TURIZËM

Artikull

Vera 2026: Numër rekord i turistëve dhe kontrolle përgjatë bregdetit bullgar

Pushuesit në Bullgari mund të paraqesin sinjale për shkelje në institucione të ndryshme

Mërkurë, 3 Qershor 2026, 07:00

Vera 2026: Numër rekord i turistëve dhe kontrolle përgjatë bregdetit bullgar

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Sezoni veror turistik përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi filloi zyrtarisht më 1 qershor. Për vitin e kaluar, Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Ministria e Turizmit raportuan një rritje rekord prej 9,8% të regjistrimeve të turistëve të huaj, si dhe një rritje prej 2,9% të pushuesve bullgarë në bazë vjetore. Rritja e netqëndrimeve në vend me rreth 4% e vendosi Bullgarinë ndër 10 vendet kryesore në Bashkimin Evropian sipas ritmit të rritjes së tyre, ndërsa të ardhurat për periudhën janar–nëntor 2025 arritën pothuajse 3,9 miliardë euro.

Cilat janë pritshmëritë për këtë vit? Për sezonin veror, Ministria e Turizmit raporton një rritje prej 3% të rezervimeve të hershme, duke parashikuar një rritje të turistëve me rreth 5% krahasuar me vitet e mëparshme. Plazhet përgjatë të gjithë bregdetit të Detit të Zi janë plotësisht të gatshme për të pritur vizitorët, ndërsa organet e kontrollit kanë filluar kryerjen e inspektimeve. Të dhënat për rezervimet paraprake tregojnë interes të qëndrueshëm – në top 3 të destinacioneve më të kërkuara për turizmin masiv renditen resortet tona bregdetare Sllënçev Brjag, Zllatni Pjasëci dhe Allbena.

FOTO: BGNES

Faktorët kyç. Vera e vitit 2026 është e para me euro. Biznesi pret që heqja e tarifave për këmbimin valutor të lehtësojë pagesat dhe të tërheqë më shumë turistë individualë nga Evropa Perëndimore dhe Qendrore, ndërsa aeroportet e Varnës dhe Burgasit presin turistë sipas rregullave të lehtësuara të Shengenit për transportin ajror. Nuk është pa rëndësi fakti se në tregun ndërkombëtar Bullgaria ruan imazhin e saj si një destinacion i sigurt, i qetë dhe i përballueshëm – çmimet mbeten rreth 20% më të ulëta në krahasim me Greqinë dhe Turqinë. Me certifikatën botërore ekologjike për pastërtinë “Flamuri Blu”, këtë vit janë nderuar 26 plazhe dhe gjashtë porte përgjatë bregdetit bullgar të Detit të Zi, që është numri më i lartë i objekteve të certifikuara në historinë e vendit.

FOTO: blueflag.bg

Tregjet tradicionale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, më i madh është interesi për pushimet familjare të organizuara dhe udhëtimet me paketa turistike. Fluksi kryesor i turistëve të huaj me rezervime paraprake vjen nga Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Çekia dhe Rumania. Këtë vit vërehet interes i shtuar edhe nga grupet e organizuara nga Franca dhe Izraeli. Sa i përket turistit bullgar, ai në masë të madhe mbështetet në shërbimin “last minute” dhe pushimet gjatë fundjavave dhe festave zyrtare, dhe aktualisht sjellja e tij vështirë se mund të parashikohet.

FOTO: BGNES

Fluturimet çarter. Për sezonin veror të vitit 2026, aeroporti i Varnës mbetet pa fluturime të drejtpërdrejta çarter nga Mbretëria e Bashkuar. Për udhëtimin ndërmjet Ishullit dhe Varnës është e nevojshme përdorimi i kompanive ajrore të rregullta me kosto të ulët ose standarde, të cilat kryejnë fluturime të drejtpërdrejta. Fluksi çarter është orientuar tërësisht drejt aeroportit të Burgasit në bregdetin jugor të Detit të Zi. Drejtimet e tjera kryesore çarter nga Gjermania, Polonia, Çekia, Austria, Zvicra dhe Izraeli mbështeten intensivisht, ndërsa disa prej tyre – me frekuencë të dyfishuar. Të dy aeroportet disponojnë një program të gjerë çarter që lidh bregdetin bullgar të Detit të Zi me më shumë se 20 shtete evropiane.

FOTO: varna-airport.bg

Kontrolle të rrepta. Nga 1 qershori fillojnë kontrolle masive në të gjitha plazhet bullgare. Inspektimet kryhen së bashku nga disa institucione, ndërsa organet e kontrollit monitorojnë praninë e numrit të detyrueshëm të shpëtimtarëve të ujit dhe pikave mjekësore, certifikatat dhe gjendjen teknike të atraksioneve ujore dhe motoçikletave të ujit, normat sanitare-higjienike, aktivitetin tregtar dhe kontrollin fiskal etj. Gjatë sezonit aktiv veror ndalohet shëtitja dhe qëndrimi i kafshëve shtëpiake në plazhet e ruajtura. Ndalimi nuk vlen vetëm për qentë udhërrëfyes të certifikuar që shoqërojnë persona me aftësi të kufizuara.

FOTO: BGNES

Harta interaktive e plazheve. Ministria e Turizmit prezantoi një hartë interaktive të përditësuar të plazheve. Koncesionarët janë të detyruar të shpallin dhe të ndryshojnë çmimet e çadrave dhe shezlloneve në kohë reale në sistem, me qëllim që të shmanget fryrja artificiale e faturave në vend. Informacioni përditësohet pas çdo inspektimi në terren.

FOTO: Ministria e Turizmit

Telefona të rëndësishëm. Në rast se vëreni shkelje ose parregullsi në plazhet bullgare, mund të paraqisni një sinjal pranë organeve përkatëse të kontrollit.

Numri unik evropian për thirrje emergjente: 112

Ministria e Turizmit

Tel.: 02 904 67 99 gjatë orarit të punës

Tel.: 02 9046 831 jashtë orarit të punës (pas orës 19:00) dhe gjatë ditëve të pushimit

E-mail: control@tourism.government.bg

Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorëve (KZP)

Telefoni kombëtar i konsumatorit: 0700 111 22 (me tarifën e një telefonate lokale)

Agjencia Kombëtare e të Ardhurave (NAP)

Qendra informative dhe telefoni për sinjale: 0700 18 700 ose +359 2 9859 6801 (për telefonata nga jashtë vendit)

E-mail: infocenter@nra.bg

Policia Bashkiake dhe Inspektorati (UKORS) – Burgas    (https://www.burgas.bg/bg/administratsia )  dhe Varna   (https://www.varna.bg/bg/105 )

Burgas – 056 841 560; 0885 009670 (telefon kujdestar 24 orë)

Pjesa kujdestare e Drejtorisë Rajonale të MPB-së – Varna: 052 615 166

FOTO: BGNES

Përpiloi: Desisllava Semkovska

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski