 24 majin – festën e shkrimit dhe kulturës bullgare:

“Së pari – të gjithë të jenë gjallë e shëndoshë! Shumë suksese! Dhe uroj që të gjithë të vizitojnë Bullgarinë dhe të njihen me bukurinë e saj, me kulturën e saj, historinë e pasur, të dinë më shumë për vendin tonë dhe ta duan atë... Duajeni Bullgarinë dhe shpirtin bullgar! Kur jemi jashtë vendit, e vlerësojmë sa të rëndësishme janë spiritualiteti ynë, traditat tona... dhe sa shumë njerëzore ka në to – bukuri dhe thellësi, pasuri shpirtërore.”


Përgatiti në shqip: Sindi NIkollofski