Autor
Joan Kolev
Artikull
Rreth 30 fëmijë në Argjentinë tashmë po mësojnë gjuhën bullgare
Drejtuesja e Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit Rajna Manxhukova për takimet e saj me bullgarë në katër shtete të Amerikës së Jugut
Mërkurë 27 Maj 2026 07:34
Mërkurë, 27 Maj 2026, 07:34
Rajna Manxhukova
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
Madhësia e shkronjave
Dhjetë ditë, shtatë fluturime dhe dhjetëra takime me bullgarë në Kolumbi, Argjentinë, Kili dhe Brazil – kjo është përmbledhja e shkurtër e udhëtimit të fundit të drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, Rajna Manxhukova, në Amerikën e Jugut.
“Që vitin e kaluar morëm një ftesë për shënimin e 100-vjetorit të shpërnguljes së bullgarëve besarabë dhe gagauzëve në Brazil, i planifikuar për më 25 prill. Kjo temë jo vetëm që na është shumë e afërt, por Agjencia ka një rol vendimtar në përhapjen e këtij informacioni në Bullgari në përgjithësi. Në vitin 2010, në kuadër të programit tonë botues, u botua libri i Zhorzhe Kosikovit “Imigrimi në Brazil dhe Uruguai: Bullgarët besarabë dhe gagauzët” dhe pikërisht ai nxiti interesin e studiuesve për këtë temë. Ne e dinim se kemi bullgarë në Brazil, por opinioni i gjerë nuk e dinte se një pjesë e tyre janë bullgarë besarabë, të cilët fillimisht ishin shpërngulur nga Bullgaria në Besarabi, e më pas edhe në Brazil. Përveç kësaj, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit mbështeti filmin e PoljaStançevës “Dhe arritën deri në fund të botës”, i cili rrëfen historinë e bullgarëve në Argjentinë. Ndërkohë ekipi i filmit siguroi fonde nga programi “Mobilitet” i Ministrisë së Kulturës, gjë që u mundësoi atyre të udhëtonin në Argjentinë për ta prezantuar atje. Unë u ftova të jem pjesë e ekipit që do ta prezantonte atë” – rrëfeu në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë Rajna Manxhukova.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
Në prag të udhëtimit doli nga shtypi libri i doktoreshës së Universitetit të Ri Bullgar, Anxhella Georgieva, “Arti i komunikimit në migrim – Vëllimi i parë: Amerika e Jugut”, i cili e plotësoi përmbajtjen e programit. “Arritëm që brenda dhjetë ditësh të takohemi me bullgarë në katër shtete dhe të prezantojmë dy produkte” – përmblodhi drejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit. Takimi i parë u zhvillua në Bogota dhe në një masë të madhe “në lëvizje” – një qëndrim treorësh në aeroport i dha mundësi delegacionit të ftonte përfaqësues të komunitetit bullgar në Kolumbi.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
“Në fund erdhi vetëm një person – Nestor Sllavov, muzikanti ynë trombonist, i cili jeton prej vitesh atje. I jam shumë mirënjohëse që erdhi, sepse tregoi gjëra jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme për bullgarët në Kolumbi. Ata janë kryesisht muzikantë ose specialistë të fushave të ndryshme, por mbajnë lidhje me njëri-tjetrin. Problemi i tyre më i madh është mungesa e ambasadës dhe fakti që për të zgjidhur çështjet konsullore duhet të udhëtojnë deri në Sao Paulo.Ata ngritën edhe çështje që lidhen me marrjen e shtetësisë bullgare për bashkëshortet dhe për fëmijët e tyre.”
Programi më i ngjeshur ka qenë në Argjentinë, ku Rajna Mandzhukova është pritur si një person që e mbajti premtimin e dhënë gjatë vizitës së parë të një përfaqësuesi të agjencisë atje, në vitin 2023.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
“Gjëja më e vogël që bëra pas vizitës sime të atëhershme në Argjentinë ishte ndryshimi i përgjegjësit për atë vend, duke caktuar një person që flet spanjisht. Sepse këta janë pasardhës të bullgarëve që u larguan në fillim të shekullit të njëzetë dhe njohuritë e tyre të gjuhës bullgare janë të zbehur shumë. Madje nuk e kisha idenë se sa pozitiv do të rezultonte ky vendim – tani, në terren, pashë se njerëzit janë shumë mirënjohës që komunikimi me Agjencinë gjatë këtyre pothuajse tre viteve u bë shumë më i drejtpërdrejtë dhe më aktiv.”
Rajna Mandzhukova kujton edhe disa ngjarje në Bullgari që kanë ndodhur si rezultat i këtij dialogu aktiv, si pritja e Erika Perales në Bullgari. Tani po përgatitet edhe vizita e një tjetër bashkatdhetareje – nga Shoqata “Ivan Vazov” në Beriso, e cila, ashtu si Erika, do të kalojë dy muaj në Bullgari.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
“Gjëja më e rëndësishme për Argjentinën është se prej një viti tashmë ekziston një shkollë e së dielës, e cila u bë e mundur falë një partneri tjetër tonin – kryetares së shoqatës “Pasqyra Shpitërore”, zonjës Tanja Kostadinova. Mund të mos tingëllojë shumë administrative, por ka gjëra që, kur shumë njerëz duan të ndodhin, ato ndodhin. Fakti që ekziston një shkollë në internet në Argjentinë, si degë e shkollës bullgare në Shkup, është unik dhe rreth tridhjetë fëmijë në Argjentinë tashmë mësojnë gjuhën bullgare, madje sipas një programi të financuar nga Ministria bullgare e Arsimit dhe Shkencës” – tregon Rajna Mandzhukova.
Ngjarja qendrore – prezantimi i filmit të Polja Stanceva dhe i librit të Anzhela Georgieva – u zhvillua në “Sallën e Artë” të Ministrisë së Kulturës së qytetit autonom të Buenos Aires, një gjest i rëndësishëm i autoriteteve vendore ndaj komunitetit bullgar atje.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
Duke rrëfyer në mënyrë kronologjike për takimet e saj në Amerikën e Jugut, Rajna Manxhukova ndalet edhe te Kili, ku nuk ka organizatë bullgare:
“Por, nga ana tjetër, kemi shumë bullgarë të ndërgjegjshëm dhe aktivë. Pra, nuk kemi organizatë, por kemi një komunitet. Që nga doajenja e komunitetit, zonja Margarita Ganeva, e cila jeton prej më shumë se 40 vitesh në Kili, deri te disa muzikante të reja që ndodhen prej 3-4 vitesh në vend, të gjithë u gëzuan shumë që një përfaqësues i shtetit ishte pranë tyre. Ata vuajnë shumë nga mungesa e ambasadës. Ne përcaktuam një sërë veprimesh që kjo lidhje të bëhet më e drejtpërdrejtë. Një nga gjërat që mund të përmend është përpjekja ime për t’i motivuar që t’i përfshijnë fëmijët e tyre në shkollën e së dielës në Buenos Aires, sepse ajo zhvillohet në internet.”
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
Shkolla bullgare e së dielës në Sao Paulo është ndalesa tjetër emocionuese për drejtuesen e Agjencisë për Bullgarët Jashtë Vendit, ku ajo ka diskutuar me drejtorin Mihaill Krëstanov për problemet aktuale me të cilat përballet institucioni arsimor.
FOTO: Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit
“Përtej emocioneve, unë vërtet pashë se këta bullgarë, ashtu si bullgarët në Argjentinë, megjithëse njohuritë e tyre për gjuhën bullgare janë zbehur mjaft, vazhdojnë të ndihen të lidhur me Bullgarinë. Dhe me rastin e përvjetorit të shpërnguljes, ata kanë përgatitur këtë libër: 1926-2026: Një version i shkurtër i historisë së shpërnguljes, me një kopertinë shumë interesante, ku një rreze dielli kalon përmes Brazilit, Bullgarisë dhe Besarabisë. Në Agjencinë për Bullgarët Jashtë Vendit do të shqyrtojmë mundësitë që ky libër të botohet edhe në gjuhën bullgare.”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova