Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
Panço Vlladigerov nga afër
Për kompozitorin e madh bullgar flet Nadja Sotirova – themeluese dhe drejtoreshë për shumë vite e Shtëpisë-Muze "Panço Vlladigerov" në Sofje
Premte 5 Qershor 2026 06:54
Premte, 5 Qershor 2026, 06:54
Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov" në Sofje
FOTO: Facebook/vladigerov.org
Madhësia e shkronjave
Kompozitori Panço Vlladigerov, një personalitet me kontribut të paçmuar për kulturën bullgare, lindi më 13 mars 1899 lindi. Veprat e tij renditen krahas arritjeve më të mëdha të muzikës klasike botërore. Në Bullgari, ai u vlerësua që në vitet 20-të të shekullit të kaluar, kur vetë "patriku i muzikës bullgare", mjeshtri legjendar Dobri Hristov, publikoi vlerësime entuziaste për Vlladigerovin duke e quajtur atë "një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të Bullgarisë krijuese muzikore". Kompozitori Panço Vlladigerov, i cili lindi në një klinikë në Cyrih, mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës bullgare. Për jetën dhe krijimtarinë e këtij muzikanti të madh flet Nadja Sotirova – muzikologe e shquar dhe veprimtare e kulturës bullgare, themeluese dhe drejtoreshë e Institutit Shtetëror Kulturor "Shtëpia-Muze Panço Vlladigerov". Muzeu ndodhet në shtëpinë mikpritëse të kompozitorit në rrugën "Jakubica", në lagjen "Lozenec" të Sofjes.
Nadja Sotirova
FOTO: BTA
“Në fillim u impresionova jashtëzakonisht nga përmasat e mëdha të trashëgimisë që ai kishte lënë pas” – tregon Nadja Sotirova. “Gjatë gjithë jetës së tij ai iu përkushtua misionit jo vetëm për të krijuar një art muzikor të jashtëzakonshëm – si në përmasa, ashtu edhe në vlerë – por edhe për të lënë një trashëgimi të pasur, e cila nga njëra anë e paraqet atë si personalitet dhe krijues, ndërsa nga ana tjetër tregon respektin e madh që ai gëzonte jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën.”
Sotirova shpreh mirënjohje për mundësinë e veçantë që ka pasur për të njohur nga afër bashkëshorten e dytë të Panço Vlladigerovit – Ellka, e cila dhuroi pjesën e saj të shtëpisë trashëgimore, me dëshirën e shprehur qartë dhe në përmbushje të vullnetit të bashkëshortit të saj, që ajo të kthehej në muze.
Me kafshët shtëpiake
FOTO: Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov"
“Kontaktet e mia të përditshme me të më dhanë mundësinë ta njihja vërtet nga afër si njeri. Aktivitetet e tij të preferuara jashtë punës… shëtitjet në natyrë, kujdesi për kafshët shtëpiake, pavarësisht ritmit të rreptë të punës që ai kishte – një ritëm i përditshëm, pothuajse pa ditë pushimi. Ajo ishte një person që dinte të krijonte ngrohtësi në shtëpi, ishte një amvise dhe kuzhiniere e jashtëzakonshme. Pa dyshim, ai e vlerësonte këtë shumë lart. Ai i drejtohej asaj me “nënë” – një traditë e lashtë bullgare, sipas së cilës bashkëshorti i drejtohej kështu bashkëshortes së tij. Edhe pse ajo ishte shumë më e re se ai, ai e çmonte pafundësisht si shoqen e jetës së tij.”
Familja Vlladigerov
FOTO: Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov"
Me pasion dhe frymëzim, Nadja Sotirova rrëfen për familjen e Ellka dhe Panço Vlladigerovit. Për 19 vitet e jetës së tyre së bashku, ajo, përveçse bashkëshorte dhe amvise, ishte edhe sekretare, impresario dhe shofer i tij. Pothuajse nuk kishte ditë që në shtëpinë e tyre të bukur të mos priteshin vizitorë. Çdo muzikant i madh – dirigjent, instrumentist apo kompozitor që vizitoi Sofjen gjatë viteve 60-të dhe 70-të të shekullit të XX-të – u prit në këtë shtëpi. Nadja Sotirova pohon se, pas Akademisë së Muzikës dhe Sallës “Bëllgaria”, rruga “Jakubica” nr. 10 ishte qendra e tretë muzikore e qytetit, e cila tërhiqte personalitete të shquara si Dmitrij Shostakoviç, Svjatosllav Rihter, Leonid Kogan, David Ojstrakh, Evgenij Svetllanov, Dinu Lipatti, Emil Gilels, Emil Çakërov, Minço Minçev, Rajna Kabaivanska dhe Ana Tomova-Sintova.
Veçanërisht tërheqëse për muzikantët bullgarë kanë qenë gjithmonë kujtimet për nxënësit e famshëm të Panço Vladigerovit – pedagog i pothuajse të gjithë kompozitorëve kryesorë bullgarë të brezit të tretë. Bashkëbiseduesja jonë rrëfen:
Kur nuk ishte i kënaqur me mësimin, ai vetëm u jepte një të rrahur të lehtë në shpatull dhe u thoshte: “Mirë, deri herën tjetër”. Ndërsa kur ishte i kënaqur, i drejtohej Ellkës dhe i thoshte: “Nënë, hajde të na bësh nga një çaj”. E ky çaj shpesh shndërrohej në një darkë që zgjaste deri në orët e para të mëngjesit. Prandaj, ai ishte vërtet jo vetëm një pedagog i përkushtuar, por edhe një njeri jashtëzakonisht i kujdesshëm e atëror ndaj studentëve të tij.”
Pranë një filxhani çaji, pas mësimit me Millko Kollarovin
FOTO: Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov"
Biseda ndalet edhe te Vlladigerovi si një krijues i formuar në traditën gjermane. I njohur për disiplinën e tij të jashtëzakonshme, ai kërkonte rregull dhe përpikëri nga të gjithë. Flasim edhe për kohën në të cilën jetoi ky krijues i madh: vitet e tmerrshme të Holokaustit dhe të Luftës së Dytë Botërore. Është e qartë se ai ndihej i kërcënuar për shkak të prejardhjes së tij hebraike. Më pas, në vitin 1944, në Bullgari erdhi në pushtet një regjim tjetër:
"Mbi të gjitha, duhet të theksoj se Vlladigerovi mbante një barrë të rëndë emocionale që lidhej me fatin e të atit, Harallan Vlladigerov. Harallan Vlladigerovi ishte jurist, prokuror dhe për një periudhë të shkurtër edhe diplomat në ambasadën tonë në Bukuresht. Ishte një njeri i angazhuar në politikë; për një vit ishte edhe deputet në Kuvendin Popullor. Pikërisht për këtë arsye, pas vendosjes së regjimit të Stambollovit, ai u internua nga Shumeni në Vidin. Mendohet se atje ka qenë subjekt i keqtrajtimeve, pasi u prek nga një formë e rëndë dhe e shpejtë e tuberkulozit dhe vdiq në Vidin në vitin 1908, në moshën 41-vjeçare. Në atë kohë, fëmijët e tij ishin vetëm 9 vjeç. Eliza Pasternak-Vlladigerova mbeti e vetme me djemtë e saj dhe mori përsipër kujdesin për rritjen dhe edukimin e tyre. Mendoj se pikërisht kjo e shtyu Vlladigerovin të qëndronte jashtë politikës, larg përplasjeve dhe anësive politike.
Fotografi e familjes Vlladigerov. Në rreshtin e parë – dy fëmijët, Ljuben dhe Panço Vlladigerov; mes tyre – guvernantja Lëvenberg; pas tyre – dr. Eliza Pasternak dhe Harallan Vlladigerov. Viti 1901
FOTO: Arkivi Shtetëror – Shumen
Deri në vitet 1945–1946 ai gëzonte tashmë një vlerësim shumë të lartë në arenën ndërkombëtare. Në atë periudhë kishte fituar dy herë Çmimin Mendelson të Universitetit të Berlinit dhe ishte i vetmi përfaqësues i Bullgarisë në Këshillin e Përhershëm për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Kompozitorëve, të kryesuar nga Rihard Straus, gjatë periudhës 1936–1942. Ai ishte i ftuar në skenat më prestigjioze evropiane, si para vitit 1944, ashtu edhe pas tij, pavarësisht ekzistencës së Perdes së Hekurt."
Panço dhe Ljuben Vlladigerov
FOTO: Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov"
“Natyrisht, ka pasur vite në të cilat ndoshta është ndjerë i shtypur nga një lloj konjukture, por kjo nuk e ka penguar që, kur në vitin 1946 iu dha titulli “Artist i Popullit”, të thoshte, edhe si shaka: “E pra, deri tani isha ndërkombëtar, tani u bëra edhe popullor”. Pa u frikësuar nga pasojat që mund të sillte një deklaratë e tillë. Thjesht ai e njihte mirë vlerën e vet. Ai kishte vetëbesimin e një njeriu që tashmë gëzonte vlerësim të lartë në mbarë Evropën dhe, mendoj, nuk kishte arsye për t’u shqetësuar seriozisht nga pushteti i asaj kohe. Përkundrazi, gëzonte respekt dhe mirëpritje.
Panço Vlladigerov me pianistin Ivan Drenikov (majtas) dhe violinistin Minço Minçev
FOTO: Shtëpia-Muze "Panço Vlladigerov"
Shumica e kolegëve të tij përjetonin një përzierje frike dhe respekti – kështu mendoj unë. Ndoshta ka pasur edhe zili. Ai ka qenë gjithmonë shumë i distancuar, i përqendruar thellësisht në krijimtarinë e tij. Nuk ka ndjekur poste, nuk ka kërkuar pozita. Ka qenë thjesht një njeri i përkushtuar tërësisht punës së tij, veprimtarisë pedagogjike, dhe pikërisht për këtë arsye ka krijuar një shkollë kompozicioni vërtet mbresëlënëse dhe me autoritet. Të gjithë studentët e tij janë emra të mëdhenj të kulturës sonë muzikore, dhe të gjithë ata thonë se të bëhesh nxënës i Vlladigerovit ishte tashmë një vlerësim shumë i lartë, sepse ai i përzgjidhte me shumë rreptësi.”
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Panço Vlladigerov – një nga personalitetet më të shquara të shekullit XX
- Një shekull Rapsodia “Vardar”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova