LAJME

Artikull

Zëvendëskryeprokurori dhe drejtor i Shërbimit të Hetimit dha dorëheqjen

Mërkurë, 27 Maj 2026, 12:07

Borisllav Sarafov

Borisllav Sarafov

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Borisllav Sarafov dha dorëheqjen si drejtor i Shërbimit Kombëtar të Hetimit dhe, me këtë vendim, largohet edhe nga posti i zëvendëskryeprokurorit, që i takon sipas ligjit. Ai shprehimisht deklaron se dëshiron të rikthehet si hetues i thjeshtë në Shërbimin Kombëtar të Hetimit, transmeton BTA. “E kuptoj pritshmërinë publike për ndryshim dhe nevojën për reforma. Besoj se zgjidhjet e qëndrueshme arrihen përmes dialogut profesional, qasjes institucionale dhe një vizioni afatgjatë. Përpjekjet duhet të përqendrohen para së gjithash në modernizimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve, e jo vetëm në ndryshime personale, përfshirë edhe përmes metodave të jashtëzakonshme legjislative”, shkruan magistrati në arsyetimin e tij.

Ministri i Drejtësisë, Nikollaj Najdenov, i bëri më herët thirrje Sarafovit që të tërhiqej vetë nga posti, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi të hapte procedurë disiplinore ndaj tij.

Borisllav Sarafov dha dorëheqjen si ushtrues detyre i prokurorit të përgjithshëm më 22 prill. Kjo ndodhi tri ditë pasi “Bullgaria Progresive” fitoi zgjedhjet parlamentare në vend me shumicë absolute dhe nga kjo forcë politike iu kërkua të largohej vetë nga posti. Më pas, Kolegji i Prokurorëve caktoi Vanja Stefanovën në këtë post për një periudhë gjashtëmujore.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova