Shtunë 6 Qershor 2026 05:57
Shtunë, 6 Qershor 2026, 05:57
FOTO: Qendra për Arkeologji Nënujore – Sozopoll
Madhësia e shkronjave
Anije të lashta të mbytura, të ruajtura në thellësitë e Detit të Zi, teknologjitë më të reja në arkeologjinë nënujore dhe sfidat për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore do të prezantohen sot, 6 qershor, në një forum të specializuar në Burgas. Ngjarja “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nënujore – ndërtimi i kapaciteteve, shkëmbimi dhe trajnimi në fushën e arkeologjisë nënujore” do të mbledhë përfaqësues të komunitetit të zhytësve, studiues dhe pasionantë të historisë detare në Qendrën e Zhytjes “Sinkron Sport”.
Në kuadër të forumit do të prezantohen zgjidhje bashkëkohore teknologjike që po ndryshojnë mënyrën e studimit të shtratit të detit, si aparatura gjeofizike, robotë nënujore dhe metoda të tjera të telekomanduara të kërkimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe gjendjes ekologjike të Detit të Zi dhe ndikimit të ndryshimeve klimatike në mjedisin detar.
Programi parashikon gjithashtu një tur virtual drejt anijeve të mbytura të zbuluara në zonat e thella të Detit të Zi. Prezantimi do të tregojë kushtet natyrore unike falë të cilave mjetet e lashta lundruese janë ruajtur pothuajse të paprekura për shekuj me radhë.
Nisma organizohet me mbështetjen e Shoqatës jofitimprurëse “Miqtë e Detit – Burgas”.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva