Artikull
Krijues me origjinë bullgare në Turqi prezantojnë ekspozitë në BNR
Ekspozita shënon 70-vjetorin e redaksisë “Humor dhe Satirë”
Martë 26 Maj 2026 18:05
Martë, 26 Maj 2026, 18:05
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Një ekspozitë me karikatura me vepra të 20 krijuesve turq me rrënjë nga Bullgaria shënon 70-vjetorin e krijimit të redaksisë “Humor dhe Satirë” të programit “Hristo Botev” të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Mes piktorëve ka si të lindur në Bullgari, ashtu edhe pasardhës të emigrantëve bullgarë që sot jetojnë dhe punojnë në Turqi. Ideja e ekspozitës i përket Halit Kurtullmushit, i lindur në Ajtos, ish-nxënës i Shkollës së Mesme Kombëtare të Arteve në Sliven, i cili sot jeton dhe krijon në Bursa, raportoi gazetarja Svetosllava Kuzmanova nga BNR.
Halit Kurtullmush, Milen Mitev, Kin Stojanov dhe Vesell Cankov (nga e majta në të djathtë)
FOTO: Ani Petrova
Sipas Kurtullmushit, karikaturat e ekspozuara janë me temë të lirë. “Nuk kishim një koncept të përcaktuar. U kërkuam atyre karikatura që i paraqesin më mirë nga ana krijuese. Ata pranuan me shumë emocion dhe me shumë kënaqësi. Jo të gjithë janë karikaturistë. Disa prej tyre janë ilustratorë me humor grafik dhe me profesione të ndryshme; ka edhe të tillë që e fitojnë jetesën vetëm me karikatura”, tha Halit Kurtullmush.
Milen Mitev
FOTO: Ani Petrova
“Vetëm pas disa ditësh do të shënojmë një nga episodet më të turpshme të historisë së re bullgare – largimin e 360 mijë turqve bullgarë nga vendi ynë. Studime të thelluara shkencore analizojnë pasojat, këputjen e strukturës sociale, izolimin e politikës së jashtme, kolapsin ekonomik, por deri më tani nuk kemi hasur një studim që të fokusohet në humbjen e potencialit krijues dhe talentit artistik. Ekspozita e sotme tregon qartë sa shumë artistë të talentuar janë larguar nga vendi ynë”, theksoi gjatë hapjes drejtori i përgjithshëm i Radios Kombëtare Bullgare, Milen Mitev.
Kin Stojanov, Milen Mitev dhe Halit Kurtullmush
FOTO: Ani Petrova
Ekspozita mund të vizitohet deri më 12 qershor.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova