MUZIKË

Artikull

“Gjurmë” e çon Pllamen Dençevin drejt botëve të reja muzikore

Enjte, 28 Maj 2026, 05:43

“Gjurmë” e çon Pllamen Dençevin drejt botëve të reja muzikore

FOTO: Facebook/ Plamen Denchev

Madhësia e shkronjave

I njohur fillimisht si pianist i grupit Funky Miracle, Pllamen Dençev tashmë është një nga instrumentistët më të kërkuar në skenën bullgare të muzikës pop, ku bashkëpunon me muzikantët më të njohur të vendit. Publiku e njeh edhe nga ekrani televiziv, si dhe nga këngët e tij autoriale, të cilat arrin t’i realizojë mes shumë projekteve të tjera. Pas një pauze prej disa vitesh, Pllamen Dençev rikthehet tani me këngën e tij më të re “Gjurmë”, për krijimin e së cilës ai tregon:

“Fillova në një drejtim alternative pop-rock. Dua të krijoj gjëra që më duken interesante dhe më zgjojnë kureshtje në këtë moment – muzikë e ndërtuar kryesisht mbi rife, sepse më pëlqen të eksploroj mënyrën se si instrumentet me taste mund të ndërthuren me një tingull më të orientuar nga kitara. Tani kam dëshirë të bëj muzikë ku ka vend për eksperimentim. Mendoj se kjo është e rëndësishme për çdo artist – të mos krijojë sipas një recete të gatshme, por thjesht të bëjë atë që e shpreh më sinqerisht atë vetë, si artist.”

FOTO: Facebook/ Plamen Denchev

Për gjurmën që dëshiron të lërë me këtë këngë, Pllamen Dençev thotë:

 

“Tema kryesore e këngës është zhvillimi personal i njeriut, vetëdija për atë që ai bën me jetën e tij dhe me veten, në mënyrë që të mund të ndikojë në një farë mënyre edhe tek të tjerët. Sepse të gjithë e dimë që nëse diçka duhet të ndryshojë për mirë, ajo fillon nga vetja jote, dhe ti duhet të jesh në një nivel të mjaftueshëm vetëdijeje, në mënyrë që ta përcjellësh këtë edhe tek të tjerët përmes veprimeve të tua.”

 

Me “Gjurmë”, Pllamen Dençev i jep fillim një periudhe më intensive në krijimin e këngëve autoriale – ai tashmë po punon për një këngë të re, e cila pritet të publikohet deri në fund të vitit, ndërsa më pas muzikanti mendon edhe për realizimin e një albumi solo.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova