Autor
Kostandina Bello
Seksion
Nga Prishtina në Veliko Tërnovo:
Forcohet bashkëpunimi akademik mes Kosovës dhe Bullgarisë
Shtunë 30 Maj 2026 21:40
Shtunë, 30 Maj 2026, 21:40
Takim në Fakultetin e Filologjisë në Veliko Tërnovo
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Madhësia e shkronjave
Në kuadër të programit Erasmus+, katër profesorë nga Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës realizuan një vizitë akademike në Universitetin “Shën Kirill dhe Metodij” të Veliko Tërnovos në Bullgari. Koordinimi i vizitës u realizua nga zonja Daniella Pandullçeva, koordinatorja e Erasmus+ në Universitetin e Veliko Tërnovos dhe Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello, lektor i gjuhës dhe kulturës bullgare në Universitetin e Prishtinës.
Delegacioni përbëhej nga Prof. Mimoza Hasani-Pllana, Prof. Valbona Gashi Berisha, Prof. Faton Ismajli dhe Prof. Alban Zeneli, të cilët sollën perspektiva të ndryshme akademike, duke kontribuar në pasurimin e dialogut ndërkulturor dhe shkencor mes dy universiteteve. Gjatë qëndrimit të tyre, ata zhvilluan ligjërata, takime me stafin akademik dhe studentët, si dhe diskutuan mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar në fusha të ndryshme.
Takim me dekanen Prof. Polina Conçeva dhe zv. dekanen Prof. Asoc. Dr. Borjana Bratanova
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Për Prof. Valbona Gashi Berishën, kjo vizitë ishte një mundësi e veçantë për të prezantuar qasje inovative në mësimdhënien e letërsisë. Ligjëratat e saj u fokusuan në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në studimin e letërsisë franceze.
“Kam pasur mundësinë të ndaj me studentët dhe kolegët bullgarë praktika të reja didaktike që integrojnë teknologjitë e IA-së në studimin e letërsisë klasike dhe bashkëkohore frënge. Kam paraqitur mjete konkrete si HeyGen, Claude, Gemini dhe platforma të tjera që mund të përdoren për: analizën e teksteve letrare frënge, krijimin e ushtrimeve interaktive për studentët, gjenerimin e videove pedagogjike, etj. Përveç kësaj kjo vizitë më ka mundësuar gjithashtu të mësoj nga përvoja e kolegëve bullgarë.” – u shpreh profesoresha në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Prof. Valbona Berisha
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Ajo e cilësoi mobilitetin si “një përvojë jashtëzakonisht të vlefshme dhe frytdhënëse”, duke theksuar se vizita krijoi hapësira të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi profesional. Sipas saj: “Bashkëpunimi ndëruniversitar është absolutisht thelbësor, sidomos në kohën kur arsimi i lartë po përballet me sfida të reja si integrimi i Inteligjencës Artificiale. Asnjë universitet nuk mund t'i përballojë vetëm këto sfida — na duhet të ndajmë përvoja, metodologji dhe mjete”.
Në këtë përvojë ajo veçoi interesimin e madh të studentëve bullgarë për temat që lidhen me Inteligjencën Artificiale dhe letërsinë, si dhe gatishmërinë e kolegëve për të vazhduar dialogun mbi didaktikën digjitale: “Interesimi i studentëve bullgarë ka qenë njëra nga befasitë më të këndshme. Ata kanë treguar kureshtje të sinqertë jo vetëm për letërsinë frënge, por edhe për lidhjet e saj me letërsinë shqipe dhe për kulturën tonë në përgjithësi.” – tregoi ajo.
Prof. Mimoza Hasani-Pllana
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Në të njëjtën frymë, Prof. Mimoza Hasani-Pllana e vlerësoi vizitën jo vetëm si një mundësi për zhvillim profesional, por edhe si një simbolikë të rëndësishme kulturore. Duke qenë se vizita u zhvillua në prag të Ditës së Alfabetit, Arsimit dhe Kulturës Bullgare, ajo nënvizoi rëndësinë e shkëmbimeve akademike në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Ky shkëmbim në kuadër të mësimdhënies, përveçse është i domosdoshëm për zhvillimin e kapaciteteve tona profesionale përmes shkëmbimit të metodologjive të mësimdhënies, është rëndësishëm edhe në rrafshin studentor. Këtë vit dy studentet tona të doktoratës në fushën e letërsisë, do të marrin pjesë në Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Bullgare që do të mbahet në muajin korrik në Veliko Tërnovo.”, tha ajo.
Gjatë qëndrimit në Veliko Tërnovo, Prof. Hasani-Pllana mbajti ligjëratën me temë “Përkthimi i letërsisë bashkëkohore shqipe në gjuhën bullgare”, e cila nxiti interesimin e studentëve për letërsinë dhe kulturën shqiptare, si dhe për pjesëmarrjen në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që mbahet çdo vit në Prishtinë gjatë muajit gusht.
Prof. Fatos Ismajli
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Nga perspektiva e gazetarisë dhe komunikimit publik, Prof. Faton Ismajli vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të dialogut akademik. “Shkëmbyem përvoja akademike dhe profesionale me kolegët bullgarë, ndërsa krijuam ura bashkëpunimi dhe rrjetëzimi në fusha me interes të përbashkët. Në këtë kuadër, u forcuan edhe kontaktet ndërmjet Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Veliko Tërnovos.”, u shpreh ai duke shtuar se është nënshkruar Marrëveshja e mobilitetit mes Departamenteve të Gazetarisë dhe shumë shpejt do të ketë edhe ardhje të profesorëve dhe studentëve bullgarë në Prishtinë si dhe mobilitet të profesorëve nga Kosova për në Bullgari në kuadër të Erasmus+.
Prof. Ismajli shprehu mirnjohjen e tij për pritjen: “Pritja nga kolegët e universitetit nikoqir ishte korrekte, profesionale dhe në frymë të bashkëpunimit akademik e kulturor. Edhe studentët ishin të interesuar për diskutime, për debat lidhur me temat që kemi trajtuar përfshirë lirinë e shprehjes dhe profesionin e gazetarisë në kohën e tranzicionit teknologjik.”
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Përtej sallave të ligjëratave dhe takimeve zyrtare, profesorët patën mundësi të njihnin nga afër edhe transformimin urban, kulturor dhe shoqëror të Bullgarisë së viteve të fundit.
“Është hera e dytë që vizitoj Bullgarinë. Prej herës së fundit, kur më 2019 kam qenë në Sofje, kësaj radhe kam vënë re ndryshime për mirë. Kam parë shumë investime të BE në secilin universitet, në salla, në laboratorë, etj. Me një fjalë, Bullgaria sot është në hap me vendet tjera të BE-së. – u shpreh për Radio Bullgarinë prof. Ismajli, por duke vënë në dukje edhe një problem - Diçka që kam parë herën e parë, por edhe tani është se në rrugët e qyteteve bullgare nuk sheh shumë të rinj e të reja, diçka e ngjashme që ka filluar të shihet edhe në Kosovë. Prandaj, mendoj se dy shtetet duhet të mendojnë më shumë për rininë dhe krijimin e kushteve edhe më të mira për ata që të mos largohen nga vendet e tyre.”
Përshtypjet e saj në lidhje me Bullgarinë i ndau me ne edhe prof. Valbona Gashi Berisha:
“Edhe pse kjo nuk ka qenë vizita ime e parë në Bullgari gjithmonë kam pasur përshtypje pozitive. Veliko Tërnovo është një qytet magjepsës — si studiuese e letërsisë frënge, nuk mund të mos bëj një paralele me qytetet e vjetra franceze si Karkasoni apo Avioni: i njëjti kombinim i historisë së lashtë me jetën kulturore të gjallë. Kalaja e Carevecit, qyteti i vjetër, rrugët e ngushta plot histori — të gjitha këto krijojnë një atmosferë që të frymëzon, ndërsa njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht të ngrohtë dhe mikpritës. ”
Prof. Alban Zeneli
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Vizita në Bullgari ishte një sukses i rëndësishem akademik dhe kulturor edhe sipas Prof. Alban Zenelit. Ai vlerësoi veçanërisht takimet me kolegët bullgarë dhe diskutimet mbi çështjet e lidhura me të drejtën dhe liritë e medias, indikatorët matës të lirisë së medias dhe sfidave bashkëkohore të gazetarisë.
“Vizita në Bullgari ka qenë jashtëzakonisht interesante dhe e dobishme për mua si profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Fillimisht, kemi pasur mundësinë të takohemi me kolegët tanë, të cilët trajtojnë përafërsisht të njëjtat çështje nga pikëpamja teorike dhe praktike. Jemi pritur jashtëzakonisht mirë në Universitetin e Veliko Tërnovos”, tha ai.
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Prof. Zeneli shtoi se përtej aspektit profesional, vizita kontribuoi edhe në njohjen më të mirë të kulturës bullgare dhe forcimin e lidhjeve njerëzore mes komuniteteve akademike.
“Ne kemi vizituar vende të cilat më herët nuk kemi pasur mundësi t’i shohim. Kjo vizitë akademike, për mua, ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme në të dyja aspektet: si nga pikëpamja akademike, ashtu edhe nga pikëpamja kulturore dhe e njohjes së çështjeve që lidhen me kulturën bullgare, ushqimin dhe kulinarinë në përgjithësi, si dhe me çështje të tjera që lidhen me studimet në fushën e medias, të cilat janë të rëndësishme për ne nga Kosova, por shpresoj dhe besoj se janë të rëndësishme edhe për kolegët tanë në Bullgari.” – shtoi ai.
Vizitë në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”
FOTO: Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës
Gjatë mobilitetit, profesorët e Fakultetit të Filologjisë kanë zhvilluar takime edhe në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku u pritën nga profesoreshat Rusana Hristova-Bejleri dhe Ekaterina Tërpomanova, të cilat ligjërojnë në Degën e Ballkanistikës dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në mësimin e gjuhës shqipe, si dhe në përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën bullgare.
Këto vizita dëshmuan se programi Erasmus+ mbetet një nga mekanizmat më të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, duke krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, mundësi të reja kërkimore dhe një shkëmbim të vazhdueshëm idesh mes universiteteve. Për profesorët pjesëmarrës, kjo vizitë nuk ishte vetëm një eksperiencë profesionale, por edhe fillimi i projekteve të reja midis Bullgarisë dhe Kosovës.
Ashtu si urat historike të Veliko Tërnovos, edhe kjo vizitë ndërtoi ura të reja dijesh, miqësie dhe bashkëpunimi, të cilat pritet të forcohen edhe më tej në vitet në vijim.