Artikull
Dronët do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve verore pranë kufirit me Turqinë
Shtunë 6 Qershor 2026 08:00
Shtunë, 6 Qershor 2026, 08:00
FOTO: RDPBZN - Jamboll
Madhësia e shkronjave
Rritja e temperaturave të ajrit shënon edhe fillimin e sezonit me rrezik zjarresh në Bullgari. Megjithëse aktualisht reshjet janë më të shumta se zakonisht, vegjetacioni i dendur që zhvillohet si pasojë e tyre mund të shndërrohet në një faktor shtesë rreziku gjatë muajve të thatë të verës.
Dy dronë, të blerë sipas një projekti evropian, do të mbështesin punën e zjarrfikësve në rajonin e Jambollit, popullsia e të cilit është afër 110 mijë banorë. Kufiri jugor i rajonit është pjesë e kufirit të përbashkët ndërmjet Bullgarisë dhe Turqisë, ndërsa gjatë vitit 2025 katër herë u shpall gjendje e jashtëzakonshme për shkak të zjarreve të mëdha të shpërthyera në territore pyjore ose që kërcënonin vendbanime në pjesë të ndryshme të rajonit të Jambollit.
FOTO: RDPBZN - Jamboll
Dronët tashmë janë dorëzuar dhe punonjësit kanë kaluar trajnim për përdorimin e tyre, njoftoi për BTA drejtori i Drejtorisë Rajonale “Siguria nga Zjarri dhe Mbrojtja e Popullsisë” (RDPBZN), komisari Ivan Dinev.
Dronët e rinj do të mundësojnë vlerësim më të shpejtë të situatës dhe drejtim më efikas të ekipeve në terren. Përmes tyre do të mund të ndiqet zhvillimi i fronteve të zjarrit dhe të përcaktohen rrugët e qasjes në zonat e prekura, pa qenë e nevojshme të përshkohet i gjithë perimetri i zjarrit. Përveç zjarreve, dronët do të mund të përdoren edhe në operacione kërkimi dhe shpëtimi.
FOTO: RDPBZN - Jamboll
Pajisjet shtesë përfshijnë gjithashtu një platformë për transportimin e teknikës zjarrfikëse, mjete personale mbrojtëse për vullnetarët dhe sisteme mobile me pompë me presion të lartë, me tuba dhe cisterna, të cilat do t’u vihen në dispozicion komunave. Pajisjet janë siguruar në kuadër të programit “Zhvillimi i Burimeve Njerëzore”, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit është 85 mijë euro.
FOTO: RDPBZN - Jamboll
Nga RDPBZN – Jamboll do të ushtrojnë kontroll të shtuar në territoret bujqësore dhe pyjore dhe do të zhvillojnë një fushatë informuese mes popullsisë për parandalimin e zjarreve, theksoi komisari Dinev dhe u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë me përpikëri rregullat e sigurisë nga zjarri, veçanërisht gjatë fushatës së korrjeve dhe gjatë aktiviteteve në territore pyjore dhe toka bujqësore.
FOTO: BTA
Sipas tij, faktori kryesor për shpërthimin e zjarreve verore mbetet veprimtaria njerëzore. Shkaqet shpesh lidhen me pajisje të dëmtuara, shkëndija gjatë punës së makinerive bujqësore ose ndezje të paligjshme zjarri në ambiente të hapura.
Përpiloi: Elena Karkallanova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski