EKONOMI

Artikull

Qeveria emëroi një administrator të ri të posaçëm tregtar për “Lukoil Bullgaria”

Mërkurë, 3 Qershor 2026, 16:18

Qeveria emëroi një administrator të ri të posaçëm tregtar për “Lukoil Bullgaria”

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Qeveria shkarkoi Rumen Specov nga detyra e administratorit të posaçëm tregtar të "Lukoil Bullgaria" dhe në vend të tij emëroi Evgeni Simeonov, punonjës në Ministrinë e Ekonomisë. Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministër të ekonomisë, Aleksandër Pulev, arsyet e këtij vendimi janë të shumta dhe komplekse. Ai theksoi se përvoja e mëparshme profesionale e Rumen Specovit nuk ka ofruar garanci të mjaftueshme për menaxhimin e proceseve të ndërlikuara në tregun e naftës dhe të produkteve të naftës. Një argument tjetër është se nuk është paraqitur plani gjashtëmujor i rimëkëmbjes për shoqëritë që ndodhen nën kontrollin e administratorit të posaçëm tregtar. Gjithashtu, sipas ministrit, kanë munguar raportet e hollësishme profesionale që do ta ndihmonin shtetin në rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit. Ministri shtoi se disponon informacione të klasifikuara, të cilat nuk mund t’i bëjë publike: “Ky është një vendim që lidhet me sigurinë kombëtare dhe me synimin tonë për të pasur një proces transparent të formimit të çmimeve, si dhe çmime konkurruese të karburanteve në tregun me pakicë, në dobi të konsumatorëve.”


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova