HISTORI

Artikull

Rrëshajat bashkojnë besimtarët në Kishën e Krishtit

Dielë, 31 Maj 2026, 07:00

Rrëshajat bashkojnë besimtarët në Kishën e Krishtit

FOTO: bg-patriarshia.bg

Madhësia e shkronjave

Në të dielën e tetë pas Ringjalljes së Krishtit shënojmë një nga festat më të rëndësishme të krishterimit – Rrëshajat. Në këtë ditë Shpirti i Shenjtë – Personi i Tretë i Trinisë së Shenjtë – zbret në tokë për të ndriçuar dymbëdhjetë apostujt, të mbledhur në lutje së bashku me Shën Hyjlindësen në dhomën e Sipërme të Sionit. Ata ndodheshin pikërisht aty ku Jezu Krishti kishte themeluar Misterin e Eukaristisë në Darkën e Fundit, para se të kryqëzohej.

Teksa luteshin, papritur u dëgjua një zhurmë dhe mbi kokën e secilit prej nxënësve të Krishtit u shfaqën flakë. Falë Shpirtit të Shenjtë ata filluan të flisnin në gjuhë të ndryshme, ndërsa prania e Zotit u shfaq në plotësinë e saj dhe arriti në mendjet dhe zemrat e të pranishmëve. Dëshmitarë të mrekullisë u bënë mbi 3000 njerëz, të ardhur nga vende të ndryshme në Jerusalem, të cilët u pagëzuan po atë ditë. Ndërsa apostujt e shenjtë, të mbushur me fuqinë e Shpirtit të Shenjtë, u nisën nëpër botë për të predikuar Fjalën e Zotit.

FOTO: BTA

Në Rrëshajë, gjatë shërbesës solemne, të krishterët i luten Zotit që të përkujtojë edhe të gjithë prindërit dhe vëllezërit tanë të ndjerë. Në fund të shërbesës, nga dyert e altarit hidhen gjethe arre mbi besimtarët. Ato simbolizojnë gjuhët e zjarrta mbi kokat e apostujve. Besimtarët i marrin me vete në shtëpitë e tyre si bekim.


Përpiloi: Desisllava Semkovska

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski