Artikull
Protestë para Ambasadës së Shqipërisë për ndërtimet në ishullin e Sazanit
Hënë 8 Qershor 2026 09:10
Hënë, 8 Qershor 2026, 09:10
FOTO: EPA/BGNES
Madhësia e shkronjave
Mbrëmjen e së hënës, më 8 qershor, para Ambasadës së Shqipërisë në Sofje do të zhvillohet një protestë kundër planeve për ndërtimin e një resorti turistik pranë zonës së mbrojtur natyrore "Vjosa-Narta", afër Vlorës. Protesta në Sofje synon të mbështesë protestat që u zhvilluan në Shqipëri kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e pabanuar të Sazanit dhe në plazhe të virgjëra të bregdetit Adriatik.
Ky resort, me vlerë miliarda dollarë, lidhet me biznesmenin Xhared Këshnër, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Kundërshtarët e projektit thonë se ndërtimi rrezikon natyrën e zonës, pasi ndodhet pranë habitatit të shumë llojeve të mbrojtura, si breshkat e detit, fokat dhe flamingot. Pikërisht për këtë arsye, flamingoja rozë u bë simbol i protestave që u mbajtën ditët e fundit në Tiranë. Gjatë këtyre protestave u ngritën edhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili e mbështet projektin e resortit.
Protesta në Sofje do të nisë në orën 18:30 para Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Organizatorë janë disa organizata mjedisore bullgare, përfshirë koalicionin ekologjik "ZaDaOstanePriroda" ("Që të Mbetet Natyra"), Shoqatën për Natyrën e Egër "Ballkani", nismën "Ligjet e Gjelbra", Shoqatën e Parqeve në Bullgari dhe Fondacionin për Biodiversitetin.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova