POLITIKË

Artikull

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme jep dorëheqjen

Georgi Kandev nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi për vendime që nuk i merr

Hënë, 8 Qershor 2026, 14:08

Georgi Kandev

Georgi Kandev

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, Georgi Kandev, po largohet nga posti. Këtë e njoftoi vetë ai përmes një postimi në Facebook.

“Të zgjedh mes postit dhe parimeve të mia është e pamundur. Të premtoj veprime kur duhet të hesht – po ashtu. E kuptova mesazhin. Prej 30 vitesh mbaj uniformën me bindjen se ligji është shtylla kurrizore e shtetit, se detyra e policit nuk është të jetë i volitshëm, por i dobishëm. Prandaj nuk mund të jem njeriu që thjesht do të shikojë me seriozitet në kamera”, shkruan Kandev dhe shton: “Detyra ime ka qenë gjithmonë të kërkoj të vërtetën, të mbaj përgjegjësi dhe të marr vendime kur është e vështirë. Në muajt para zgjedhjeve provova se mund ta përmbush këtë detyrë kur kam liri dhe mbështetje. Të gjithë policët e provuam këtë. Nuk dua të mbaj përgjegjësi për vendime që nuk i marr dhe për një fasadë që nuk dua ta mbështes me emrin tim. Për besimin e njerëzve nuk ka dekret.”

Georgi Kandev është një kuadër me shumë vite përvojë në Ministrinë e Brendshme, duke punuar në struktura të ndryshme të sistemit. Popullariteti i tij në muajt e fundit erdhi kryesisht nga aksionet intensive të Ministrisë së Brendshme kundër blerjes së votave para zgjedhjeve dhe kundër rrjeteve të krimit të organizuar. Ai u emërua sekretar i përgjithshëm në detyrë gjatë qeverisë teknike të Andrej Gjurov, dhe pas zgjedhjeve parlamentare të prillit mbeti në post.

“Kandev më befasoi me vendimin për t’i ndërprerë marrëdhëniet tona pa arsye të qarta", deklaroi Ministri i Brendshëm Ivan Demerxhiev para gazetarëve. Sipas tij, Kandev ka paraqitur motive me karakter personal, të cilat ministri refuzoi t’i bëjë publike.

 

Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva