KULTURË

Seksion

Shtëpia “Wittgenstein” – adresa bullgare e kulturës në zemër të Vjenës

Drejtori i ri, Pavell Najdenov: “Kultura është një mjet për t’i dhënë më shumë zë komuniteteve dhe nevojave të tyre.”

Shtunë, 6 Qershor 2026, 10:05

Shtëpia “Wittgenstein” – adresa bullgare e kulturës në zemër të Vjenës

FOTO: Elena Karkallanova

Madhësia e shkronjave

Në zemër të Vjenës, Instituti Kulturor Bullgar 'Shtëpia Wittgenstein' ka qenë prej vitesh një nga hapësirat më të rëndësishme për praninë kulturore të Bullgarisë në Evropë. Instituti Kulturor Bullgar ndodhet në një ndërtesë kryevepër të arkitekturës moderniste, e projektuar nga Ludwig Wittgenstein, dhe prej dekadash prezanton artin bullgar për publikun austriak dhe atë ndërkombëtar. Së fundmi, drejtimin e institucionit e ka marrë Pavell Najdenov – kurator i ngjarjeve artistike dhe muzikant, i cili e merr këtë detyrë me ambicien për të zhvilluar më tej arritjet e deritanishme dhe për ta hapur institucionin edhe më shumë ndaj shoqërisë austriake, komunitetit bullgar dhe proceseve bashkëkohore kulturore.

FOTO: Elena Karkallanova

Në ditët e para të mandatit të tij, ai priti në adresën Parkgasse 18 në Vjenë përfaqësues të organizatave bullgare nga vende të ndryshme të Evropës, pjesëmarrës në një seminar të specializuar. Me këtë veprim ai vuri theksin edhe mbi bashkëpunimin e Institutit Kulturor Bullgar me organizatat e bashkatdhetarëve në Austri, ndër të cilat spikat organizata më e vjetër ende aktive e bullgarëve në Evropë – shoqata 80-vjeçare “Kirill dhe Metodij” në Vjenë.

FOTO: Elena Karkallanova

“Trashëgimia që po marr është një praktikë dialogu dhe unë dua ta thelloj këtë dialog, sepse besoj te partneritetet. Në një kohë krize ekonomike dhe kulturore, ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin më shumë se kurrë. Dyert e Shtëpisë ‘Wittgenstein’ do të jenë të hapura për këtë lloj komunikimi dhe jam i gatshëm të dëgjoj se cilat janë nevojat e shoqatave të ndryshme dhe në ç’mënyrë mund të jemi të dobishëm. Ndoshta disa mekanizma ende nuk janë zhvilluar; bota po ndryshon dhe ekzistojnë mënyra të ndryshme me të cilat mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, theksoi Pavell Najdenov në një intervistë të veçantë për Radio Bulgarinë.

FOTO: Elena Karkallanova

Drejtimi i ri e merr institutin në një moment kur Vjena vazhdon të jetë një nga qendrat kulturore më aktive në Evropë. Në këtë mjedis të pasur dhe konkurrues, prania bullgare mund të dallohet vetëm përmes ngjarjeve kulturore cilësore dhe aktuale, është i bindur drejtori i ri.

“Me shumë punë, me aktivitete që karakterizohen nga programim i kujdesshëm dhe aktualitet. Jetojmë në një kohë kur askush nuk kënaqet më vetëm me fjalë të bukura. Duhet të trajtohen tema që e shqetësojnë dhe e interesojnë publikun, tema që zgjojnë kureshtje dhe tërheqin audiencë. Kjo do të thotë tema aktuale, figura dhe teknika bashkëkohore, si dhe guxim për t’iu përgjigjur nevojave të kohës.”

FOTO: Elena Karkallanova

Ndër prioritetet kryesore të Pavell Najdenov është forcimi i rolit të institutit si një hapësirë për artin bashkëkohor dhe për idetë e reja, pa e shkëputur lidhjen me trashëgiminë kulturore.

“Për mua, ndërtesa e institutit kulturor nuk është thjesht arkitekturë me dritare dhe çati, por një ‘thirrje e fuqishme’ e një filozofie dhe e një mënyre të re të menduari. Programi që prezantohet këtu duhet t’i përgjigjet kësaj bashkëkohësie. Vizitorët e Shtëpisë ‘Wittgenstein’ do të shohin gjithnjë e më shumë autorë dhe vepra bashkëkohore. Unë besoj te tradita dhe vazhdimësia e saj, por duke u mbështetur mbi themele të forta, duhet të vazhdojmë të ecim përpara.”

FOTO: Elena Karkallanova

Megjithëse emri i tij është më pak i njohur në Bullgari, Pavell Najdenov ka një përvojë mbresëlënëse ndërkombëtare dhe ndërdisiplinore. Ai është muzikant me profesion; ka përfunduar studimet për dirigjim koral në Akademinë e Muzikës, Vallëzimit dhe Arteve Figurative në Plovdiv dhe më vonë është specializuar në dizajn social në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë. Ai punon në fushën e artit bashkëkohor dhe praktikave kuratoriale, ndërsa interesi i tij profesional është i përqendruar te roli i kulturës si mjet për angazhim shoqëror dhe ndryshim social.

FOTO: Construction Choir Collective

Për gati një dekadë ai ka qenë i lidhur edhe me Construction Choir Collective, një kor ndërkombëtar ku marrin pjesë përfaqësues të më shumë se 27 kombësive. Misioni i këtij formacioni është të nxjerrë muzikën jashtë hapësirave tradicionale koncertale dhe ta çojë atë pranë komuniteteve të ndryshme në zonat periferike të qytetit.

Nuk është rastësi që vizioni i tij për kulturën bullgare lidhet ngushtë me komunikimin aktiv me njerëzit dhe me proceset shoqërore.

“Unë besoj se arti ka qenë gjithmonë një instrument reflektimi mbi kohën në të cilën jetojmë. Një pjesë e madhe e projekteve mbi të cilat punoj janë të angazhuara socialisht dhe janë frymëzuar nga histori dhe situata që i kam përjetuar ose parë në Bullgari. Prandaj mendoj se kultura dhe arti kanë përgjegjësinë morale të jenë rrëfimi i epokës sonë, i kohës në të cilën jetojmë”, thotë Pavell Najdenov.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello