Autor
Elena Karkallanova
Seksion
Nga Vjena në Hagë: organizatat bullgare jashtë vendit bashkojnë forcat
Premte 5 Qershor 2026 20:05
Premte, 5 Qershor 2026, 20:05
FOTO: Elena Karkallanova
Madhësia e shkronjave
Motivues, i dobishëm dhe emocionues – kështu e përshkruan përfaqësuesit e organizatave bullgare nga vende të ndryshme seminarin dyditor në Vjenë, kushtuar modeleve për krijimin, menaxhimin dhe komunikimin e shoqatave të bullgarëve jashtë atdheut.
Ndër rezultatet më të rëndësishme të forumit janë ideja për krijimin e një rrjeti të organizatave studentore të bullgarëve jashtë vendit, lindja e partneriteteve të reja dhe vendimi që edicioni i tretë i takimit të zhvillohet në vitin 2027 në Hagë.
Organizator i forumit, të mbajtur më 30 dhe 31 maj, ishte Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, në partneritet me Ambasadën e Bullgarisë në Austri, organizatën kulturore-arsimore bullgare "Shën Kirill dhe Metodij" në Vjenë (organizata bullgare më e vjetër ende aktive në Evropë), si edhe Instituti Kulturor Bullgar 'Shtëpia Wittgenstein'.
Rajna Manxhukova dhe Pavell Najdenov
FOTO: Elena Karkallanova
“Për mua, prania e organizatave bullgare jashtë vendit, puna e institucioneve me to dhe ndërtimi i lidhjeve ndërmjet organizatave është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunitetin dhe për mënyrën se si mund të shkëmbehen praktikat e mira. Në këtë forum marrin pjesë përfaqësues nga 21 shtete dhe kjo është arsyeja e këtyre diskutimeve mjaft të gjalla – secili flet me secilin, secili tregon se si është legjislacioni në vendin përkatës, cilat janë avantazhet ose disavantazhet. Kolegët diskutojnë mes tyre se si mund të përmirësohet dialogu me institucionet bullgare që janë përgjegjëse për komunikimin dhe punën me komunitetin bullgar jashtë vendit. Po ashtu, brenda Bashkimit Evropian ekzistojnë lloje të ndryshme legjislacioni dhe mbështetjeje për organizata të tilla. Fakti që pas këtij eventi nuk qëndron vetëm një institucion shtetëror do të thotë se shteti ynë dëshiron të zhvillojë dialog dhe është i gatshëm të dëgjojë – ne jemi shumë të lumtur për këtë dinamikë. Unë shoh në audiencë njerëz shumë të rinj, që po hedhin hapat e tyre të parë në shoqatat kulturore. Në të njëjtën kohë kemi njerëz të moshës së mesme me shumë më tepër përvojë, ndoshta në kulmin e karrierës dhe potencialit të tyre. Gjithashtu kemi edhe një brez tjetër që tashmë rrëfen se si kanë qenë gjërat 10, 20 apo 50 vjet më parë, ndërsa Organizata Kulturore-Arsimore Bullgare ‘Shën Kirill dhe Metodij’ ka një histori prej më shumë se 80 vitesh” – përmblodhi për Radio Bulgarinë Pavell Najdenov, për të cilin ky ishte aktiviteti i parë si drejtor i Qendrës Kulturore Bullgare në Vjenë. Ai gjithashtu siguroi se dialogu me organizatat bullgare në Austri, si dhe mundësitë për bashkëpunim me shoqatat e bullgarëve në vende të tjera, do të jenë ndër prioritetet e punës së tij në krye të Shtëpisë Wittgenstein.
FOTO: Elena Karkallanova
Dëshira për t’u hapur ndaj më shumë organizatave rinore bullgare në Evropë solli në Vjenë edhe përfaqësuesit e shoqatës studentore “Aleko” nga Mynihu. Kjo organizatë ekziston që nga viti 2014 dhe ndihmon në zgjidhjen e vështirësive konkrete me të cilat përballen studentët bullgarë, si edhe organizon aktivitete që lehtësojnë integrimin dhe socializimin e tyre.
Gjatë seminarit në kryeqytetin austriak u takuam me studentët Damjan Kallçev dhe Konstantin Georgiev, të cilët vlerësojnë se komunikimi i organizatës së tyre me institucionet që përfaqësojnë shtetin bullgar ka qenë deri më tani më i vështirë, por po përmirësohet gradualisht.
Damjan Kallçev dhe Konstantin Georgiev
FOTO: Elena Karkallanova
“Deri vonë, ‘Aleko’ ishte një organizatë mjaft e mbyllur. Në mes të majit pati një aktivitet në konsullatën në Mynih, ku u njohëm me organizatorët nga Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit dhe kjo është arsyeja kryesore pse ndodhemi këtu. Shpresoj që ky takim të na lejojë të zgjerojmë kontaktet e ‘Aleko’-s”, thotë Damjani. Konstantini shpreh shpresën për krijimin e një rrjeti rinor të organizatave bullgare: “Në fakt, edhe tani kemi diçka si një rrjet, sepse secili në ‘Aleko’ sepse çdokush njeh dikë në një shtet tjetër – një student në Holandë, në Francë, në Austri… Por do të ishim shumë të lumtur të shfrytëzonim mundësinë për ta zgjeruar këtë rrjet.”
FOTO: Elena Karkallanova
Pikërisht si një organizatë studentore e nisi veprimtarinë e saj, para 80 vjetësh, organizata më e vjetër e bullgarëve në Evropë që vazhdon të ekzistojë edhe sot. Sot, Organizata Kulturore-Arsimore Bullgare “Shën Kirill dhe Metodij” krenohet me një model të suksesshëm pune dhe komunikimi, me shumë klube sipas interesave dhe me një numër të madh anëtarësh të rinj. 20-vjeçarja Teodora Mileva, e cila drejton shoqatën rinore të organizatës, tregoi për historinë e saj dhe për disa nga iniciativat më mbresëlënëse, ndër të cilat bëjnë pjesë edhe takimet e organizuara në atdhe.
Me çfarë janë të dobishme ngjarje të tilla dhe cilat janë problemet më të mëdha me të cilat përballen organizatat tona jashtë vendit? Përgjigjen e jep Daniell Dimov nga shoqata “Danub” në Dyseldorf, i cili ishte një nga të ftuarit specialë të forumit:
Daniell Dimov
FOTO: Elena Karkallanova
“Vitin e kaluar u ftova si ligjërues në Budapest – ishte edhe takimi pilot i këtij projekti, për të cilin shpresoj të bëhet traditë. Personalisht, ai më motivon shumë, sepse të jep mundësinë të shohësh komunitete të tjera. Ne kemi rreth 150 mijë bullgarë në Rajnën Veriore-Vestfali, ndërsa në Budapest janë shumë më pak, por ata administrojnë prona të paluajtshme dhe kanë arritur të vetëfinancohen dhe vetëmenaxhohen plotësisht. Nuk u duhet t’i luten askujt kur duan të organizojnë një aktivitet, sepse kanë bazën e tyre dhe mund të vazhdojnë në mënyrë aktive, përmes ngjarjeve kulturore dhe punës me fëmijët dhe të rinjtë, të ruajnë lidhjen me Bullgarinë. Problemi kryesor për shoqatat janë hapësirat, por kjo lidhet kryesisht me financat.” Danieli shton se organizata e tij financohet nga tarifat e pjesëmarrjes, por për të funksionuar nevojitet edhe diçka tjetër: “Ne mbështetemi shumë te vullnetarizmi. I gjithë bordi drejtues i shoqatës punon në baza vullnetare dhe është shumë e vështirë të fitojmë bashkëpunëtorë të rinj. Por kur dikush merr pjesë qoftë edhe një herë dhe ndihmon që të realizohet një aktivitet, është si magji – ai tërhiqet shumë shpejt, bëhet pjesë e ekipit tonë dhe vazhdon të ndihmojë për vite me radhë.”
Lina Glladijska
FOTO: Elena Karkallanova
Lina Glladijska-Georgieva jeton në Vjenë prej 35 vitesh. Ajo është një nga themelueset dhe drejtueset afatgjata të trupës teatrore pranë Organizatës Kulturore-Arsimore Bullgare “Shën Kirill dhe Metodij”.
“Gjëja më e vlefshme është komunikimi mes njerëzve nga vende të ndryshme evropiane”, thotë Lina Glladijska-Georgievanë lidhje me dobinë e forumit, ku organizata e saj ishte mikpritëse. “Gjërat nuk janë shumë të ndryshme; gjithmonë ekziston diçka që na bashkon, dhe kjo nuk është vetëm gjuha. Janë edhe teknologjitë e reja që po depërtojnë gjithnjë e më shumë – vazhdimësia mes brezave mund të realizohet edhe në këtë mënyrë. Lindin ide të reja dhe njohje të reja. Për të mundësuar këtë shkëmbim, rol thelbësor luan, natyrisht, edhe Agjencia për Bullgarët Jashtë Vendit, e cila është bashkërenduese dhe koordinatore e këtyre aktiviteteve, gjë që është e mrekullueshme.”
Shoqatat e bashkatdhetarëve bullgarë në Gjermani ishin të përfaqësuara fuqishëm në takimin e Vjenës. Dimitrinka Niklina është drejtoreshë e shkollës bullgare të së dielës në Dortmund dhe kryetare e shoqatës që e administron atë. Përshtypjet e saj nga takimi janë shumë pozitive:
Ivanka Brokman dhe Dimitrina Niklina nga Gjermania
FOTO: Elena Karkallanova
“Nuk e prisja një rezultat të tillë dhe u befasova jashtëzakonisht këndshëm nga konferenca e organizuar dhe nga mënyra se si u diskutuan çështjet. Shumë nga gjërat që dëgjova nga kolegët që merren me organizimin e shkollave të së dielës dhe të shoqatave të bullgarëve jashtë vendit janë gjëra që i kam kuptuar intuitivisht gjatë rrugëtimit tim. Mësova shumë gjëra që më pasurojnë dhe që mund t’i zbatoj në punën time me shkollën dhe me komunitetin në Dortmund. Njëra prej tyre është se duhet të bëjmë atë që na frymëzon vërtet – duhet të ndjekim intuitën, mendimet dhe sinqeritetin tonë, dhe ato në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në rezultate pozitive për komunitetin.” Zonja Niklina shpjegon se qytetarët bullgarë që jetojnë në Dortmund “janë kryesisht njerëz që në një masë të madhe varen nga sistemi social, pra puna që bëjnë nuk u mundëson gjithmonë të sigurojnë vetë të ardhura të mjaftueshme për jetesë”. Megjithatë, në anën tjetër të spektrit, komuniteti bullgar i mjekëve është shumë i përfaqësuar: “Bëjmë shaka mes kolegëve në shkollë se ne jemi ‘shkolla e mjekëve’, sepse 14 familje në shkollën tonë janë familje mjekësh.”
Ivanka Brokman
FOTO: Elena Karkallanova
Shumë ide të reja, përvojë dhe praktika të mira për të zgjeruar më tej veprimtarinë e shoqatës “Martenica” në Dortmund dhe të shkollës që funksionon pranë saj – ky është përfitimi kryesor që Ivanka Brokman sheh nga forumi dyditor. Ajo jeton në Gjermani prej 28 vitesh. Ajo nuk i konsideron organizatat e tjera bullgare në rajon si konkurrente, por “më tepër si një shërbim që afron gjuhën dhe kulturën bullgare pranë vendeve ku jetojmë. Për shembull, gjatë festave shkojmë në Shtutgart, ku kemi një kishë bullgare dhe mblidhemi të gjithë bashkë.” Ivanka largohet nga Vjena me shumë entuziazëm të ri për të punuar në dobi të komunitetit bullgar:
“U njoha me shoqata të tjera – nga Qiproja, Greqia, Danimarka dhe Suedia, me të cilat mund të bashkëpunojmë për aktivitetet e fëmijëve tanë dhe të shoqërive kulturore. E gjithë kjo është një pasuri e jashtëzakonshme, të cilën ende nuk mund ta përfshij plotësisht. Kjo energji pozitive është e pabesueshme dhe do të kem një raport shumë të gjatë për shoqatën tonë, sepse të gjithë presin me padurim që të ndaj atë që kam mësuar këtu.”
FOTO: Elena Karkallanova
Bashkëpunimi ndërmjet organizatave studentore bullgare në vende të ndryshme po merr gjithnjë e më shumë formë konkrete. Me iniciativën e Veneta Nenkovës nga Roma, tashmë janë përcaktuar hapa të qartë për krijimin e një rrjeti të tillë dhe për rregullimin e detajeve të nevojshme administrative.
FOTO: Elena Karkallanova
Ndër sfidat kryesore të identifikuara gjatë diskutimeve ishte dukshmëria e ulët e aktiviteteve të organizatave bullgare jashtë vendit brenda vetë Bullgarisë. Kjo e vështirëson promovimin e iniciativave të tyre dhe gjetjen e burimeve shtesë të financimit, theksoi Rajna Mandxhukova në përmbyllje të forumit.
Sipas saj, rezultatet e takimit i kanë tejkaluar pritshmëritë. Nëse formati i ri i punës, edicioni i dytë i të cilit përfundoi në Vjenë, do të duhej të përshkruhej me një fjalë të vetme, ajo do të ishte “qëndrueshmëri”.
Takimi i ardhshëm do të zhvillohet në Hagë, ku mikpritëse do të jetë organizata studentore bullgare në Holandë, e cila është aktive në nëntë qytete të vendit.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello