Autor
Daniella Goleminova
Artikull
Festë e shpirtit dhe kulturës bullgare në Komisionin Evropian në Bruksel
Martë 26 Maj 2026 20:00
Martë, 26 Maj 2026, 20:00
FOTO: Daniella Goleminova
Madhësia e shkronjave
Në prag të 24 majit – Ditës së alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare, pamja e Bullgarisë, e historisë bullgare, alfabetit dhe shkrimit mori jetë në Komisionin Evropian falë fëmijëve nga seksioni bullgar në Shkollën Evropiane “Bruksel – 4”, të cilët paraqitën një program të pasur me këngë dhe poezi, kushtuar festës më bullgare. Publiku ishte ndërkombëtar. Dhe siç e do tradita, festa filloi me himnin e arsimit bullgar “Ec, popull i rilindur”.
Gjatë festës të gjithë nxënësit nga seksioni bullgar në Shkollën Evropiane në Bruksel ishin shumë të emocionuar, por njëkohësisht edhe krenarë për faktin se përfaqësojnë Bullgarinë dhe kulturën e saj të pasur në “zemrën e Evropës”.
“Për mua 24 maji është një festë shumë e veçantë, pasi festojmë krijimin e alfabetit nga vëllezërit e shenjtë Kirilli dhe Metodij. Gëzohem shumë që jam këtu në Komisionin Evropian dhe mund të festoj me njerëz të tjerë. Këtu ka shumë të huaj, gjë që është edhe më emocionuese, sepse mund t’u tregojmë atyre sa e rëndësishme është kjo festë për ne”, ndau Nija Lesinska, nxënëse në seksionin bullgar të Shkollës Evropiane.
FOTO: Daniella Goleminova
“Jam shumë krenare që e quaj veten bullgare. Alfabeti është pjesë e identitetit tonë. Është e rëndësishme të festojmë dhe të ndajmë me njerëzit e tjerë këtu, disa prej të cilëve nuk janë bullgarë, ndjenjën tonë të krenarisë. Ne jemi një nga shtetet në BE që kanë alfabetin e tyre”, kujtoi nxënësja Maria Tomova.
“Kam fatin dhe nderin të studioj shumë lëndë në gjuhën bullgare. Në këtë mënyrë unë vërtet ruaj pasurinë e quajtur gjuha bullgare. Për mua 24 maji është një festë e jashtëzakonshme, festa më bullgare. Festojmë veprën e vëllezërve të shenjtë Kirilli dhe Metodij. E di që alfabeti bullgar – kirilikja, është një nga tre alfabetet zyrtare në Bashkimin Evropian së bashku me alfabetin latin dhe grek. Që nga viti 2007 ky është një nder i madh për ne”, tha nxënësi Kallojan Kuzmanov.
FOTO: Daniella Goleminova
“24 maji është një ditë e madhe për ne bullgarët, sepse festojmë alfabetin bullgar, arsimin dhe kulturën. Vërtet jam krenar që jam bullgar”, deklaroi Damjan Petrov, nxënës i Shkollës Evropiane.
Festa ishte emocionuese jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit e tyre, të cilët çdo ditë bëjnë përpjekje që gjuha bullgare të ruhet dhe fëmijët ta njohin mirë gjuhën e tyre amtare, megjithëse jetojnë mijëra kilometra larg Bullgarisë dhe rriten në një mjedis shumëgjuhësh. Galina Dimitrova është një nga mësueset afatgjata të gjuhës dhe letërsisë bullgare për nxënësit e shkollës së mesme në Shkollën Evropiane në Bruksel.
FOTO: BTA
“Atmosfera është jashtëzakonisht festive, sidomos kur njeriu është jashtë vendit, kur është larg hapësirës amtare kjo festë ndihet edhe më thellë, sepse ajo është lidhja me shpirtëroren, lidhja me rrënjët tona. Çdo vit ne organizojmë kremtim festiv të kësaj dite në Shkollën Evropiane. Jemi shumë të lumtur që kemi këtë mundësi, sepse kjo është një shkollë shumëgjuhëshe. Aty studiojnë përfaqësues të më shumë se 12 gjuhëve dhe mes tyre është edhe gjuha bullgare. Ne kemi seksion të gjuhës bullgare. Sot në koncert fëmijët interpretuan poezi nga Ivan Vazov, Ran Bosilek dhe Dora Gabe. Mori jetë pamja e Bullgarisë. Mori jetë historia bullgare, krijimi i alfabetit. E gjithë dita është festive. Ky është vërtet një përjetim unik. Sot ne patëm edhe një punishte të veçantë krijuese. Fëmijët patën mundësinë të shkruajnë emrat e tyre me glagolicë, të shohin zhvillimin historik të alfabeteve. Më pas pati festime me lojëra të organizuara dhe kuize. Ky është vetëm kulmi i festës, ndërsa gjatë gjithë vitit punohet për ruajtjen e shpirtit bullgar. Studiojmë autorë bullgarë, mësojmë këngë bullgare, recitohen poezi bullgare. Madje sot fëmijët ringjallën një vepër të Konstantin Presllavskit nga shekulli i 9-të “Lutja alfabetike”.”
FOTO: BTA
“Njeriut i rrënqethet trupi kur dëgjon se si përmes 12 shekujve në kohë, në aq shumë kilometra larg atdheut, këto fjalë marrin jetë, duke ruajtur forcën dhe energjinë e tyre shpirtërore edhe sot”, tha mësuesja Galina Dimitrova.
Eurokomisarja bullgare Ekaterina Zaharieva, e cila ishte mikpritëse e ceremonisë festive, drejtoi një urim të veçantë për festën ndaj fëmijëve, prindërve dhe mësuesve të tyre dhe theksoi sa i rëndësishëm është roli i gjuhës, e cila na ka ruajtur si popull gjatë shekujve.
FOTO: BTA
“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse ndaj fëmijëve nga seksioni bullgar në Shkollën Evropiane në Bruksel, të cilët na paraqitën një program të mrekullueshëm. Falënderoj gjithashtu mësuesit dhe prindërit e tyre. U bë një festë e mrekullueshme. Besoj sinqerisht se gjuha është ajo që na ka ruajtur si kulturë, si histori dhe si komb. Shpresoj shumë që në kohët e teknologjive të larta, në kohët kur fëmijët kryesisht mbajnë pajisje elektronike në duar, të vazhdojmë ta ruajmë gjuhën bullgare, ta mbrojmë dhe ta flasim pavarësisht se ku ndodhemi në botë, sepse përveçse na dallon, ajo edhe na bashkon. Ne jemi të mrekullueshëm dhe mund të bëjmë gjithçka atëherë kur besojmë në veten tonë dhe kur jemi të bashkuar”, tha eurokomisarja bullgare Ekaterina Zaharieva.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski