MUZIKË

Artikull

Familja muzikore Vlladigerovi i jep jetë kinemasë së heshtur në Bullgari

Mërkurë, 3 Qershor 2026, 13:56

Familja muzikore Vlladigerovi i jep jetë kinemasë së heshtur në Bullgari

FOTO: wladigeroff.com

Madhësia e shkronjave

Trioja “Vlladigerovi”. Në këtë format shpesh paraqiten nipërit e kompozitorit të shquar bullgar Panço Vlladigerov (1899–1978), i njohur për rapsodinë e tij të famshme “Vardar”, krijuar në vitin 1922 si një pjesë virtuozе për violinë dhe piano për repertorin koncertor të vëllezërve Panço dhe Ljuben Vlladigerovi. Sot nipërit e Panço Vlladigerovit vazhdojnë veprën e tij si muzikantë virtuozë të xhazit. 

Trioja përfshin Aleksandrin (trumbetë), Konstantinin (piano) dhe motrën e tyre Ekaterina Vlladigerova (gjithashtu piano). Fryma artistike në familje ka përcaktuar edhe hapat e tyre të parë në muzikë. Së bashku ata kanë mbajtur shumë koncerte në Londër, Zagreb, Budapest, Tel Aviv dhe, sigurisht, në Vjenë, ku familja ka zgjedhur të jetojë prej më shumë se 15 vitesh. 

Panço Vlladigerov

FOTO: lostbulgaria.com

Me rastin e 120‑vjetorit të lindjes së “patriarkut të muzikës bullgare”, siç quhet Panço Vlladigerov, të gjithë pasardhësit e tij u mblodhën në Sallën Kamerale “Bullgaria” në Sofje dhe interpretuan përpunimet e tyre mbi veprat gjeniale të paraardhësit të tyre të shquar. Dihet se vetë Ajnshtajni ka uruar Panço Vlladigerovin për rapsodinë e tij “Vardar”. Kompozitori bullgar e ka njohur personalisht Ajnshtajnin nga koha kur ka jetuar në Berlin.

“Mendoj se vitet e fundit Vlladigerov ishte pak i harruar tek ne dhe në botë nga institucionet e mëdha dhe orkestrat simfonike, por pas vitit 2019 mori më shumë vëmendje dhe respekt, të cilat i meriton” – thotë Konstantini nga Trioja “Vlladigerovi” në një intervistë për një botim austriak.

FOTO: wladigeroff.com

Tani dy vëllezërit janë sërish në Sofje për të vazhduar edhe një nga traditat e vendosura nga gjyshi i tyre gjatë qëndrimit të tij në Berlin. Në fillim të shekullit XX, si student, Panço Vlladigerov ka shoqëruar në piano projeksione të filmave pa zë në teatro të ndryshëm. Sot kjo është shndërruar pothuajse në një traditë familjare dhe vëllezërit Vlladigerovi dalin sonte në skenën e një klubi të njohur të kryeqytetit, ku do të shoqërojnë me muzikë live filmat e heshtur të artistit të madh Charlie Chaplin. Publiku do të zhytet në atmosferën e viteve 1916–1917. “Muzika për filmat krijohet në kohë reale – spontanisht, emocionalisht dhe e frymëzuar nga ajo që ndodh në ekran”, thonë vëllezërit Vlladigerovi.

FOTO: “Kinemaja e heshtur dhe muzika live: Charlie Chaplin”

Në kryeqytet ata marrin pjesë në projekte të ndryshme muzikore, luajnë së bashku me Filarmoninë e Sofjes, me Big Bendin e Radios Kombëtare Bullgare dhe me shumë të tjerë. “Profesioni i muzikantit në familjen tonë transmetohet nga brezi në brez prej 150 vitesh; madje shpesh i themi njëri‑tjetrit se është shumë e vështirë të bëjmë diçka tjetër përveç muzikës. Nuk është gjithmonë e lehtë, por edhe në momentet e vështira nuk e kemi imagjinuar kurrë veten si diçka tjetër përveçse muzikantë. Dhe në të vërtetë komunikojmë vazhdimisht – jo vetëm me fjalë, si njerëzit e zakonshëm, por shumë më tepër përmes gjuhës së muzikës”, thotë në një intervistë për Radio Bullgarinë Ekaterina Vlladigerova.

Ekaterina Vlladigerova

FOTO: wladigeroff.com

“Prezantuan dy vepra tona nga albumi ‘Për gjërat e mëdha dhe të vogla’. Të njëjtin titull e zgjodhën edhe për filmin dokumentar që realizuan rreth nesh para rreth dy vitesh. Aty vendosën të tregojnë historinë tonë familjare me propozimin e lektoratit në Vjenë për të bërë një dokumentar. Më e rëndësishmja në një album është përmbajtja muzikore, kompozimet gjithashtu. Kur formohet paleta muzikore, atëherë edhe titulli kristalizohet vetvetiu në fund, sipas asaj se çfarë është përmbajtja muzikore.

Unë kam përfunduar studimet në Akademinë Muzikore ‘Panço Vlladigerov’ në Sofje, në fakultetin e teorisë së muzikës, me specializim në dirigjim koral nën drejtimin e prof. Mirosllav Popsavov. Më pas kam studiuar në Universitetin e Vjenës gjithashtu dirigjim dhe korepeticion operistik. Vëllezërit e mi kanë përfunduar shkollën e mesme të muzikës ‘Ljubomir Pipkov’ dhe më pas erdhën në Vjenë. Unë u largova atje në vitin 1996, ndërsa ata u bashkuan në vitin 1997; ata kanë përfunduar departamentin e xhazit në Konservatorin e Vjenës.”

Pasardhësit e Panço Vlladigerovit kanë krijuar shumë kontakte në rrethet muzikore në Vjenë dhe në mbarë botën. Ata gëzojnë një rreth të gjerë miqsh dhe admiruesish. Dhe megjithëse udhëtojnë shumë nëpër botë, ata kurrë nuk e humbin lidhjen me Bullgarinë. Çdo muaj kthehen për koncerte në Sofje, ose në qytete të tjera, janë të njohur në vend dhe priten si mysafirë të dëshiruar në skenë. “Familja jonë është e madhe, shpesh na thonë se jemi një dinasti muzikore”, thotë Ekaterina Vlladigerova. Ajo është mirënjohëse që pikërisht Trioja “Vlladigerovi” është ftuar të marrë pjesë në projektin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës “Historitë e pathëna të bullgarëve”.

FOTO: Bulfoto

“Sepse ne shumë herë kemi pasur kontakte me komunitete të ndryshme nëpër botë, ku kemi qenë të ftuar si muzikantë, dhe e di me çfarë energjie dhe dashurie njerëzit atje i mbrojnë rrënjët e tyre. Shumë herë e kemi ndarë këtë emocion së bashku me ta. Si vijnë njerëzit pas koncerteve, për shembull në Kanadanë e largët ose në Mbretërinë e Bashkuar, dhe gjithmonë na qasen me atë ngrohtësi të ruajtur bullgare, me respekt dhe me një atdhedashuri të sinqertë. Madje ndonjëherë kam menduar se njerëzit që jetojnë larg Bullgarisë ruajnë një ngrohtësi ndaj vendit të tyre edhe më shumë sesa ata që jetojnë në atdhe dhe përballen çdo ditë me problemet dhe zhgënjimet e pashmangshme.”

FOTO: wladigeroff.com

Pianistja Ekaterina Vlladigerova thotë se si trio ata mësojnë vazhdimisht nga krijimtaria e gjyshit të tyre të shquar, Panço Vlladigerov, dhe e rizbulojnë atë me çdo provë të re. Ne nuk e njohim një pjesë mjaft të madhe të veprave të kompozitorit Panço Vlladigerov. “Dhe në këtë kuptim jemi larg nga përfshirja e gjithë krijimtarisë së tij, por punojmë dhe përpiqemi gjithmonë të fusim në programin e trios vepra të reja dhe të painterpretuara më parë, sepse Vlladigerov ka një opus të jashtëzakonshëm dhe ka vendosur themelet e gjithë muzikës klasike orkestrale bullgare. Prandaj i duam të gjitha veprat e tij dhe gjithmonë synojmë t’i zhvillojmë nga një këndvështrim më bashkëkohor muzikor”, thotë në përfundim Ekaterina – pasuese dhe trashëgimtare e familjes Vlladigerov.


Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:


Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva