Autor
Marija Samiçkova
Seksion
Një festë me mision
Kujtimet e fëmijërisë dhe Bullgaria e lashtë marrin jetë në Las Vegas
Hënë 1 Qershor 2026 05:40
Hënë, 1 Qershor 2026, 05:40
FOTO: Marija Samiçkova
Madhësia e shkronjave
Komuniteti bullgar në Las Vegas po përgatitet për një takim të veçantë me rastin e 1 Qershorit – Ditës së Fëmijëve, i cili do të mbledhë fëmijë, prindër dhe pjesëmarrës të një ish-klase arti, të krijuar vite më parë nga artistja Violeta Vellçeva. Nisma synon jo vetëm të shënojë festën, por edhe të rikthejë kujtimin e një komuniteti krijues aktiv, i cili i bashkonte fëmijët bullgarë përmes artit, lojërave dhe projekteve edukative.
FOTO: Marija Samiçkova
Ideja është që gjatë aktivitetit të shfaqen pamje dhe fotografi arkivore nga aktivitetet artistike, ku fëmijë të moshës 8 deri në 12 vjeç kanë punuar me materiale të ndryshme, kanë krijuar projekte dhe kanë marrë pjesë në veprimtari të shumta krijuese, mes të cilave edhe një takim kulinar me pjesëmarrjen e një shefi kuzhine bullgar që punon në një restorant prestigjioz me yll Michelin.
FOTO: Facebook /Ivaylo Ivanov
Organizatorët theksojnë se shumë prej këtyre fëmijëve tashmë janë adoleshentë dhe se qëllimi i ngjarjes është që ata të takohen sërish përmes kujtimeve dhe përvojave të përbashkëta.
“Ideja është që për Ditën e Fëmijëve të rikthejmë kujtimet nga klasa e artit e Vilit këtu në Vegas dhe të ftojmë të gjithë prindërit dhe fëmijët që kanë qenë pjesë e saj, në mënyrë që të kujtojnë momentet interesante. Do të shfaqim video, fotografi dhe projekte, sepse shumë prej tyre tashmë janë rritur dhe madje nuk janë parë me njëri-tjetrin prej vitesh”, na tregoi bashkëpunëtorja jonë në Las Vegas, Marija Samiçkova, e cila është zëdhënëse e Shoqatës Bullgaro-Amerikane në Nevada – një organizatë që prej një çerek shekulli punon për krijimin dhe forcimin e komunitetit bullgar në Bregun Perëndimor. Aktiviteti i 2 qershorit organizohet në bashkëpunim me “Klubin e Librit të Las Vegas” dhe Klubin Social “Së Bashku”.
Një theks i veçantë i programit do të jetë një film i ri dokumentar, i realizuar në Bullgari, i cili do t’i prezantohet komunitetit bullgar në Las Vegas. Filmi i kushtohet Kriporeve të Provadias – një nga objektet arkeologjike më të rëndësishme në Evropë.
Projekti është realizuar nga nxënësit e Violeta Vellçevës nga qyteti bullgar Çirpan dhe rrëfen historinë e këtij vendbanimi të lashtë arkeologjik, duke ndërthurur këndvështrimin e fëmijëve, informacionin shkencor dhe një qasje krijuese. Ideja është që filmi të shpërndahet në shkollat bullgare në vend dhe në shkollat e së dielës jashtë vendit, si material edukativ për historinë dhe trashëgiminë kulturore bullgare.
FOTO: Marija Samiçkova
“Nëse një njeri ka talent dhe është zhvilluar në një fushë të caktuar, por nuk ia përcjell atë brezit të ardhshëm, kjo është mëkat. Prandaj në Amerikë krijova këtë grup të vogël, ku u përpoqa t’u mësoj fëmijëve jo vetëm të krijojnë, por edhe të përdorin teknologjinë si mjet zhvillimi dhe jo vetëm si argëtim. Të njëjtën gjë bëra edhe në Bullgari”, thotë vetë Violeta Vellçeva, e cila pas shumë vitesh në Amerikë u kthye në atdhe për t’u kujdesur për një prind të sëmurë, por puna me fëmijët dhe arti vazhdojnë të jenë misioni i saj. Pas një sërë projektesh artistike të vlerësuara me çmime, tani nxënësit e Violeta Vellçevës në qytetin e saj të lindjes, Çirpan, po punojnë për zhvillimin e aftësive të tyre në të folurin publik dhe, së bashku me historianë dhe studiues, prezantojnë në një film historinë e Kriporeve të Provadias.
FOTO: Marija Samiçkova
“Projekti për Kriporet e Provadias është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse paraqet një nga qytetërimet më të lashta në trojet tona. Fëmijët u njohën me historinë, punuan me ekspertë dhe vetë tregojnë se si u zbulua dhe çfarë përfaqëson ky vend unik”, shpjegon Violeta Vellçeva.
Sipas saj, qëllimi është që projekti të arrijë tek një audiencë sa më e gjerë, si në Bullgari ashtu edhe jashtë saj. Tashmë ekzistojnë ide që filmi të shfaqet në shkolla bullgare në Shtetet e Bashkuara, Gjermani dhe Francë.
FOTO: Marija Samiçkova
Prezantimi i parë ndërkombëtar i filmit do të mbahet në Las Vegas më 2 qershor, me rastin e Ditës së Fëmijëve. Për të pranishmit do të ketë edhe surpriza të tjera. “Na pret një pasdite e mbushur me kinema, buzëqeshje, krijimtari dhe magji fëmijërore!”, thonë organizatorët, duke shtuar se të ftuarit do të kenë kënaqësinë të shohin në para-premierë dy episode të serialit të njohur të animuar bullgar “Binjakët”, në të cilin Boris Sllavkov dhe Stefani Dojçinova rrëfejnë aventurat e jashtëzakonshme të dy lundërzave – Ida dhe Alek, që jetojnë në Kënetën e Dragomanit dhe kalojnë përmes mësimeve të rëndësishme të jetës.
FOTO: Marija Samiçkova
Kështu, dita e 2 qershorit për bashkatdhetarët tanë përtej oqeanit do të shndërrohet jo vetëm në një festë për fëmijët, por edhe në një urë që lidh brezat e bullgarëve në dy vende të ndryshme – përmes artit, edukimit dhe kujtesës së përbashkët për Bullgarinë.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello