Artikull
Siguri apo përfitime të humbura – si i menaxhojnë bullgarët paratë e tyre
Niveli më i lartë i edukimit financiar sjell me vete një qëndrim më të fortë qytetar”, thotë specialisti i ri Zhak Semizov
Premte 29 Maj 2026 07:00
Premte, 29 Maj 2026, 07:00
Сигурност или пропуснати ползи – как българите управляват парите си
FOTO: Pexels
Madhësia e shkronjave
“Ne kemi një sistem bankar të qëndrueshëm, qasje në tregjet evropiane dhe instrumente financiare funksionale, por nuk i shfrytëzojmë sa duhet” — kështu e përshkruan situatën aktuale ekonomike në Bullgari Zhak Semizov, fitues dy herë i çmimit Evrika për arritje në fushën e ekonomisë, auditor i tre prej bankave më të mëdha në vend dhe aktualisht i angazhuar në sektorin e tregtimit të pasurive të paluajtshme.
“Nëse i shikojmë të dhënat e Bankës Kombëtare të Bullgarisë (BNB), do të vërejmë se sektori bankar bullgar është i pozicionuar shumë mirë brenda Eurozonës – ka një nivel të lartë të mjaftueshmërisë së kapitalit, likuiditet të fortë dhe banka që mbajnë rezerva të konsiderueshme; ndërsa vlerësimi i kreditit të vendit është në rangun mesatar – ‘BBB+’. Bullgaria perceptohet qartë si një destinacion investimesh i disiplinuar dhe i parashikueshëm, gjë që është pozitive si për financimin e shtetit, ashtu edhe për bizneset dhe familjet,” analizon ai në një intervistë për Radio Bullgarinë, e cila i kushtohet edukimit financiar, klimës së biznesit në vend dhe mundësive për investime.
FOTO: arkiv personal
Sipas analistit të ri, është vetëm çështje kohe derisa investitorët të kthejnë vëmendjen drejt vendit tonë. Sa i përket qytetarëve të zakonshëm — në një mjedis të mbingarkuar nga inflacioni, i shkaktuar nga krizat gjeopolitike globale, është e domosdoshme t’u drejtohemi tregjeve financiare si një mënyrë për të diversifikuar portofolët tanë.“Secili prej nesh është pjesë e tregtisë globale, edhe nëse nuk e kupton këtë,” shpjegon specialisti i ri, duke theksuar se problemi nuk qëndron te mungesa e mundësive, por te psikologjia kolektive, e formuar nga ngjarjet historike dhe që shpesh përcakton vendimet investuese të individit.“Shoqëria jonë ka kaluar shumë tronditje financiare dhe jo pak kriza politike, prandaj besimi ynë tek asetet ndërtohet jashtëzakonisht vështirë,” shton Semizov dhe vijon:
FOTO: Pexels
“Bullgari tradicionalisht është më konservator dhe i jep përparësi sigurisë. Asetet më të njohura tek ne janë depozitat bankare, pasuritë e paluajtshme dhe deri diku ari. Megjithatë, vërejmë një paradoks shumë interesant: zgjidhjet që duken më të sigurta — si investimi i parave në pasuri të paluajtshme apo në depozita — shpesh rezultojnë mjaft të rrezikshme në plan afatgjatë, sidomos në një mjedis me inflacion të lartë. Në momente të tilla, paratë tona thjesht humbin vlerë! Arsyeja qëndron te normat e ulëta të interesit për depozitat në vendin tonë, por edhe te fakti që pasuritë e paluajtshme nuk janë asete pa rrezik — ato varen nga tregu, nga normat e interesit dhe nga situata demografike në vend. Pikërisht këtu shfaqet roli i tregjeve financiare!”
Zhak Semizov citon të dhëna nga Komisioni i Mbikëqyrjes Financiare, sipas të cilave asetet në fondet e investimeve në Bullgari po rriten ndjeshëm — një shenjë se sjellja e investitorit bullgar po ndryshon, edhe pse me ritëm të ngadaltë. Ai vëren gjithashtu se pjesa më e madhe e investitorëve janë të rinjtë, të cilët megjithëse aktivë, hyjnë në tregjet financiare me më shumë entuziazëm sesa dije, me dëshirë për t’u pasuruar shpejt dhe me prirje ndaj rrezikut — një kombinim që shpesh çon në gabime serioze. Brezi më i vjetër, për fat të keq, gjithashtu i menaxhon financat në mënyrë të ngjashme me lojërat e fatit, dhe arsyet gjenden diku mes psikologjisë kolektive dhe mungesës së edukimit financiar, është i bindur specialisti i ri:
FOTO: arkiv personal
“Një pjesë e madhe prej nesh nuk i shpenzon paratë në mënyrë të arsyeshme, nuk investon, nuk planifikon afatgjatë dhe nuk përdor instrumente financiare — pra, pikërisht ato gjëra që do ta përmirësonin jetën e secilit prej nesh.”
Mungesa e edukimit
financiar gjithmonë çon në ulje të fitimit personal dhe në varësi nga vetëm një
burim të ardhurash. Prandaj është e domosdoshme të kërkohen zgjidhje afatgjata
për ndryshimin e këtij modeli, duke filluar nga arsimi.
FOTO: Pexels
Shembull në këtë drejtim janë vendet me ekonomi të zhvilluara, ku gjithnjë e më shumë familje marrin pjesë në tregjet e kapitalit dhe arrijnë një diversifikim të konsiderueshëm të të ardhurave të tyre.
“Nuk ka vend për debat — lidhja është krejtësisht e drejtë: niveli më i lartë i edukimit financiar sjell me vete një qëndrim më të theksuar qytetar, dhe kjo pa dyshim çon në përmirësimin e standardit të jetesës dhe të mjedisit social në vend. Bullgaria nuk vuan nga mungesa e mundësive, por nga mosshfrytëzimi i atyre që ka! Ne kemi një sistem bankar të qëndrueshëm, qasje në tregjet evropiane dhe mekanizma të ndryshëm financiarë; hapi i radhës i përket më shumë kulturës — të fillojmë të mendojmë më afatgjatë, me më pak etje për pasurim të shpejtë, në një mënyrë më të informuar, më kureshtar dhe më të sigurt në vendimet tona! Dhe nëse duhet ta përmbledhim: liria financiare nuk fillon me më shumë para, por me vendime më të mira dhe me vetëdije!”
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva