KULTURË

Seksion

Kosova duartroket “Zhivak” dhe studentët e parë të gjuhës bullgare

Premte, 29 Maj 2026, 16:30

Kosova duartroket “Zhivak” dhe studentët e parë të gjuhës bullgare

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Madhësia e shkronjave

Në kuadër të iniciativës “Ditët e gjuhës, kulturës dhe shkencës bullgare në Kosovë 2026”, organizuar nga Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë me rastin e 24 majit – Ditës së alfabetit, arsimit dhe kulturës bullgare, u zhvilluan dy ngjarje të rëndësishme, të cilat edhe një herë theksuan lidhjet kulturore dhe akademike gjithnjë e më të ngushta ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës.

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Për herë të parë para publikut në Kosovë u prezantua monodrama e njohur “Zhivak” nga aktori i talentuar Dimitër Zhivkov. Ngjarja mblodhi përfaqësues të komunitetit bullgar në Kosovë, ushtarakë nga kontingjenti bullgar në KFOR, bullgarë që punojnë në Prishtinë, si dhe shumë miq të tjerë të Bullgarisë.

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Gjatë mbrëmjes festive, ambasadori Hristo Kraevski theksoi rëndësinë e alfabetit dhe kulturës bullgare, duke vënë në dukje se “mrekullia e shkronjave bullgare” tashmë po gjen vendin e saj edhe në Kosovë përmes Lektoratin të Gjuhës Bullgare, të hapur së fundmi në Universitetin e Prishtinës. Ai theksoi rëndësinë e kësaj iniciative strategjike, realizuar me mbështetjen aktive të Ambasadës Bullgare, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Bullgarisë dhe Universitetit të Prishtinës.

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Iniciativa vazhdoi edhe sot me një moment shumë emocionues – takimin me studentët e parë që kanë zgjedhur të studiojnë gjuhën bullgare. Shtatë pjesëmarrësit e rinj morën dhurata simbolike – botime edukative kushtuar Bullgarisë dhe bluza me mbishkrimin “Alfabeti Bullgar”, si shenjë mirënjohjeje për interesimin e tyre ndaj gjuhës dhe kulturës bullgare.

Ambasadori Hristo Kraevski dhe Prof. As. Dr. Raqi Bello

FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Lektori i gjuhës bullgare në Prishtinë, Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello, u shpreh për Radio Bullgarinë:


“Ne jemi shumë të lumtur që interesi për gjuhën bullgare tashmë po shndërrohet edhe në mundësi reale për studentët. Dy prej tyre tashmë kanë shkuar me programin “Erasmus” në Universitetin e Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Metodij”, ndërsa dy të tjerë do të marrin pjesë në Seminarin Veror të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare. Kjo është dëshmia më e mirë se shkëmbimi kulturor dhe arsimor ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës po zhvillohet me sukses. Përveç kësaj, kolegë nga Universiteti i Prishtinës ishin në Universitetin e Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Metodij”, në kuadër të programit “Erasmus”, ndërsa aktualisht dy doktorantë dhe një pedagog nga Universiteti i Veliko Tërnovos, ndodhen në Universitetin e Prishtinës. Është veçanërisht simbolike që e gjithë kjo po ndodh gjatë muajit maj – muajit të alfabetit, shkrimit dhe kulturës bullgare, kur e ndiejmë edhe më shumë rëndësinë e fjalës dhe lidhjeve shpirtërore ndërmjet njerëzve. Dua të falënderoj posaçërisht Fakultetin Filologjik dhe kolegët për mbështetjen dhe bashkëpunimin e mirë, si dhe Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Prishtinë për angazhimin dhe ndihmën e vazhdueshme në zhvillimin e lektoratit të gjuhës bullgare.


FOTO: Ambasada e Bullgarisë në Prishtinë

Ngjarjet treguan se bashkëpunimi kulturor dhe arsimor ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës vazhdon të zhvillohet me sukses, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe për shkëmbimin kulturor ndërmjet dy shteteve.