LAJME

Artikull

Rritet fluksi i kamionëve në pikën kryesore kufitare mes Bullgarisë dhe Serbisë

Hënë, 8 Qershor 2026, 10:05

Rritet fluksi i kamionëve në pikën kryesore kufitare mes Bullgarisë dhe Serbisë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Qarkullimi i kamionëve është më i ngarkuar se zakonisht në pikën kufitare Kallotino, në hyrje të Bullgarisë nga Serbia. Lajmi u bë i ditur nga Policia Kufitare bullgare të hënën në mëngjes. Ndërkohë, trafiku në pikat e tjera kufitare të Bullgarisë me Turqinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë po zhvillohet normalisht.

Në pikën kufitare Ruse–Gjurgju, që lidh Bullgarinë me Rumaninë përmes urës mbi lumin Danub, vazhdojnë punimet e riparimit në pjesën bullgare të urës. Deri në fund të muajit, automjetet do të kalojnë vetëm në një korsi, ndërsa lëvizja rregullohet nga autoritetet.

Një lajm i mirë vjen për zonën turistike të Pamporovos. Rruga e përkohshme e ndërtuar për të anashkaluar një rrëshqitje dheu mes vendpushimit Pamporovo dhe qytetit Smoljan do të hapet për qarkullim më 8 qershor. Pas më shumë se një muaji vështirësish në lëvizje, rruga alternative është përfunduar plotësisht. Ajo ka një gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash, është shtruar me zhavorr dhe janë krijuar zgjerime në disa pjesë për të lejuar kalimin e automjeteve në të dy drejtimet. Kjo rrugë do të përdoret kryesisht nga punonjësit që udhëtojnë drejt Pamporovos. Nëse kushtet e lejojnë, do të kalojnë edhe automjete të tjera, por jo mjetet e rënda me peshë mbi 3.5 tonë.

Nga 8 deri më 11 qershor, gjatë orëve të natës, do të kufizohet qarkullimi në njërën anë të autostradës "Trakia", në segmentin mes kilometrave 60 dhe 89, për shkak të punimeve të riparimit të asfaltit. Zona ku do të kryhen punimet shtrihet në një gjatësi prej rreth 29 kilometrash. Gjatë zhvillimit të punimeve, nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 07:00 të mëngjesit, trafiku në drejtimin e prekur do të devijohet përmes rrugës alternative që kalon nga Momin Prohod, Kostenec, Bellovo dhe Pazarxhik. Në kahun tjetër të autostradës, ku nuk do të kryhen punime, automjetet do të vazhdojnë të qarkullojnë normalisht dhe pa kufizime. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë udhëtimet e tyre duke marrë parasysh devijimet e përkohshme dhe mundësinë e vonesave gjatë natës.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova