Autor
Joan Kolev
Artikull
"Flamuri i Paqes" rikthehet nën moton "Fëmijët për paqen në planet"
Hënë 1 Qershor 2026 14:05
Hënë, 1 Qershor 2026, 14:05
FOTO: Asambleja "Flamuri i Paqes"
Madhësia e shkronjave
Më 1 qershor 2026 zhvillohet sërish asambleja e fëmijëve "Flamuri i Paqes", duke ringjallur idenë e një festivali ndërkombëtar të artit të fëmijëve. Shkak për krijimin e saj është shpallja nga OKB-ja e vitit 1979 si Viti Ndërkombëtar i Fëmijës. Komiteti për Kulturë në Republikën Popullore të Bullgarisë fillimisht planifikon të organizojë një ekspozitë ndërkombëtare të veprave të fëmijëve. Megjithatë, ideja zhvillohet më tej dhe Sofja bëhet mikpritëse e asamblesë së parë – me pjesëmarrjen e fëmijëve nga 77 shtete. Në ditën e fundit të festës 10-ditore të fëmijëve atëherë u inaugurua edhe monumenti "Flamuri i Paqes", i cili përfshin 68 kambana nga shtete të ndryshme, të cilat mund të bien vetëm nga fëmijët.
Evgenija Zhivkova
FOTO: Krasimir Martinov
Edicioni i ri i asamblesë është me iniciativën e Evgenija Zhivkovës – kryetare e fondacionit me të njëjtin emër dhe vajza e iniciatores së saj Ljudmilla Zhivkova – vajza e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bullgare Todor Zhivkov, i cili ishte përgjegjës për politikën kulturore të regjimit në Bullgari nga fundi i viteve ’70 deri në vdekjen e tij në vitin 1981.
Në fjalimin e saj për inaugurimin e monumentit "Flamuri i Paqes", Ljudmilla Zhivkova deklaron:
Ljudmilla Zhivkova
FOTO: BTA - arkiv
"Fëmijë të dashur, krijues të botës së re, kori solemn i dritës, i vendosur në spiralen e pafundme të zhvillimit, duke pasqyruar zërin e pastër dhe aspiratën e të gjithë popujve të botës, gdhendi monumentin monolitik të unitetit. Zëri i dritës ndezi zjarrin e jetës dhe bashkoi duart tuaja në emër të vëllazërisë. Në fluturimin e guximit, ëndrrat e guximshme përshkuan universin dhe ai pasqyroi pishtarët shpirtërorë të krijimtarisë. Duke ndriçuar në këngën e dritës, aspirata e mrekullueshme drejt së ardhmes ndezi zjarret e hapësirës. Tingulli i kambanave të bashkësisë, që ndriçon rrugën e guximtarëve, hapi thesarin e zemrës dhe ajo pranoi thirrjen e bukurisë. Krijues, zbulues, ndërtues, që mbani me vrull amanetin e botës së re, duke gdhendur diamantet e së ardhmes, të guximshëm dhe me krahë, ju zgjodhët rrugën e zjarrit. Në oqeanin e pafundësisë dashuria do të jetë mburoja juaj, krijimtaria do të jetë shpata juaj – çliruese, pohuese, pushtuese, fitimtare përjetësisht flakëruese, që merr frymë me bukurinë e së mirës së përbashkët."
"Flamuri i Paqes" 1979
FOTO: Asambleja "Flamuri i Paqes"
Motoja e asamblesë së parë është "Unitet, krijimtari, bukuri". Deri në vitin 1989 në lokalitetin Kambanite zhvillohen katër asamble – e para në vitin 1979, e ndjekur nga tre të tjera në vitet 1982, 1985 dhe 1988. Numri i përgjithshëm i pjesëmarrësve është 3900 fëmijë nga 138 shtete dhe 14 000 fëmijë nga Bullgaria. Gjatë festivaleve fëmijët krijojnë së bashku dhe njihen me kulturën e shteteve të tjera pjesëmarrëse.
Një himn emblematik, kushtuar Asamblesë Ndërkombëtare të Fëmijëve "Flamuri i Paqes", bëhet kënga "Përshëndetje, përshëndetje, Asambleja e Sofjes!", e krijuar në vitin 1983 me muzikë të Petër Stupel dhe tekst të Petja Jordanovës, e interpretuar nga kori "Bodra Smjana".
Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1999, Evgenia Zhivkova e rikthen "Flamurin e Paqes" në një shkallë dukshëm më modeste, me qëllimin për të ruajtur idetë e nënës së saj "për një komunikim të drejtpërdrejtë mes fëmijëve, në të cilin ata të shfaqin edhe talentet e tyre". Sipas saj, "kohët sot janë shumë më të ndryshme nga ato të asamblesë së parë", por pikërisht për këtë arsye thirrja e asamblesë "Unitet, krijimtari dhe bukuri" ka përsëri nevojë të dëgjohet nga brezi i ri i fëmijëve dhe të rinjve. Nën moton e sivjetme të asamblesë "Fëmijët për paqen në planet", pjesëmarrësit bëjnë thirrje për të drejtën më të rëndësishme njerëzore – paqen, e cila është në themel të prosperitetit të çdo kombi.
FOTO: Asambleja "Flamuri i Paqes"
Këtë vit fëmijët dhe të rinjtë janë kryesisht nga Bullgaria, ndërsa programi parashikon koncert për fëmijë dhe demonstrim të lojërave të ndryshme nga vitet ’70, ’80 dhe ’90. Në kuadër të veprimtarisë është parashikuar edhe bekimi i një kambane, të dhuruar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare, e cila do të vendoset në monumentin "Flamuri i Paqes", të vendosur në lokalitetin "Kambanite" në lagjen "Mlladost".
FOTO: Asambleja "Flamuri i Paqes"
Monumenti është 37 metra i lartë dhe përfaqëson 4 pilona vertikalë prej betoni, që tregojnë drejt katër anëve të botës. Në majë ata formojnë një sferë të madhe ajrore, në të cilën janë varur 7 kambana, që simbolizojnë shtatë kontinentet. Në pjesën e poshtme të tij ka edhe 20 kambana të tjera, të quajtura "këngëtarët", me të cilat së bashku me 7 kryesoret mund të interpretohen vepra muzikore. Ai është i rrethuar nga dy gjysmërrethe horizontale me gjatësi 60 metra, ku janë varur kambanat e dhuruara nga shtetet pjesëmarrëse.
Fakte interesante që lidhen me monumentin janë se kambana origjinale më e vjetër në të është nga shekulli XI, kambana bullgare peshon 1300 kilogramë për nder të 1300-vjetorit të themelimit të shtetit tonë dhe në vitin 2002 u vendos kambana e parë pas vitit 1989, e cila është dhuratë personale nga Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Bullgari.
Në "Fondin e Artë" të Radios Kombëtare Bullgare ruhet një regjistrim i këngës "Flamuri i Paqes", me muzikë të Dimitër Petkovit dhe tekst të Asen Bosevit, nga koncerti i Korit të Fëmijëve të Radios më 1 qershor 1979.
Ata që dëshirojnë të dëgjojnë tingullin autentik të kambanave, mund ta bëjnë këtë edhe në një regjistrim të ruajtur në "Arkivin e Artë" të Radios Kombëtare Bullgare.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski