SHOQËRI

Artikull

Realitetet demografike parashikojnë një zhvillim policentrik për Bullgarinë

Prof. Spas Tashev: Në Bullgari vërehet një rritje e qëndrueshme pozitive e migracionit, por vendi vazhdon të ketë humbje të mëdha demografike.

Dielë, 14 Qershor 2026, 08:00

Realitetet demografike parashikojnë një zhvillim policentrik për Bullgarinë

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Në fund të vitit 2025, popullsia e Bullgarisë ka qenë rreth 6.4 milionë banorë. Rënia krahasuar me vitin 2024 është mbi 14 000 persona, ose rreth 0.22% e popullsisë. Emigrimi vazhdon të bjerë – vetëm 4532 persona kanë lënë vendin. Ndërkohë, 17 369 persona kanë ardhur për të jetuar në Bullgari dhe shumë prej tyre janë të huaj. A do të jetë kjo një prirje e qëndrueshme? Përgjigjen e kërkojmë nga prof. dr. Spas Tashev nga Instituti për Studimin e Popullsisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.

Prof. Spas Tashev

FOTO: BTA

"Viti 2023 rezultoi të ishte një pikë kthese. Në kuptimin që gjatë tij patëm treguesit më të mirë demografikë në 10 vitet e fundit dhe, mbi bazën e këtij përmirësimi, menduam se në Bullgari po ndodhte një lloj stabilizimi," – shpjegon Tashev. "Atëherë arritëm një koeficient total të fertilitetit – numri mesatar i fëmijëve për një grua në moshë riprodhuese – prej 1.81. Kjo ishte vlera më e lartë e këtij treguesi në të gjithë Bashkimin Evropian. Gjatë të njëjtit vit, mesatarja për BE-në ishte 1.63, ndërsa në Evropën Jugore – Portugali, Spanjë, Itali dhe Greqi – ky tregues ishte rreth 1.3. Natyrisht, kjo lindshmëri nuk është e mjaftueshme për zëvendësimin e thjeshtë të popullsisë – për këtë nevojitet një vlerë prej 2.1 – por megjithatë po i afroheshim asaj. Fatkeqësisht, në vitin 2024 ky tregues ra në 1.76, ndërsa për vitin 2025 është 1.65," rendit shkencëtari.

Si një faktor shqetësues demografik ai thekson se mosha mesatare në të cilën gratë bullgare lindin është tashmë 28 vjeç, dhe për këtë arsye gjithnjë e më pak prej tyre vendosin të kenë një fëmijë të dytë në një moshë kaq të vonshme. Por ai nënvizon se që nga kriza e Covid-it në Bullgari vërehet një rritje e qëndrueshme pozitive e migracionit neto. Emigrimi nga vendi është stabilizuar, shton ai, duke sqaruar se nëse më parë Bullgaria humbiste 50–70 mijë persona në vit, të cilët shkonin të punonin dhe jetonin jashtë vendit, tani ajo importon fuqi punëtore.

FOTO: BGNES

"Në këtë moment ne marrim punëtorë nga Pakistani, Taxhikistani, Nepali, Bangladeshi dhe Azerbajxhani. Unë kam kontrolluar të dhënat për ta. Rezulton se vetëm rreth 40% e atyre që marrin viza pune në Bullgari mbeten të punojnë këtu. Për të tjerët Bullgaria është një trampolinë, një portë hyrëse drejt Bashkimit Evropian. Pasi hyjnë në vendin tonë, ata shumë shpejt orientohen drejt Evropës Perëndimore. Kjo tregon se diku në sistemin tonë ka diçka që nuk funksionon në rekrutimin e këtij lloji punëtorësh. Këtu lind pyetja e madhe: pse ne nuk e përdorim potencialin e diasporës bullgare, veçanërisht atë në shtetet fqinje, për shembull bullgarët në Krahinat Perëndimore, të cilët ndodhen vetëm 40–50 kilometra nga Sofja?" – pyet shkencëtari.  Prof. Spas Tashev tregon se ka biseduar me banorë të Kriva Pallankës – një rajon kufitar agrar dhe ekonomikisht i prapambetur në Maqedoninë e Veriut – të cilët kanë shprehur gatishmëri të punojnë në Bullgari, madje edhe sezonalisht, por kjo nuk inkurajohet.

Sipas Konceptit Kombëtar për Zhvillimin Hapësinor Rajonal, të propozuar për diskutim në prill nga ministria përkatëse, një e treta e 5250 vendbanimeve në Bullgari kanë më pak se 100 banorë. Të ndara në katër grupe sipas rëndësisë, vetëm 50 qytete në vend konsiderohen se kanë potencial për të ndërtuar të ardhmen e Bullgarisë.

FOTO: BGNES

"Problemi ynë më i madh quhet zhvillim ekonomik i pabarabartë i vendit. Të dhënat tregojnë se kryeqyteti dhe edhe rreth pesë qendra të mëdha urbane tërheqin popullsinë. Kudo tjetër popullsia ndodhet në një krizë shumë serioze. Tashmë kemi 200 fshatra që figurojnë në hartë, por në to nuk jeton asnjë banor. Demografia tregon se në vendbanimet ku popullsia ka arritur 100 ose më pak banorë, nuk ekziston më potencial për riprodhim. Në këto fshatra nuk lindin më fëmijë. Jeta shoqërore atje është drejt shuarjes. Por duhet të themi se jo të gjitha vendbanimet në Bullgari ndodhen në një situatë të tillë. Nëse shikojmë vendbanimet rreth këtyre 5–6 qyteteve të mëdha ku ekonomia zhvillohet, do të shohim se atje popullsia po rritet," analizon demografi.

Sipas shkencëtarit, koncepti i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Punëve Publike konstaton se Bullgaria, në këtë moment, nuk mund të garantojë zhvillimin e saj demografik në të gjithë territorin e vendit. Prandaj është përqafuar formula e policentrizmit. Për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian për numrin e popullsisë në rajonet e planifikimit, propozohet që ato të reduktohen nga 6 në 4. Koncepti gjithashtu parashikon që në rajonet periferike me numër të vogël nxënësish mund të arrihet deri te arsimimi në distancë, diçka me të cilën profesori nuk është plotësisht dakord.

FOTO: Arkiv BNR

"Duhet të themi se shkolla nuk është vetëm arsimim; ajo formon karakterin dhe është një mjedis shoqëror. Nga kjo pikëpamje, arsimi plotësisht në distancë, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë që ende nuk kanë përvojë sociale të mjaftueshme, është shumë i rrezikshëm.”

FOTO: BGNES

Prof. Spas Tashev shpreh shpresën se teknologjitë e reja elektronike për telemjekësinë do të mundësojnë përmirësimin e qasjes në kujdesin shëndetësor edhe në rajonet me popullsi të ulët të Bullgarisë.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski