POLITIKË

Artikull

Ngjarjet me adresë ballkanike

Shtunë, 30 Maj 2026, 09:00

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: gov.cy

Madhësia e shkronjave

Ngritja e së djathtës ekstreme në zgjedhjet në Qipro

Gjashtë parti hyjnë në parlamentin qipriot pas zgjedhjeve të së dielës. Tubimi Demokratik i qendrës së djathtë mbetet forca e parë me 17 nga gjithsej 56 vende, ndërsa AKEL-i i majtë ruan 15 deputetë, njoftoi BTA.

Ndryshimi më i madh është ngritja e Frontit Kombëtar Popullor të ekstremit të djathtë (ELAM), i cili bëhet forca e tretë politike me 8 deputetë – dy herë më shumë se deri tani. Partia Demokratike e qendrës mbetet e katërta, gjithashtu me 8 vende, por pas një rënieje të mbështetjes.

Në parlament hyjnë edhe dy formacione të reja antisistemike me nga 4 deputetë – ALMA e ish-auditorit të përgjithshëm të Qipros, Odiseas Mihailidis, e cila fitoi votues me një program për luftën kundër korrupsionit, dhe “Demokracia e Drejtpërdrejtë” e eurodeputetit dhe influencuesit Fidias Panajotu.

Zgjedhjet në Republikën e Qipros zhvillohen vetëm në pjesën e vendit të kontrolluar nga qeveria, pasi në një të tretën veriore të ishullit, që nga viti 1974, është shpallur Republika Turke e Qipros Veriore, e panjohur ndërkombëtarisht. 24 vende, të destinuara për turqit qipriotë, mbeten të paplotësuara, prandaj parlamenti funksionon me 56 në vend të 80 deputetëve.

Ilie Bolozhan

FOTO: Digi FM

Ilie Bolozhan mbështet bashkimin midis Rumanisë dhe Moldavisë

Kryeministri i përkohshëm i Rumanisë, Ilie Bolozhan, deklaroi për radion Digi FM se do të mbështeste një bashkim midis Rumanisë dhe Republikës së Moldavisë. Megjithatë, ai theksoi se për Kishinaun aktualisht është më e rëndësishme të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas të dhënave të agjencisë sociologjike rumune INSCOP, 71,9% e rumunëve do ta mbështesnin një bashkim të tillë në një referendum, ndërsa 21,4% janë kundër. Në Moldavi, megjithatë, shumica nuk e miraton një ide të tillë – afërsisht 46% do të votonin “kundër”, ndërsa mbi 33% “pro”, sipas një sondazhi nga shtatori i vitit 2025, njoftoi BTA.

Muajin e kaluar presidenti rumun Nikushor Dan deklaroi se vendi është i gatshëm për bashkim, nëse qytetarët e Moldavisë e mbështesin atë. Edhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha në janar se do të votonte “pro” në një referendum të mundshëm.

Një pjesë e territorit të Republikës së sotme të Moldavisë (rajoni i Besarabisë) ka qenë pjesë e Rumanisë gjatë gjysmës së parë të shekullit XX. Kjo ndodhi pas Luftës së Parë Botërore, kur Besarabia iu bashkua Rumanisë në vitin 1918 dhe mbeti nën administrimin rumun deri në vitin 1940, thekson BTA. Kujtojmë se në vitin 2023 parlamenti i Moldavisë zëvendësoi zyrtarisht termin “gjuha moldave” me “gjuha rumune” në të gjitha ligjet dhe në Kushtetutën e vendit.

FOTO: hina.hr

Kroacia regjistron afro 300 transplantime organesh në vit

Në Kroaci kryhen rreth 300 transplantime organesh në vit dhe vendi prej vitesh është ndër liderët në Eurotransplant për numrin relativ të dhuruesve pas vdekjes cerebrale, njoftuan autoritetet shëndetësore me rastin e Ditës Kombëtare të Dhurimit dhe Transplantimit të Organeve dhe Indeve, të cituara nga televizioni HRT.

Sipas koordinatorit kombëtar për transplantimet, Marina Premuzhiç, Kroacia regjistron rreth 30 dhurues për 1 milion banorë në vit. Ministrja e Shëndetësisë, Irena Hrëstiç, theksoi se një dhurues mund të shpëtojë deri në tetë jetë dhe të ndihmojë dhjetëra të tjera përmes dhurimit të indeve. Kohët e fundit vendi miratoi një rregullore të re, e cila zgjeron mundësitë për dhurim dhe harmonizon më tej sistemin me praktikën evropiane.

Në Kroaci kryhen me sukses transplantime të veshkave, mëlçisë, zemrës dhe mushkërive. Autoritetet i inkurajojnë qytetarët të nënshkruajnë karta dhuruesi dhe të mbështesin programin kombëtar të transplantimeve.

FOTO: digitalnomadhub.com

Serbia po bëhet gjithnjë e më e popullarizuar mes nomadëve digjitalë

Serbia, dhe veçanërisht Beogradi, po tërheq gjithnjë e më shumë nomadë digjitalë. Më së shumti bëhet fjalë për specialistë të IT-së, freelancerë dhe punonjës të kompanive të huaja, të cilët mund të punojnë në distancë. Ata vijnë kryesisht nga Amerika e Veriut, Rusia dhe Evropa dhe qëndrojnë në Serbi për një periudhë deri në 6 muaj, shkruan politika.rs.

Beogradi preferohet nga nomadët digjitalë për shkak të internetit të mirë, kostove më të ulëta krahasuar me Evropën Perëndimore, jetës aktive të natës dhe mikpritjes së vendasve.

Ekonomistët i përcaktojnë nomadët digjitalë si “eksport i padukshëm”, sepse ata shpenzojnë në Serbi para të fituara në shtete të tjera. Ata marrin me qira banesa, punojnë nga kafenetë dhe udhëtojnë nëpër vend. Duhet pranuar se krahas anëve pozitive ka edhe anë negative – qiratë po rriten, veçanërisht në pjesët qendrore të Beogradit, gjë që krijon problem për serbët që dëshirojnë të marrin një banesë me qira.

Megjithatë, sektori turistik e sheh nomadizmin digjital me optimizëm të madh – të huajt e promovojnë Serbinë përmes rrjeteve sociale dhe e shndërrojnë vendin në një destinacion më të njohur.


Përpiloi: Miglena Ivanova

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski