Autor
Joan Kolev
Artikull
Kulla e Ujit Art Fest – tashmë në 20-vjetorin e saj
Një nga skenat e artit bashkëkohor në vendin tonë
Enjte 4 Qershor 2026 20:00
Enjte, 4 Qershor 2026, 20:00
FOTO: Facebook/Water Tower Art Fest
Madhësia e shkronjave
Mbijetesa e artit të pavarur është një “mision i mundur” dhe dëshmi për këtë është festivali ndërkombëtar i arteve bashkëkohore “Water Tower Art Fest”, i cili në vitin 2026 feston jubileun e tij të 20-të. Festivali është i njohur për faktin se shndërron hapësira urbane jo tipike në skena për art bashkëkohor, ndërsa në edicionin jubilar do të marrin pjesë artistë nga 14 shtete.
FOTO: watertowerartfest.com
Krijuese dhe organizatore e tij është Nija Pushkarova, e diplomuar për arte të bukura në Universitetin e Reading-ut, në Mbretërinë e Bashkuar. Pas diplomimit ajo kthehet në Sofje, ku punon edhe sot. Në vitin 2006, me një iniciativë për pastrimin e hapësirës rreth Kullës së Ujit të braktisur në lagjen Llozenec, lindi edhe ideja e festivalit – për hapësirat alternative që arti mund t’i transformojë në vende, funksioni i të cilave mund të rimendohet. “Leximi i ri i objekteve arkitekturore dhe komunikimi me krijuesit janë gjëra që e bëjnë të kuptueshëm artin, i cili për njerëzit e zakonshëm është i pakuptueshëm” – mendon Nija Pushkarova:
Nija Pushkarova
FOTO: Joan Kolev
“Këtë histori e kam treguar shumë herë, për këtë vizion të një të ardhmeje të përbashkët që pashë, ndërsa kaloja pranë kullës së lënë pas dore, e cila prej 50 vitesh nuk është përdorur. Është interesante deri ku më çoi ky impuls. ‘Vende me kujtesë gjeografike’ është termi që më pëlqen të përdor dhe që tërhoqi njerëz nga e gjithë bota – kujton Nija në një intervistë për Radio Bullgarinë. – Tashmë kemi një platformë me njerëz me mendësi të përbashkët nga të gjitha kontinentet, me të cilët jemi gjetur intuitivisht dhe vazhdojmë të jemi në kontakt për shkak të këtij misioni të parë. Arti nuk është diçka e veçuar. Sepse ky art i pakuptueshëm për njerëzit e zakonshëm, të cilët madje nuk kanë hyrë kurrë në galeri, papritur bëhet i kuptueshëm – kur përballen me këta njerëz që kanë dhënë interpretimin e tyre të një hapësire, historie ose arkitekture posaçërisht për ngjarjen. Dhe kjo distancë eliminohet nga ky art bashkëkohor që duket frikësues – në fakt këto janë mendimet e njeriut bashkëkohor në kohën bashkëkohore.”
FOTO: watertowerartfest.com
E nisur si një iniciativë e vogël artistike, “Water Tower Art Fest” gradualisht u shndërrua në një nga platformat e pavarura më jetëgjata për art bashkëkohor, duke arritur që për dy dekada të përfshijë mbi 600 artistë nga e gjithë bota. E ndihmojnë fondacione për mbështetjen e artit si fondacioni zviceran “Pro Helvetia”, programe si Kalendari Kulturor i Sofjes, si dhe institute kulturore nga Polonia, Austria, Gjermania dhe Spanja.
FOTO: watertowerartfest.com
Kështu rezulton se nuk është aq e vështirë sa duket. Njerëzit e artit vazhdimisht kërkojnë njerëz me mendësi të përbashkët dhe madje distancat midis kontinenteve nuk janë pengesë për ndarjen e ideve. Sipas Nija Pushkarovës, në këtë festival nuk ka autorësi të idesë, por ka bashkim, përjetim të përbashkët dhe empati për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ndërsa takimet e tyre janë frymëzim për vepra dhe projekte të ardhshme:
FOTO: watertowerartfest.com
“Nuk kishte aspak nevoja t’i lutesha dikujt, përkundrazi duhej të kërkoja falje që nuk mund t’i pranonim të gjithë. Sepse platforma ishte mjaftueshëm e fortë si koncept në vetvete për të tërhequr kaq shumë njerëz. Njerëzit e artit kërkojnë këto anije që t’i lidhin mes tyre përmes ideve. Ata janë të gatshëm të udhëtojnë miliona kilometra vetëm për të takuar njerëz me mendësi të përbashkët në atë që bëjnë. Ata e njohën këtë në idetë e mia. Kështu që ne frymëzojmë njëri-tjetrin dhe ishte e vështirë të zgjidhej mes të gjitha këtyre propozimeve. Me shumicën e këtyre njerëzve mbetëm miq dhe është e mundur t’i shihni disa prej tyre këtë qershor.”
FOTO: watertowerartfest.com
Edicioni i njëzetë i Water Tower Art Fest është një ftesë për takime me artin bashkëkohor në disa hapësira në Sofje – në One Gallery, Figura Art Space dhe Muzeun e Artit Bashkëkohor “Sofijski Arsenal”, ku vizitorët do të mund t’i përjetojnë ngjarjet drejtpërdrejt dhe të takohen me disa nga artistët. Festivali hapet më 7 qershor, ndërsa ngjarja jubile dhe mbyllja do të zhvillohen më 27 qershor pranë Kullës së Ujit në Llozenec, aty ku ai lindi. Mesazhi i artistëve është i qartë – kulla nuk duhet të braktiset përsëri, por të funksionojë si hapësirë arti për realizimin e ideve të artistëve bashkëkohorë. “Nevojitet vetëm pak vullnet politik, sepse mjetet mund të gjenden – vetë kultura mund të jetë një faktor ekonomik”, thotë Nija Pushkarova:
FOTO: plus359gallery.com
“Ky vend është vërtet i jashtëzakonshëm, por nëse nuk do ta kisha motivuar vetveten, kjo nuk do të kishte ndodhur. Unë nuk do të hyj në politikë, nuk mund të përmbush funksionet e shtetit, por do të vazhdoj të bëj atë që bëj dhe duket se kjo shkakton ndryshime në funksionet dhe e ndryshon shoqërinë, pasi kjo kullë megjithatë u shndërrua në galeri. Unë nuk jam institucion, megjithëse duket sikur u bëra e tillë. Unë jam një artiste e zakonshme që ka një vizion dhe e ndjek atë gjatë viteve. Si çdo njeri, edhe unë dyshoj në veten time. Prandaj dua të shtoj: mos dyshoni në veten tuaj, jini pak më të sigurt. Sepse në fakt kjo është ajo që mund t’ju çojë përpara.”
Një nga ngjarjet në kuadër të festivalit (më 25 qershor) është një diskutim që do të vendosë fokusin edhe mbi temën e brishtësisë së lirisë artistike dhe nëse ekzistojnë forma alternative të financimit të artit të pavarur. Mikpritës i tij është Qendra Rajonale për Arte Bashkëkohore “Topllocentralla”. Programin e festivalit mund ta gjeni në faqen e tij zyrtare në internet, ndërsa të gjitha ngjarjet që janë pjesë e tij janë me hyrje të lirë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski