EKONOMI

Artikull

Ekonomistët e BAN parashikojnë stagflacion deri në vitin 2028

Martë, 2 Qershor 2026, 13:23

Ekonomistët e BAN parashikojnë stagflacion deri në vitin 2028

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Në dy vitet e ardhshme, për ekonominë bullgare pritet një periudhë stagflacioni, që nënkupton rritje më të ulët ekonomike, inflacion më të lartë dhe dobësim të pozicionit fiskal dhe të jashtëm. Kjo thuhet në raportin vjetor të Institutit për Kërkime Ekonomike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (BАН), me titull “Zhvillimi ekonomik dhe politikat në Bullgari: vlerësime dhe pritshmëri”, i cili paraqet parashikime deri në vitin 2028.

Sipas studiuesve, perspektiva bazë mbetet relativisht e favorshme, por në kushtet e një pasigurie të shtuar të jashtme. Parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike: në vitin 2026 Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real pritet të rritet me 1.6%, në vitin 2027 me 2.5%, ndërsa në vitin 2028 me 3.5%. Inflacioni pritet të ulet gradualisht, por me ritëm të ngadaltë: 3.7% këtë vit, 2.9% në 2027 dhe 2.4% në 2028.

Sipas ekonomistëve, edhe në një skenar optimist nuk arrihet automatikisht stabilizimi i dinamikës së borxhit publik. Kjo, sipas tyre, kërkon një politikë fiskale të kujdesshme, ruajtjen e rezervave ndaj goditjeve energjetike dhe logjistike, si dhe monitorim të vazhdueshëm të inflacionit, normave të interesit dhe nivelit të borxhit. Studiuesit theksojnë se nuk është e qëndrueshme që shpenzimet e përhershme sociale dhe administrative të financohen përmes rritjes së borxhit publik.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova