POLITIKË

Artikull

Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotakis, ndodhet për vizitë në Bullgari

Enjte, 4 Qershor 2026, 14:29

Kryeministri i Greqisë, Kiriakos Micotakis, ndodhet për vizitë në Bullgari

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Bullgaria dhe Greqia janë shndërruar në një bosht të fortë stabiliteti dhe në garant të perspektivës evropiane për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. Këtë e deklaroi kryeministri bullgar, Rumen Radev, pas takimit me homologun e tij grek, Kiriakos Micotakis, i cili ndodhet për vizitë në Bullgari me ftesën e tij. Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Greqisë janë kthyer në një partneritet strategjik, të bazuar në besim të ndërsjellë, vlera të përbashkëta dhe interesa të përbashkëta, theksoi Radev. Sipas tij, një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ka dhënë vizioni dhe energjia e kryeministrit grek.

Nga ana e tij, Micotakis deklaroi se Greqia i është qëndruar pranë Bullgarisë në mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore nga kërcënimet e mundshme dhe se të dy vendet mund të punojnë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, njofton BTA.

Dy kryeministrat zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave, pas të cilit u mbajt një takim i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve. Në fokus të bisedimeve ishin zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe, çështje me interes të përbashkët dhe temat e agjendës evropiane.

“Me shumë kënaqësi ndodhem në Bullgari si lideri i parë evropian që viziton vendin mik pas zgjedhjeve. Pas fitores suaj të madhe zgjedhore, dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë sukses dhe t’i uroj mbarësi qeverisë suaj. Jam i kënaqur që Bullgaria ka një qeveri me shumicë të qëndrueshme, e cila mund të realizojë reforma në dobi të vendit dhe të Bashkimit Evropian”, iu drejtua Micotakis Radevit gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.

Kryeministri grek e përgëzoi gjithashtu Bullgarinë për anëtarësimin në Eurozonë dhe në hapësirën Shengen.

Në takim u bë e qartë se Sofja dhe Athina do të punojnë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së ujërave ndërkufitare, përshpejtimin e lidhshmërisë energjetike dhe transportuese, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, raporton BGNES.

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova