SHOQËRI

Seksion

Mësim për Bullgarinë

Mësim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Azbukarçeta” nga Spanja

Hënë, 25 Maj 2026, 07:00

Mësim me Shkollën Bullgare të së Dielës “Azbukarçeta” nga Spanja

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Madhësia e shkronjave

Ka shumë mënyra për të mësuar më shumë për Bullgarinë kur je larg saj. Por pa dyshim, një nga rrugët më të këndshme dhe më të sigurta që ajo të arrijë në zemër, është kur njeriu prek kulturën dhe artin e saj. Të zbusësh gjuhën bullgare dhe ta lejosh atë të të udhëheqë përmes bukurisë së pafund të këtij shteti të vogël, por të lavdishëm ballkanik – nga veprat letrare, muzika dhe vallet, përmes mrekullive dhe bukurive natyrore, deri te thellësia e shpirtit bullgar dhe mikpritja e tij. Pikërisht këtë rrugë drejt atdheut zgjedh edhe Llatinka Hinkova në vitin 2012 në qytetin spanjoll Torejón de Ardoz, i vendosur rreth 20 km nga kryeqyteti Madrid. Së bashku me bashkëpunëtorët e saj, mësuesja themelon Shoqatën Kulturore-Arsimore të Bullgarëve dhe Artistëve “Treboll”, ndërsa po atë vit pranë saj fillon të funksionojë edhe shkolla e së dielës “Azbukarçeta” në Torejón de Ardoz, me një qendër të dytë mësimore në Madrid. Qëllimi atëherë dhe sot mbetet i njëjtë – të ruhet identiteti bullgar, traditat dhe zakonet në zemrat e fëmijëve tanë, të lindur dhe rritur në Spanjë.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

“Shkolla është pjesë e veprimtarisë arsimore dhe kulturore të Shoqatës dhe ideja ishte t’i afronim fëmijët me krijues arti nga Bullgaria – piktorë, shkrimtarë, këngëtarë dhe ansamble folklorike, në mënyrë që ata të ndihen, edhe pse larg Bullgarisë, pranë saj përmes kulturës sonë dhe personaliteteve që punojnë në fushën e kulturës dhe artit.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Prej tashmë 14 vitesh, ekipi i Shkollës Bullgare të së Dielës “Azbukarçeta” u mëson leximin dhe shkrimin, vallet dhe muzikën qindra fëmijëve bullgarë nga klasa I-rë deri në klasën e XII-të. Nga afër dhe larg vijnë edhe fëmijë të moshës 4 deri në 7 vjeç në grupin e posaçëm përgatitor pranë shkollës. Gjatë këtij viti shkollor ata janë 102, ndërsa Llatinka Hinkova vëren me keqardhje të dukshme se kohët e fundit nuk ka më një fluks të madh fëmijësh, siç ndodhte disa vite më parë.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

“Shumë bullgarë, të paktën kjo është përshtypja ime, u kthyen në Bullgari. Arsyet janë socio-ekonomike. Jeta në gjithë Evropën, jo vetëm në Spanjë, është e vështirë. E tillë nuk është vetëm në Bullgari, megjithëse shumë shpesh dëgjojmë bashkatdhetarët tanë të flasin sa vështirë është në Bullgari, sa i lartë është inflacioni e kështu me radhë. Edhe jeta në Spanjë kohët e fundit nuk është aq e lehtë. Dhe unë mendoj se ne bullgarët jemi përsëri në kërkim të një jete më të mirë dhe ku do të mund ta gjenim tani – në atdhe. Të paktën kështu mendoj unë.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Drejtoresha pranon se, megjithëse ka jetuar 25 vjet në Spanjën me diell, gjëja që e pengon të marrë rrugën e kthimit drejt shtëpisë është pikërisht shkolla bullgare e së dielës.

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

“Ajo vazhdon të jetë ky stimul për mua – prej 25 vitesh jeta ime është ndërtuar mbi veprimtarinë time si mësuese. Kam filluar të punoj shumë kohë më parë, në vitet 2002–2003, në shkollën e parë bullgare të së dielës ‘Shën Ivan Rillski’ në Madrid – isha një nga mësueset e para atje. Dhe kur fëmijët e mi u rritën pak, unë krijova shkollën në Torejón de Ardoz pikërisht për këtë arsye – komunitetin bullgar dhe lidhjen time me Bullgarinë. Por unë kam punuar si mësuese edhe 10 vjet në Bullgari – ky është profesioni im, të cilin adhuroj ta ushtroj. Shkolla është stimuli im.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Festivali “E dua Bullgarinë” përcaktoi edhe kohën e udhëtimit të dyzet “Azbukarçetave” në Bullgari gjatë vitit 2025 – këtë herë me mbështetjen e Programit Kombëtar “Rrugë Arsimore” të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.


Itinerari i tyre iu kushtua kryeqyteteve të vjetra të Bullgarisë, ndërsa ata vetë e quajtën “Njihe Bullgarinë, që ta duash”. Emocionet, kujtimet dhe përshtypjet nga ky udhëtim ata i ndanë me Radio Bullgarinë, duke u përfshirë në nismën tonë “Mësim për Bullgarinë”. Zhytuni edhe ju në këtë aventurë – përmes videos që ju ofrojmë:

Në ekskursionin drejt Bullgarisë të “Azbukarçeta” gjatë vitit 2025 morën pjesë edhe nxënësit më të vegjël të shkollës:


“U argëtuan jashtëzakonisht shumë dhe mendoj se rezultati është i dukshëm. Edhe sot, kur bëjmë prezantime në histori ose letërsi, ata kujtojnë dhe thonë – ah, atje kemi qenë. E dini, për ne mësuesit ky udhëtim ishte një kënaqësi e madhe, ndërsa për fëmijët – emocion, një përjetim i jashtëzakonshëm. Shumë prej tyre e ndiejnë Bullgarinë vetëm kur vizitojnë këto vende. Kur u ngjitën në majën Shipka, ndjesia ishte ndryshe. Kur ishim në Pliska, në Presllav, nëpër pallatet mbretërore… Për ne është vërtet një kënaqësi e madhe, sepse i shohim fëmijët të lumtur dhe të integruar.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Ja edhe përshtypjet e disa prej tyre:


“Këtë verë bëmë një ekskursion të paharrueshëm në disa nga qytetet më të vjetra dhe më të bukura të Bullgarisë – Pliska, Presllav, Veliko Tërnovo, Shumen, Madara, Varna dhe Starosell. Ishte një përjetim i mbushur me histori, kulturë dhe miqësi, që na lejoi të udhëtonim pas në kohë dhe të zbulonim rrënjët e qytetërimit dhe popullit bullgar.”


“Ekskursioni ynë filloi nga Veliko Tërnovo – qyteti i mbretërve. U ngjitëm nëpër rrugët me kalldrëm deri te kalaja ‘Carevec’, prej nga shijuam një pamje panoramike të mrekullueshme.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

“Një nga momentet më interesante ishte takimi ynë me arkeologun Prof. Asoc. Valeri Grigorov në vendin e gërmimeve të reja pranë pallatit në Pliska.”


“Ekskursioni në Bullgari më pëlqeu shumë për disa arsye – vizituam vende dhe monumente kulture që më lanë mbresa dhe që nuk i kisha parë kurrë më parë. Kalova më shumë kohë me shokët e klasës, të cilët e bënë ekskursionin më të këndshëm.”


“Me shumë dëshirë do të kthehesha te emocionet dhe momentet e mrekullueshme të këtij udhëtimi të paharrueshëm.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

“Unë e shoh Bullgarinë përmes syve të tyre, sepse gjithmonë kam menduar se jam pjesë e tyre – na tregoi edhe drejtoresha Llatinka Hinkova. – Në të njëjtën mënyrë admiroja atë që ata shihnin. Në të njëjtën mënyrë ndihesha krenare që ne ishim në Bullgari, që ata ishin atje, që unë dhe kolegët e mi ishim bashkë me ta. Kur u kthyem nga ekskursioni, u thashë prindërve se me këta fëmijë do të shkoja deri në fund të botës! Sepse ata tregonin interes për çdo detaj të vendeve që vizitonim. Ndjesia është e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.”

FOTO: Shkolla Bullgare e së Dielës “Azbukarçeta”

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello