SHOQËRI

Artikull

Mbi 90% e maturantëve në Bosilegrad duan të studiojnë në Bullgari

Mërkurë, 27 Maj 2026, 12:44

Mbi 90% e maturantëve në Bosilegrad duan të studiojnë në Bullgari

FOTO: Gjimnazi në Bosilegrad

Madhësia e shkronjave

32 nga 36 maturantët që përfundojnë Gjimnazin në Bosilegrad do të aplikojnë në universitete dhe shkolla të larta në Bullgari, parashikon drejtoria e të vetmes shkollë të mesme në qytetin kufitar serb. Mësimi për ta përfundoi më 22 maj, ndërsa mbrëmja e maturës do të mbahet më 5 qershor, tha drejtori Vlladimir Grigorov. Prej më shumë se dy dekadash, mbi 90% e vajzave dhe djemve të diplomuar aplikojnë në universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Bullgari. Kjo vlen edhe për maturantët nga Vranja, Zvoncë dhe vendbanime të tjera në Krahinat Perëndimore (rajonet kufitare juglindore të Serbisë me popullsi bullgare).

Fushata e pranimeve dhe provimet hyrëse organizohen në vend - në Bosilegrad dhe Caribrod, me ekipe të Ministrisë bullgare të Arsimit dhe Shkencës. Shumica e të diplomuarve mbeten më pas për të punuar në Bullgari. Drejtori i gjimnazit, Vlladimir Grigorov, shpjegoi: “Provimin e maturës e japin në gjuhën bullgare ose serbe, varësisht nga klasa ku mësojnë. Më pas japin provim në gjuhë të huaj ose matematikë dhe kanë edhe një punim që duhet ta mbrojnë para komisionit. Po, mbi 90% zgjedhin të aplikojnë në Bullgari. Sa u përket degëve, ata kanë dëshirat e tyre, por më pas zgjedhin nga programet që ofron Ministria e Arsimit. Kryesisht shkenca natyrore, mjekësi, farmaci, IT dhe degë teknike, si edhe psikologji e filozofi”, transmeton korrespondenti i BNR-së në Kjustendill, Kirill Fallin.

Ndryshe nga maturantët në Kjustendill, për shembull, të rinjtë në Bosilegrad nuk shpenzojnë shuma të mëdha për veshje luksoze, makina apo udhëtime. “Paratë janë problem për më shumë se gjysmën e nxënësve”, shtoi drejtori.

Lexoni më shumë për bullgarët në Serbi:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova