Autor
Vesella Krësteva
Seksion
Mihaill Dinçev – nga Vidini në Stokholm me ritmet bullgare
Martë 9 Qershor 2026 07:10
Martë, 9 Qershor 2026, 07:10
FOTO: B. Borozanov
Madhësia e shkronjave
Ju sjellim një takim të premtuar dhe një histori që tingëllon si skenar filmi, por që në fakt është vetë jeta. Një histori për një djalë të vogël nga Vidini, i cili pushtoi Stokholmin me ritmet bullgare.
FOTO: Orkestra “Lele Lele”
Ai është Mihaill Dinçev – muzikant, pedagog dhe themelues i formacionit suedez “Lele Lele”, i cili interpreton muzikë të bazuar në traditat autentike folklorike të Ballkanit, të ndërthurura me tinguj modernë dhe një energji të jashtëzakonshme skenike. Shtatë vjet pas vizitës së fundit të Orkestrës “Lele Lele” në Bullgari, në mesin e muajit mars 2026, muzikantët Mihaill Dinçev (tamburë dhe vokal), Kai Sundquist (klarinetë), John Runefelt (fizarmonikë), Stian Grimstad (tubë) dhe Moa Danielson (daulle) magjepsën sërish vendlindjen e Dinçevit. Ata mbajtën dy koncerte me moton “Balkan Jam Session” në Burgas dhe Sofje, duke treguar në mënyrë të prekshme magjinë përmes së cilës xhazi suedez dhe muzika world flasin në gjuhën bullgare, me ritmet e saj karakteristike të pabarabarta. Vetë Mihaill Dinçev ishte i ftuar në studion e Radio Bullgarisë, ku tregoi me fjalë historinë e kësaj magjie. Një histori që fillon në veriperëndim të Bullgarisë – në qytetin e Vidinit, në vitet e para të ndryshimeve demokratike në vend.
Mihaill Diçev
FOTO: arkiva personale
“Nëse ndjekim rrugëtimin tim muzikor, në moshën shtatëvjeçare fillova të luaj kitarë në shkollën muzikore të Vidinit. Në atë kohë, bashkë me miqtë e mi dëgjonim kryesisht rok dhe metal, ndërsa folklori nuk na interesonte aq shumë. E dinim se ekzistonte dhe se kishte diçka të veçantë, por fokusi ynë ishte diku tjetër. Pikërisht aty filloi tërheqja ime ndaj muzikës – me mësuesit e parë të kitarës, me frymëzuesit e mi dhe me shokët me të cilët luanim së bashku”, kujton ai. Megjithatë, për shkak se nuk ishte rritur në një familje muzikantësh, rruga drejt ëndrrës së tij rezultoi pak më e gjatë. Prindërit këmbëngulnin që ai të studionte gjuhë të huaja dhe të vazhdonte arsimin në një gjimnaz me profil anglisht. Kështu ndodhi, deri në vitin 1992, kur për nxënësin e atëhershëm të klasës së nëntë u shfaq mundësia të mësonte edhe një gjuhë tjetër – suedishten.
FOTO: arkiva personale
“Diku para se të binte komunizmi në Bullgari, para vitit 1989, kur isha 11-12 vjeç, në Sunny Beach prindërit e mi u njohën rastësisht me një familje finlandeze që fliste suedisht – ata janë një pakicë atje. Meqenëse nëna ime është mësuese e gjuhës angleze, biseda lindi krejt natyrshëm në plazh, si në një film. Ne i shëtitëm nëpër Bullgari dhe përgjatë bregdetit të Detit të Zi, dhe kështu lindi një miqësi e vërtetë. Pas ndarjes filluam të shkëmbenim letra; në atë kohë nuk kishte internet dhe kjo ishte mënyra e vetme për të komunikuar. Pas ndryshimeve politike në Bullgari, me ftesën e tyre, patëm mundësinë t’i vizitonim. Meqenëse në moshën 14-vjeçare flisja tashmë anglisht mjaft mirë, finlandezët menduan se kisha talent të madh për të mësuar gjuhë të huaja. Ata i propozuan familjes sime që të shkoja të jetoja tek ata, të më gjenin një vend në gjimnazin lokal, i cili ishte për nxënës që flisnin suedisht, dhe të mësoja një gjuhë të pazakontë për Bullgarinë, e cila mund të më shërbente në të ardhmen në fusha si turizmi apo diçka tjetër.”
FOTO: arkiva personale
U tha, u bë. Pas gjashtë muajsh, Dinçevi fliste tashmë suedisht dhe po shijonte realitetin e gjelbër dhe shumë ndryshe të Finlandës. Në moshën 17-vjeçare, mijëra kilometra larg shtëpisë, ai gjeti rrugën drejt ëndrrës së tij të fëmijërisë – muzikës. Njëri nga fëmijët e familjes ku jetonte studionte në një shkollë muzikore lokale me programe përgatitore për muzikë pop dhe xhaz. Edhe ai dëshiroi të studionte aty. “Finlandezët më mbështetën edhe në këtë ambicie timen dhe, falë Zotit, më pranuan”, kujton sot Mihaill. Diku aty, pothuajse pa e kuptuar, bullgari që kërkonte identitetin e vet zbuloi edhe folklorin bullgar.
FOTO: arkiva personale
“Përmes regjistrimeve. Në Finlandë kishte një bibliotekë me një koleksion të madh CD-sh me muzikë nga e gjithë bota. Nga kureshtja dëgjoja muzikë nga Afrika, India, Amerika e Jugut. Thjesht doja të njihesha me gjithçka që ekzistonte, të përjetoja ndikime të ndryshme muzikore. Në këto koleksione kishte edhe disqe me muzikë bullgare. Aty ishin koret tona – ‘Misteri i Zërave Bullgarë’, trioja ‘Bëllgarka’, Ivo Papazov-Ibrjama, albumet e të cilit ishin publikuar nga Joe Boyd, si dhe krijimtaria e Teodosij Spasovit. Sa më shumë dëgjoja, aq më shumë më emociononte folklori ynë. Një nga takimet më të forta me të ishte përmes grupit norvegjez ‘Farmers Market’, i cili ishte në turne në Finlandë dhe erdhi në klubin e xhazit në qytetin ku studioja. Atëherë me ta luante saksofonisti bullgar Trifon Trifonov. Mënyra se si e prezantuan muzikën e tyre – përzierja e folklorit bullgar me xhazin, muzikën pop dhe një ndjenjë të jashtëzakonshme humori – ishte vendimtare për mua. Takimi me ta është i papërshkrueshëm edhe sot e kësaj dite. Pas një koncerti, në një bisedë me fizarmonicistin e grupit, Stian Carstensen, i cili flet shumë mirë bullgarisht, ai më tha: ‘Luaj folklor bullgar. Ai është jetësor!’ Kjo fjali ka mbetur e ngulitur në mendjen time. Dhe vendosa se pikërisht këtë duhet të bëja. Dhe kështu vazhdon edhe sot.” Vitet kalonin dhe rruga e muzikës e çoi Mihaill Dinçevin në Stokholm, ku folklori bullgar filloi të diktonte gjithnjë e më qartë ritmin e kërkimeve të tij artistike.
FOTO: Ivo Hristov
“Në vitin 2003 u pranova edhe në Kolegjin Mbretëror të Muzikës në Stokholm, në degën e pedagogjisë muzikore.”
FOTO: arkiva personale
Pikërisht në atë periudhë Mihaill takoi bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm, me të cilët themeloi orkestrën “Lele Lele” 23 vjet më parë. Ai zëvendësoi kitarën me tamburën dhe, së bashku me instrumente si tabla dhe sitari, filloi eksperimentimet muzikore. Fillimisht, ritmet indiane ushtruan një ndikim të madh mbi krijimtarinë e grupit, gjë që mund të dëgjohet edhe në albumin e tyre të parë, “Lele Lele”. Me kalimin e kohës, meloditë ballkanike, folklori bullgar i ndërthurur me xhazin, muzikën klasike dhe rock-un filluan të bëhen gjithnjë e më të pranishme në tingullin e tyre. Më pas erdhën albumet “Kur Fiket Drita” dhe, deri tani, albumi më i fundit “Ajde Ajde”, i publikuar në vitin 2024.
FOTO: arkiva personale
Në vitin 2005, Dinçevi thelloi njohuritë e tij për këngën popullore, muzikën dhe vallëzimin në Akademinë e Muzikës, Vallëzimit dhe Arteve Pamore “Prof. Asen Diamandiev” në Plovdiv. Sot ai pranon se kjo ishte një nga periudhat më të bukura të jetës së tij, kur muzika përcaktonte çdo moment të ditës, nga mëngjesi deri në mbrëmje. Më pas pasuan udhëtime në të gjithë Evropën, performanca si muzikant rruge në Spanjë dhe Portugali, si dhe vlerësimi nga muzikanti i njohur ballkanik Goran Bregović, i cili e quajti Orkestrën “Lele Lele” një “sensacion të vërtetë skandinav”.
“Nuk e di nëse ekziston një recetë për suksesin e një grupi muzikor, por një nga faktorët më të rëndësishëm është hapja dhe sinqeriteti mes njëri-tjetrit, si në marrëdhëniet njerëzore ashtu edhe në dinamikën e orkestrës. Dhe, jo më pak e rëndësishme, ndoshta është këmbëngulja. Ne e dimë mirë se nuk jemi një formacion komercial dhe se muzika bullgare nuk është një kulturë masive që mund të arrijë menjëherë tek një publik shumë i gjerë, por pavarësisht kësaj nuk dorëzohemi.”
FOTO: arkiva personale
“Gjëja më e rëndësishme është që gjërat të mos bëhen tepër serioze, sepse në fund të fundit ne jemi ‘Lele Lele’”, shton me buzëqeshje Mihaill Dinçev. Gëzimi dhe lehtësia e tij në komunikim pushtojnë publikun në koncertet e orkestrës. Muzikantët organizojnë gjithmonë takime të hapura, të cilat përfshijnë mësime të valleve tradicionale bullgare, prova me instrumente popullore dhe një zhytje në atë atmosferë të veçantë ballkanike, ku problemet e përditshme duket sikur nuk kanë vend.
Por krahas gjithë kësaj, Mihaill Dinçev kthehet shumë shpesh në atdheun e tij dhe punon në projekte të ndryshme në Bullgari, sepse ato janë të rëndësishme jo vetëm për të personalisht, por edhe për të gjithë ne si bullgarë.
FOTO: arkiva personale
“Për shembull, me dokumentimin e folklorit autentik. Në vitin 2025, përmes shtëpisë sime diskografike publikova një album të grupit vokal ‘Ravnogorski Biseri’, me titull ‘Pamje nga Ravnogori’, që përmban 34 këngë. Ai është një dokument i vërtetë artistik i muzikës së këtij grupi këngëtarësh nga një fshat i vogël në Rodopet dhe rezultoi jashtëzakonisht i bukur. Albumi u realizua tërësisht falë donacioneve vullnetare nga e gjithë bota. Në grup nuk ka vajza të reja dhe këto këngë ndoshta nuk do të kishin mbijetuar me kalimin e kohës”, tregon bullgari.
Krahas kërkimit dhe dokumentimit të muzikës, Mihaill Dinçev merret edhe me mësimdhënie. Ai jep mësim në një shkollë muzike dhe në Shkollën e Parë Bullgare të së Dielës “Jan Bibijan” në kryeqytetin suedez. “Po, pedagogjia është një pjesë shumë e madhe e jetës sime”, pranon ai në një intervistë për Radio Bullgarinë. Ai është një nga specialistët e paktë që punon sipas metodave Dalcroze dhe El Sistema, ku lëvizja e trupit shërben si instrumenti kryesor për përvetësimin e muzikës.
FOTO: Leon Alik
Lidhjen mes lëvizjes së trupit dhe muzikës, Mihaill Dinçev do të ketë mundësinë ta demonstrojë së shpejti para publikut bullgar, në fund të muajit qershor, në fshatin Businci pranë Pernikut, gjatë Festivalit të Duarve të Shkathta.
Ndërsa në korrik, muzika e tij do të bëhet pjesë e atmosferës magjike të ishullit Gotland në Suedi dhe e Festivalit lokal të Balonave Fluturuese.
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello