EKONOMI

Artikull

Bullgaria me mungesën më të madhe të fuqisë punëtore në BE

40% e kompanive hasin vështirësi

Hënë, 1 Qershor 2026, 18:03

Bullgaria me mungesën më të madhe të fuqisë punëtore në BE

FOTO: Pixabay

Madhësia e shkronjave

Bullgaria është shteti anëtar i Bashkimit Evropian ku punëdhënësit hasin vështirësitë më të mëdha në gjetjen e punonjësve të kualifikuar. Sipas të dhënave nga sondazhi i fundit i “Eurobarometrit”, 40% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend e vlerësojnë procesin si “shumë të vështirë”, ndërsa mesatarja në BE është 24%. Një tjetër 18% e konsiderojnë atë “më tepër të vështirë”. Më pak probleme në këtë drejtim në BE ka Holanda, raporton korrespondentja jonë në Bruksel, Angelina Piskova.

Sipas sondazhit, vetëm 2% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Bullgari janë përpjekur të punësojnë punëtorë nga vende të tjera të BE-së, ndërsa 7% kanë kërkuar fuqi punëtore nga vende të treta. Nga kompanitë që megjithatë kanë punësuar punëtorë jashtë BE-së, 51% e vlerësojnë procesin e punësimit si të vështirë, krahasuar me 54% mesatarisht në BE.

Kompanitë bullgare më shpesh kanë kërkuar punonjës jashtë BE-së për profesione në fushat e instalimeve hidraulike, sistemeve të ngrohjes dhe ventilimit, si dhe në përpunimin e metaleve (18%), shoferë dhe operatorë transporti (14%), specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (12%), punëtorë të kualifikuar ndërtimi (12%) dhe inxhinierë të elektroteknikës dhe elektronikës (11%).

Pengesa kryesore për punësimin e punëtorëve nga vende të treta, sipas ndërmarrjeve bullgare, janë procedurat administrative dhe të imigracionit të ndërlikuara dhe të gjata, vështirësitë në integrimin e punonjësve në kulturën e kompanisë, problemet në gjetjen e kandidatëve të përshtatshëm, barrierat gjuhësore dhe njohja e kualifikimeve dhe aftësive.

Sondathi është realizuar midis 1 dhe 17 dhjetor 2025, në një kampion prej 12 900 ndërmarrjesh të vogla dhe të mesme në BE, përfshirë 503 në Bullgari.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova