Milica Tekelieva në rrugën e identitetit nga fshati Zmejovo deri në Berlin

Podkasti “Der Heimweg” zgjon kureshtjen ndaj Bullgarisë dhe Evropës Lindore përmes historisë personale të një bullgareje

Hënë, 8 Qershor 2026, 16:03

Milica Tekelieva në rrugën e identitetit nga fshati Zmejovo deri në Berlin

FOTO: Greta Verlage

Madhësia e shkronjave

Çfarë do të thotë identiteti ynë kombëtar sot? Deri në ç’masë vendi nga i cili vijmë përcakton çfarë njerëzish jemi? A ndryshojmë me kalimin e kohës së kaluar në një shtet tjetër dhe mes një kulture të huaj? Këto janë vetëm një pjesë e shumë pyetjeve që lind një udhëtim gjatë vitit 2023 me tren nga fshati Zmejovo i Stara Zagorës (Bullgaria Jugore) deri në kryeqytetin gjerman Berlin. Pesë ditë të mbushura me reflektime dhe pasione për Evropën Lindore – për historinë, njerëzit dhe kulturën e saj. Dhe për bukurinë e saj të papërmbajtur. Për vendin e një shteti të vogël si Bullgaria në hartën e madhe të Kontinentit të Vjetër dhe të gjitha emocionet që lind bota kozmopolite në të cilën jetojmë. Ndërsa rezultati i aventurës është podkasti audio në gjuhën gjermane “Der Heimweg” (“Rruga drejt shtëpisë”) i bullgares Milica Tekelieva.

Milica Tekelieva

FOTO: Arkiv personal

“Unë kam lindur në Stara Zagora, por prej 13 vitesh jetoj në Berlin dhe pesë vitet e fundit punoj si producente podkastesh në një shtëpi produksioni. Fshati Zmejlovo është vendi ku kam kaluar një pjesë të madhe të rinisë sime, ku prindërit e mi jetojnë aktualisht dhe ku kthehem kur vij në Bullgari.”

Mili, siç e quajnë të afërmit e saj, është fëmijë i kohës së re, e cila ka ndarë ndjesinë e shtëpisë mes dy shteteve dhe qindra kilometrave distancë. Ndërsa përgjatë rrugës janë të gjitha ato pyetje që ia bëjmë vetes në kërkim të përgjigjes – kush jam unë? Përfshirë edhe Milicën, e cila i tregon publikut gjermanofolës historinë e saj personale, në të cilën ndërthur lëkundjet universale të çdo njeriu që është nisur në gjurmët e së ardhmes së ndritur. Një histori në pesë episode me titull “Rruga drejt shtëpisë”. Prezantimi i një episodi nga podkasti në Institutin Goethe në Sofje e riktheu Tekelievën në Bullgarinë e saj të lindjes, ku ajo u takua me publikun dhe tregoi për idenë e saj që të flasë për identitetin e saj kombëtar në lëvizje. Një udhëtim në të cilin e gjen veten kushdo që ka lënë shtëpinë e lindjes.

Vetë ajo mori vendimin të largohej për në Gjermani kur ishte vetëm 19 vjeç dhe për dashuri. “Unë isha një vajzë e re e dashuruar, për të cilën gjërat ndodhën pa plan”, tha në një intervistë të veçantë për Radio Bullgarinë e reja bullgare.  Kështu, para 13 vitesh ajo u regjistrua të studionte degën “Publicistikë” me idenë se pasi të përfundonte arsimin e lartë në Gjermani do të kthehej në atdhe.

Militsa Tekelieva prezanton podcast "Der Heimweg" në Institutin Goethe në Sofje

FOTO: Dimitër Tekeliev

“Në vitet e para nuk munda fare të miqësohesha me Berlinin. Ajo lidhja në fjalë, e cila më çoi atje, u shpërbë shumë shpejt dhe unë mbeta vetëm në fund të botës, ose të paktën kështu dukej atëherë. Nuk kisha shumë miq, miqtë e mi afatgjatë nuk ishin atje. Familja ime, e cila është shumë e rëndësishme për mua, nuk ishte atje dhe unë pyesja veten çfarë po bëja në atë vend. Kisha vendosur të përfundoja studimet dhe pastaj të kthehesha. Dhe atëherë papritur u shfaq dashuria tjetër, e dyta, e cila më bëri të qëndroja në Gjermani dhe që atëherë kanë kaluar tashmë mbi 10 vjet.”

Milica pranon se në ato vitet e para të emigrimit problemi kryesor për të ishte vetmia. “Berlini është një qytet aq i madh sa mund të ndihesh lehtësisht shumë i vetmuar atje”, pranon ajo. Më e vështira rezultoi të ishte të gjente mjedisin e saj, të gjente lidhje me njerëz të afërt me botëkuptimin dhe ndjeshmëritë e saj. Dhe kur sot, shumë vite më vonë, kjo ka ndryshuar, Milica me buzëqeshje vëren se më në fund e ka parë Berlinin me sy krejtësisht të tjerë – si një vend me shumë kulturë, personazhe interesante dhe shumë liri. Dhe këtu lind pyetja – sa i rëndësishëm është identiteti për një njeri në procesin e përshtatjes në një kulturë të ndryshme dhe a është ai përcaktues për dallimet mes nesh?

FOTO: Arkiv personal

“Jemi të ndryshëm, por në fund të fundit nuk jemi aq të ndryshëm. Mendoj se ka disa gjëra që miqve të mi gjermanë nuk do të mund t’ua shpjegoj kurrë. Është më tepër një ndjesi – mënyra se si ndihem kur jam e rrethuar nga bullgarë ose njerëz nga Evropa Lindore në përgjithësi, kur ekziston një mirëkuptim në një nivel tjetër mes nesh, të cilin ti nuk mund t’ua përkthesh të tjerëve, pavarësisht sa mirë flet gjermanisht ose çfarëdo gjuhe tjetër. Sepse natyrisht ne jemi krijuar nga mjedisi në të cilin jemi rritur dhe për mua është shumë më natyrale të ulem në tavolinë me bullgarë dhe të pi raki deri në mëngjes. Ndjesia që lind në shpirt kur bën diçka të tillë, pavarësisht nëse e bën në Berlin apo në Bullgari, është ndryshe nga të dalësh për birrë me kolegët pas pune. Të dyja janë të bukura, por në mënyra të ndryshme” – shpjegon Milica.

Berlini sot tashmë është shtëpia e saj – një fakt që ka ndodhur pa u ndier dhe me kalimin e kohës. Por ajo pranon se për një kohë të gjatë pyetja për identitetin ka qenë veçanërisht e rëndësishme – të shpjegojë kush është ajo. Dhe ndoshta pikërisht kjo e “udhëheq” në atë udhëtim para afro tre vitesh nga shtëpia e lindjes drejt asaj që ajo po ndërton në tokë të huaj.

FOTO: Arkiv personal

“Në fund të udhëtimit u gjenda me mbi 200 incizime nga vende të ndryshme. Gjatë udhëtimit kalova nëpër Ruse, Bukuresht, Budapest, Pragë dhe më pas Berlin dhe nga të gjitha këto vende kisha incizime të tingujve të trenave ose të qyteteve nëpër të cilat kalova. Kisha incizime të bisedave me njerëz të rastësishëm që kam takuar në stacion ose me miq me të cilët jam parë dhe incizime të mendimeve të mia gjatë gjithë aventurës. Dhe nëse doja të krijohej një rrëfim, të gjitha këto incizime duhej t’i sistemoja dhe të gjeja historinë në to, e cila të ishte më shumë se një guidë turistike. Duhej të ishte më personale dhe të ishte një kuptim i thellë i vetë qenies sime. Çfarë do të thotë ky udhëtim si analogji e udhëtimit mes historisë dhe veçorive të këtyre vendeve nëpër të cilat kalova me udhëtimin tim personal? Çfarë do të thotë të kesh dy vende që janë shtëpia jote? Ky ishte një proces i gjatë dhe jo i lehtë, sepse ishte shumë personal ose të paktën u bë shumë personal në një moment. Ndërsa të shkruash për veten është pak e vështirë ndonjëherë, sepse duhet ta shikosh veten në sy dhe të jesh shumë i sinqertë.”

FOTO: Arkiv personal

Mili është e bindur se është shumë më e lehtë të kuptosh një njeri kur sheh nga vjen ai. “Është më e lehtë të kuptosh mentalitetin bullgar kur ke qenë në Bullgari dhe natyrisht për mua është më e lehtë të kuptoj atë gjerman kur kam jetuar kaq gjatë atje. Fakti që kemi mundësi të udhëtojmë dhe të lëvizim lirshëm në Evropë është shumë i vlefshëm që të njihemi më mirë dhe të jemi më të bashkuar. Të shohim se në të vërtetë nuk jemi aq të ndryshëm, edhe me gjithë veçoritë tona” – thotë ajo. Dhe pikërisht këtë përpiqet të tregojë me secilin nga pesë episodet e podkastit të saj.
Secili i kushtohet një teme të ndryshme, tregon Tekelieva. Në episodin e parë ajo mbërrin nga Berlini, përmes aeroportit të Sofjes deri në fshatin Zmejovo. Tregon më shumë për veten dhe së bashku me babanë e saj Dimitër shëtit nëpër fshatin, i njohur me Festivalin e madh të pelinit në prag të Krishtlindjeve.

Milica me babanë e saj Dimitër Tekeliev

FOTO: Arkiv personal

“Me babanë tim flasim për udhëtimin, por edhe për arsyen pse jam larguar fare dhe si ndihet ai për faktin që nuk jam pranë familjes sime. Në episodin e dytë, të cilin e prezantuam edhe në Sofje me Institutin Goethe, bëhet shumë fjalë për ndjesinë time ndaj atdheut, pas kaq shumë vitesh që jetoj në Gjermani, dhe për ndjenjën e fajit që kam lënë Bullgarinë dhe që nuk kontribuoj për zhvillimin e saj këtu. Episodi i tretë është në Rumani dhe takimi im me një mike rumune, e cila gjithashtu jeton dhe punon në Berlin dhe bëhet fjalë për komunizmin dhe trashëgiminë që kjo periudhë ka lënë në vetëdijen e njerëzve. Çfarë do të thotë kjo trashëgimi për ne të dyja? Si ndikon historia e shtetit në jetët tona personale dhe te njerëzit përreth nesh dhe te njerëzit e brezit të mëparshëm? Episodi i katërt është nga Budapesti dhe i kushtohet një miqësie të rastësishme me dy vajza – njëra nga Australia dhe tjetra nga Franca, me të cilat u njoha në një tur çiklizmi nëpër qytet. Lidhet më tepër me atë se çfarë njerëzish takojmë rastësisht në rrugën tonë dhe si një miqësi e tillë mund të lindë brenda një dite dhe pastaj thjesht të përfundojë përgjithmonë. Dhe sa shumë energji dhe kuptim sjellin këto takime, megjithëse të shkurtra. Në këtë episod ulem në bregun e lumit Danub, në një tjetër breg të të njëjtit Danub, ku kam qenë disa ditë më parë në Ruse dhe gjithçka duket krejt ndryshe. Dhe atëherë mendoj se çfarë do të thotë Evropa Lindore? Çfarë do të thotë Evropa Perëndimore? Si dhe pse ne e shohim veten në Bullgari si jo plotësisht evropianë, si më të ndryshëm, megjithëse jemi pjesë e Evropës. Ishte interesante të mendoja pse është kështu. Episodi i pestë, i fundit, i kushtohet Pragës dhe kthimit tim në Berlin dhe në të bëhet fjalë për mbërritjen dhe çfarë do të thotë të mbërrish në një vend fjalë për fjalë dhe në mënyrë figurative. Në Berlin gjithmonë do të më mungojë Bullgaria dhe në Bullgari gjithmonë do të zemërohem për disa gjëra”, thotë me buzëqeshje Milica.

Dhe pranon se e vetmja gjë që mund të bëjë në situatën në të cilën e ka vendosur veten, është të përpiqet të mbajë lidhjen me të dyja vendet aq sa mundet. “Për mua është shumë e rëndësishme të kthehem në Bullgari sa më shpesh që të jetë e mundur, aq sa ma lejon puna”, vëren ajo dhe nuk e fsheh lumturinë e saj që pikërisht puna këtë herë e ka kthyer. Ndërsa një nga përgjigjet më të rëndësishme që ka marrë përmes podkastit “Rruga drejt shtëpisë” është se nuk ka nevojë t’i shpjegojë askujt kush është ajo.

Fshati Zmejovo

FOTO: Arkiv personal

“Në të vërtetë unë jam ajo që jam. Pavarësisht nëse jam bullgare në Berlin ose një bullgare e kthyer nga Gjermania në fshatin Zmejovo – unë jam e njëjta dhe kjo është e mjaftueshme. Kjo ndjenjë faji që jam larguar në Gjermani, për të cilën përmenda, nuk është e nevojshme ta kem. Fakti që kam lënë Bullgarinë nuk është tradhti ndaj atdheut dhe fakti që kthehem dhe mbaj lidhjen me atdheun tim është i mjaftueshëm.”

Milica jo vetëm që nuk e ka ndërprerë lidhjen me atdheun, por edhe përmes punës së saj dhe historive në “Der Heimweg” ajo dëshiron më shumë se kurrë të zgjojë interes për Bullgarinë dhe për historitë më pak të njohura të Evropës Lindore. “Shpresoj të motivoj gjermanët që para se të shkojnë në Bali, të kalojnë nga Bullgaria – dhe të hanë një sallatë shopska”, thotë ajo me humorin e saj ballkanik.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski