MUZIKË

Artikull

“Një çast si përjetësi” – një himn emblematik bullgar për dashurinë

Kryevepra të kulturës muzikore bullgare

Premte, 29 Maj 2026, 19:50

“Një çast si përjetësi” – një himn emblematik bullgar për dashurinë

FOTO: pamje e ngrirë

Madhësia e shkronjave

"Që para se të të takoja në jetën time – unë të doja." Prej gati katër dekadash ky varg emocionon bullgarët, veçanërisht ata vërtet të dashuruar! Kënga e poetit Georgi Konstantinov dhe kompozitorit Vlladimir Naumov është një hit i jashtëzakonshëm, para së gjithash falë tekstit të mrekullueshëm. Mjeshtri i madh i lirikës së dashurisë, Georgi Konstantinov, tregon se e ka recituar këtë poezi në një konferencë letrare jashtë vendit dhe publiku ka duartrokitur fuqishëm, edhe pse askush nuk e ka ditur gjuhën bullgare. Ata kanë duartrokitur për melodinë e vargjeve dhe ndikimin e tyre të jashtëzakonshëm emocional. "Kjo është një nga poezitë e mia të preferuara. Edhe këngën e pëlqej shumë ", thotë Georgi Konstantinov në një intervistë për bTV. Kompozitori Vlladimir Naumov shton: "Një çast si përjetësi” është, në fakt, përjetësia brenda një çasti.”

FOTO: arkiv

Poezia “Një çast si përjetësi” u botua për herë të parë në përmbledhjen lirike të Georgi Konstantinovit “Zemër e pashkolluar” në vitin 1978. Poeti kujton se ajo u bë shumë e njohur, veçanërisht mes të rinjve (vetë ai në atë kohë ende nuk kishte mbushur 35 vjeç). Vite më vonë, ai u befasua kur dëgjoi tekstin e tij të jashtëzakonshëm — njëkohësisht emocionues, lirik dhe thellësisht filozofik — të shndërruar në këngë në Radion Kombëtare, në interpretimin e Todor Vërbanovit. I njohur me pseudonimin “Vërban”, ky këngëtar mbeti në historinë e muzikës bullgare me interpretimin e tij të ndjerë të “Një çast si përjetësi”, të cilën ai e konsideronte kartëvizitën e tij artistike.

Todor Vërbanov

FOTO: todorvarbanov.com

Vlladimir Naumov, i lindur në vitin 1954 në Varna, është i biri i folkloristit, kompozitorit dhe dirigjentit të njohur bullgar Anastas Naumov. Ai ka përfunduar shkollën e muzikës dhe më pas Konservatorin në Sofje, me specializim në instrumente goditëse. Që shumë i ri filloi të kompozonte muzikë pop dhe që vepra e tij e parë autoriale fitoi çmimin e parë në Konkursin Rinor për Këngë Argëtuese në vitin 1975. Më vonë ai u përqendrua në ndërthurjen e folklorit bullgar me zhanre bashkëkohore dhe krijoi disa përpunime shumë të njohura të këngëve popullore, ndër to “Petruno, zog me pupla shumëngjyrëshe” dhe “Hidhu, Kalinke”.

Vlladimir Naumov

FOTO: pamje e ngrirë - bTV

Në vitet ’80 të shekullit XX Vlladimir Naumov u njoh me këngëtaren e muzikës pop Ellvira Georgieva, për të cilën krijoi mbi 100 këngë. Ai ka komopozuar vepra gjithashtu për yje si Lili Ivanova, Vasill Najdenov dhe Neli Rangellova. Para se Todor Vërbanov të zbulonte poezinë e Georgi Konstantinovit, melodia e “Një çast si përjetësi” ishte krijuar tashmë në shtëpinë e Vlladimir Naumovit, e menduar fillimisht si muzikë filmike për një film që nuk u xhirua kurrë. Muzika mbeti në sirtar, por pas një kohe Vërbanov i tregoi kompozitorit poezinë e Georgi Konstantinovit, të cilën të dy e konsideruan të mrekullueshme. Atëherë Naumov u kujtua për melodinë e menduar për filmin. “Muzika u ngjit menjëherë pas këtij teksti, sikur të ishte shkruar posaçërisht për të… "Në të vërtetë kështu ishte!" shprehet kompozitori.

Georgi Konstantinov dhe Georgi Vërbanov

FOTO: Facebook/ Georgi Konstantinov

Todor Vërbanov e regjistroi “Një çast si përjetësi” për rreth 35 minuta në një studio të Radios Kombëtare Bullgare në mesin e shkurtit 1987. Disa ditë më vonë kënga tashmë transmetohej në eter dhe shumë shpejt arriti rekordin prej 12 transmetimesh në ditë. Këngëtari tregon se për dekada me radhë, në koncerte, publiku gjithmonë e këndonte këtë këngë së bashku me të.

Sipas Georgi Konstantinovit, kënga është “një dedikim për Gruan në përgjithësi – një himn i kushtuar Gruas në jetën time”. Ai e përshkruan këtë miniaturë vokale si “yjore”, rezultat i takimit të lumtur të dy muzave – poezisë dhe muzikës. “Një çast si përjetësi” i jep emrin edhe një prej përmbledhjeve të tij më të fundit poetike, që mbledh njëqind krijimet e tij më të bukura lirike.

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva