SHOQËRI

Artikull

Kriminelët kibernetikë nuk sulmojnë vetëm telefonin, por edhe psikikën

Shenja e parë që një fëmijë po përballet me vështirësi në botën digjitale është ndryshimi i sjelljes – ai ose ajo bëhet më i/e tërhequr në vetvete, shfaq agresivitet ose ankth

Enjte, 4 Qershor 2026, 07:11

Kriminelët kibernetikë nuk sulmojnë vetëm telefonin, por edhe psikikën

FOTO: Freepik.com

Madhësia e shkronjave

Të mbyllur në sigurinë iluzore të shtëpisë, djem dhe vajza kalojnë orë të tëra në një botë virtuale, ku një kërcënim i padukshëm – pa lënë gjurmë fizike – depërton në dhomën e fëmijës përmes ekranit të pajisjeve elektronike. Në këtë realitet paralel, ata shpesh nuk e kuptojnë se në anën tjetër të komunikimit nuk ndodhet gjithmonë një person i zakonshëm, por mund të jetë një kriminel i sofistikuar kibernetik, i cili përdor si mjete inteligjencën artificiale, profile të rreme dhe teknika psikologjike të përpunuara dhe të provuara në praktikë.

Tri rreziqet më të mëdha me të cilat përballen të rinjtë në internet janë: manipulimi nga grabitqarët digjitalë, mashtrimet financiare përmes lojërave dhe aplikacioneve të ndryshme, si dhe rrjedhja e të dhënave personale që më pas përdoren për shantazh dhe zhvatje. Këtë e thekson Prof. Dr. Ilin Savov, doktor i shkencave dhe ekspert ndërkombëtar i sigurisë kibernetike dhe parandalimit të krimit kibernetik, me mbi 25 vjet përvojë profesionale në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë. Sipas tij, rreziku kryesor sot nuk është teknologjia, por kriza e besimit. "Fëmijët mendojnë se po komunikojnë me bashkëmoshatarët e tyre në platformat e lojërave online, por shpesh në anën tjetër ndodhen kriminelë", shpjegon ai.

Prof. Dr. Ilin Savov

FOTO: Arkiv Personal

"Kriminelët kibernetikë veprojnë në disa nivele – ata nuk sulmojnë thjesht sistemin ose telefonin, por synojnë vetë psikikën e fëmijëve dhe adoleshentëve - thotë eksperti i sigurisë kibernetike.  - Ata fillimisht përpiqen të fitojnë besimin e viktimës. Këtë e arrijnë duke krijuar profile të rreme, duke shtirur interesa të përbashkëta, duke ndërtuar lidhje emocionale ose duke ofruar lloje të ndryshme ndihme dhe shërbimesh. Në fillim kërkojnë fotografi, më pas informacione personale, adresa dhe gradualisht i përfshijnë fëmijët në një lojë që me kalimin e kohës shndërrohet në shantazh dhe zhvatje. E gjithë kjo fuqizohet nga inteligjenca artificiale – sot mund të imitohen zëra, fotografi, madje edhe identitete të tëra. Me fjalë të tjera, viti 2026 pritet të jetë viti i imitimit inteligjent të realitetit. Inxhinieria sociale është arma e re e kriminelëve kibernetikë: fillimisht fitojnë besimin e fëmijëve dhe më pas e përdorin atë si armë kundër tyre."

FOTO: Drejtoria e Përgjithshme për Luftimin e Krimit të Organizuar (GDBOP) – seksioni i krimit kibernetik

Por si mund ta kuptojnë prindërit në kohë se diçka nuk shkon me fëmijët e tyre?

"Për të dalluar nëse një fëmijë po përballet me probleme në mjedisin digjital, është shumë e rëndësishme që prindi të jetë i informuar dhe i përgatitur", shpjegon Prof. Ilin Savov. Shenja e parë është ndryshimi në sjellje – fëmija fillon të tërhiqet në vetvete, të fshehë telefonin, të shfaqë agresivitet ose ankth në ambientin familjar. Fatkeqësisht, shumë prindër e nënvlerësojnë rrezikun real që vjen nga bota digjitale dhe nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur. Por ky rrezik është real dhe i pranishëm çdo ditë. Prandaj, puna me prindërit është po aq e rëndësishme sa edhe puna me fëmijët.

"Kjo duhet të jetë pjesë e një politike shtetërore, e orientuar drejt edukimit dhe informimit të prindërve për sfidat dhe rreziqet që i presin – është i bindur eksperti i sigurisë kibernetike. – Fëmijët rrallëherë i tregojnë me fjalë problemet që përjetojnë; ata i shfaqin ato përmes sjelljes së tyre. Pikërisht heshtja e tyre është sinjali më alarmues. Prindi duhet të jetë i pajisur me njohuri digjitale, jo thjesht i shqetësuar apo i brengosur."

Reagimi i institucioneve është thelbësor për përballimin e këtij fenomeni, i cili po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese shoqërore. Sa seriozisht trajtohet kjo formë kriminaliteti në vend, a ekzistojnë statistika për zbulimin e këtyre rasteve dhe çfarë masash ndëshkuese parashikon ligji – janë pyetje që ende presin përgjigje të qarta dhe efektive.

FOTO: freepik.com

"Këto janë forma relativisht të reja të kriminalitetit në epokën moderne, por shqetësues është fakti se ende nuk jemi mjaft të përgatitur për t’i zbuluar dhe hetuar - thotë prof. Ilin Savov. - Ato janë ndër krimet më komplekse, sepse pasojat e tyre shtrihen në kohë dhe ndikimi i tyre përhapet zinxhir tek të gjithë anëtarët e familjes. Këto vepra penale janë të parashikuara në Kodin Penal, por realiteti është se ato evoluojnë më shpejt sesa mekanizmat dhe sistemet që synojnë t'i luftojnë. Zbulimi dhe hetimi i tyre mbetet një sfidë e madhe, pasi autorët veprojnë përtej kufijve shtetërorë, ndërsa provat digjitale mund të manipulohen relativisht lehtë. Kësaj duhet t’i shtojmë edhe faktin se një pjesë e konsiderueshme e punonjësve të policisë nuk kanë ende përgatitjen e nevojshme për të hetuar krime të tilla. Sot beteja nuk është vetëm juridike; ajo është gjithashtu teknologjike dhe psikologjike. Ligjet ekzistojnë, por kriminelët po përshtaten dhe po zhvillohen më shpejt se mekanizmat e mbrojtjes. Kriminaliteti kibernetik nuk njeh kufij – as gjeografikë dhe as teknologjikë. Ai depërton thellë në psikologjinë njerëzore, duke krijuar një formë të re të kriminalitetit hibrid në botën digjitale."

FOTO: Facebook/ Ilin Savov

Eksperti i sigurisë kibernetike është i prerë në qëndrimin e tij se Kodi Penal duhet të përditësohet, ndërsa Kodi i Procedurës Penale duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me metodat dhe mjetet më moderne për mbledhjen e provave. Po ashtu, ai thekson se policët duhet të “pajisen” me mjete të avancuara, me të cilat të veprojnë në botën digjitale.

“Vitet e fundit, shteti filloi të zgjohet, edhe pse ngadalë, por jo kudo dhe jo në mënyrë mjaftueshëm sistematike – thekson Prof. Ilin Savov. - Kur hyj në një shkollë të caktuar, shoh se nxënësit duan të kuptojnë më shumë, ndërsa mësuesit duan të ndihmojnë, por shpesh nuk kanë mjetet e duhura. Planet mësimore nuk janë të mbushura me lëndë që i ndihmojnë fëmijët në këtë drejtim. Dhe nëse përmenden rreziqet digjitale, kjo bëhet në mënyrë sipërfaqësore dhe shpesh e marrë nga rrjeti global. Prandaj edukimi kibernetik duhet të bëhet pjesë e sistemit arsimor. Parandalimi fillon me atë që prindërit tregojnë dhe praktikojnë në shtëpi, dhe me atë që mësuesit përcjellin në klasë.”

FOTO: dig.watch

Së fundmi po diskutohet gjithnjë e më shpesh kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale deri në një moshë të caktuar, si një mënyrë për të reduktuar krimet kibernetike. Megjithatë, nëse do të zbatohej një masë e tillë, ajo mund të hapte një problem tjetër – pasoja psikologjike te të rinjtë, të cilët tashmë janë mësuar me këto platforma dhe kanë zhvilluar një lloj varësie prej tyre.

Sipas prof. Ilin Savov, ndalimi nuk është zgjidhje, pasi nuk krijon një rrugëdalje reale, por një rrezik të fshehur. Ai është i bindur se brezi digjital i sotëm do të gjejë mënyra të tjera për t’u përshtatur, aq më tepër që nuk mund ta “fikim” botën digjitale, por duhet t’i përgatisim fëmijët për të.

FOTO: freepik.com

“Zgjidhja vjen vetëm përmes edukimit, trajnimeve, kontrollit dhe krijimit të besimit. Kultura digjitale është shkrim-leximi i ri dhe duhet ta pranojmë si të tillë - thekson eksperti. - Misioni im prej vitesh është i njëjtë – të formojmë një shoqëri dhe një shtet që nuk reagon pas sulmit, por e parandalon atë dhe është i përgatitur. Kjo është e ardhmja jonë.”

 

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova