SHOQËRI

Artikull

Në qytetin austriak Gols

Bullgarë nga e gjithë Evropa përkulen para veprës së Botevit

Dielë, 31 Maj 2026, 10:40

Bullgarë nga e gjithë Evropa përkulen para veprës së Botevit

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Vjenë

Madhësia e shkronjave

Më 1 qershor, bullgarë nga pika të ndryshme të Evropës do të mblidhen në qytetin austriak Gols për të nderuar poetin dhe revolucionarin Hristo Botev. Para veprës heroike të kësaj figure emblematike të historisë bullgare – simbol i shpirtit të lirë, vetësakrifikimit dhe dinjitetit kombëtar – do të përulin kokën pjesëmarrësit në seminarin e dytë, të organizuar nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Shtetit (IABÇ), kushtuar modeleve për krijimin, menaxhimin dhe komunikimin e shoqatave të ndryshme të bullgarëve jashtë vendit.

Qyteti Gols

FOTO: gols.at

Pak i njohur është fakti se pikërisht në Gols – një qytet i vogël në provincën austriake Burgenland – ndodhet një nga vendet përkujtimore kushtuar Hristo Botevit jashtë kufijve të Bullgarisë. Bust-monumenti u inaugurua zyrtarisht më 2 qershor 1996 me iniciativën e mikut të madh të Bullgarisë, prof. Niko Tic, ndërsa autor i tij është skulptori nga Stara Zagora, Kunjo Zhelev. Monumenti është ngritur në parkun VIP të UNESCO-s si simbol i mirënjohjes ndaj veprës së Botevit dhe si një urë shpirtërore ndërmjet Austrisë dhe Bullgarisë.

Busti-monument i Hristo Botevit në Parkun VIP të UNESCO-s në Gols

FOTO: Ministria e Punëve të Jashtme

Sot, pothuajse 150 vjet pas vdekjes heroike të Botevit, bullgarët në mbarë botën vazhdojnë ta ruajnë të gjallë amanetin e tij. Dhe nëse në atdheun tonë çdo vit më 2 qershor ulërima e sirenave kujton vetësakrifikimin e poetit dhe të të gjithë atyre që ranë për lirinë e Bullgarisë, jashtë kufijve të vendit bashkatdhetarët tanë organizojnë veprimtari përkujtimore për nder të heroit kombëtar.

Në Austri, nderimi i autorit të fjalëve të pavdekshme: “Ai që bie në luftë për liri, ai nuk vdes”, organizohet nga organizata më e vjetër bullgare ende aktive – “Shën Kirilli dhe Metodij”, e cila këtë vit është edhe një lloj mikpritëse e seminarit të organizuar nga IABÇ më 30 dhe 31 maj në Vjenë.

FOTO: BGNES

“Agjencia për Bullgarët Jashtë Shtetit rinovoi pllakën përkujtimore të monumentit, ndërsa Ambasada e Republikës së Bullgarisë e rregulloi dhe e zbukuroi hapësirën përreth tij. Ky është kontributi ynë në nderimin e këtij bullgari të madh – veprimtar shoqëror, shkrimtar dhe revolucionar”, shpjegoi për Radio Bullgarinë drejtuesja e IABÇ-së, Rajna Manxhukova.

Ky gjest është shprehje e respektit ndaj veprës së Botevit dhe dëshmi se shpirti bullgar mbetet i gjallë dhe i bashkuar, pavarësisht kufijve.



Përpiloi: Elena Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski